E hënë, 29 Prill, 2024

Propaganda

A keni qenë të ndikuar ndonjëherë nga propaganda? A keni qenë pjesë e krijimit dhe shpërndarjes së saj? Nëse ia bëni vetes këto pyetje përgjigja është: Ndoshta pa vetëdijen tuaj por, PO! Në një formë apo tjetrën ne të gjithë jemi pjesë e krijimit dhe shpërndarjes së propagandës ndërkohë që jemi të rrethuar nga të gjitha anët prej saj, por çështja është që shumica e madhe e njerëzve nuk kanë shkathtësitë e duhura për ta vërejtur këtë, dhe natyrisht, një propagandë e mirëdizajnuar ka për qëllim që të mos vërehet se është e tillë. Por çka është propaganda?

Autor: Sefer Selimi Jr.

Forma, struktura dhe natyra e komunikimit të saj kanë evoluar së bashku me shoqërinë dhe teknologjinë e komunikimit. Autorët Bruce Lannes Smith dhe Harold Lasswell në vitin 1946 e definojnë propagandën ‘’si mjet për të nxitur një numër të madh të njerëzve të veprojnë së bashku’’ kurse Steven Luckert and Susan Bachrach në librin Fuqia e propagandës Naziste shkruajnë: ‘’Propaganda paraqitet në forma të ndryshme. Është strategjike dhe e qëllimshme për të ndikuar në qëndrime, opinione dhe sjellje. Propaganda mund të jetë e dobishme dhe e dëmshme. Ajo mund të përdor të vërteta, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra. Për të qenë e suksesshme ajo zhytet thellë në vlerat, frikërat, shpresat dhe ëndrrat tona.’’

Mediumet sociale si FaceBook, Twitter apo YouTube kanë krijuar kushtet që edhe individë të zakonshëm të krijojnë dhe shpërndajnë propagandë. Të gjithë njerëzit janë të përfshirë në procesin e bindjes së tjetrit për të arritur qëllime specifike, dhe nëse je aktiv në jetën shoqërore-politike me siguri që keni komunikuar mesazh të dizajnuar për të arritur te një numër i madh i njerëzve në mbështetje të kauzës tuaj. Por propaganduesit nuk kanë për qëllim të nxisin diskutim, reflektim apo të nxisin krijimin e mendimit individual duke prezentuar më tepër pikëpamje, duke ju lënë mundësinë për të gjykuar vetë se cila perspektivë është e sakta por propagandistët përdorin fakte dhe informata selektive duke përçuar vetëm ato ide të cilat janë në përputhje dhe i shërbejnë arritjes së qëllimit.

Që të dallojmë propagandën duhet të njohim format e paraqitjes dhe teknikat që përdoren për të ndikuar me sukses tek njerëzit. Katër teknikat më të zakonshme përfshinë:

  • Aktivizimi i emocioneve të fuqishme – Propagandistët e shkathët njohin frikën, shpresën, zhgënjimet, zemërimin dhe simpatitë e audiencës. Ato i shfrytëzojnë emocionet dhe paragjykimit për të ndërtuar mesazhin i cili do të krijoj reaksion të fuqishëm dhe do të ngulfat mundësinë për mendim kritik.
  •  Thjeshtësimi i informacionit dhe idesë – Propaganda ndonëse mund të përdor informacione të vërteta, gjysmë të vërteta apo të rrejshme për të qenë të suksesshme ato janë tregime të thjeshta që janë të pranueshme dhe të kapshme për audiencën. Duke thjeshtësuar mesazhin shpesh arrihet që me sukses të krijohen porosi që lehtësisht mbahen mend dhe përcillen. Thjeshtësimi i informacionit nuk ka për qëllim të kontribuoj në edukimin apo rritjen e njohurisë së audiencës por ta bind atë.
  •  Përshtatja ndaj nevojave dhe vlerave të audiencës – Propagandistët e suksesshëm gjithmonë shënjestrojnë grupe specifike duke përdorur vlerat e tyre etnike, fetare, racore por edhe dëshirat dhe besimet e juaja. Ju mund të josheni si një njeri familjar apo edhe përmes hobit ose idhujve tuaj të famshëm.
  • Sulmi ndaj kundërshtarëve – Propaganda mund të shërbejë si një formë e luftës politike dhe sociale për të identifikuar dhe asgjësuar kundërshtarët. Mund të vë në pikëpyetje legjitimitetin, besueshmërinë, saktësinë, madje edhe karakterin e kundërshtarëve dhe idetë e tyre. Kjo luftë zhvillohet mbi parimin e krijimit të ‘’Ne kundër atyre’’.

Qeveritë, aktorë të ndryshëm politik e shoqëror, bizneset përdorin propagandën për arritur qëllimet dhe për përmbushur misionet e tyre. Që të vlerësojmë nëse një propagandë është e dëmshme ose dobishme duhet analizuar karakteristikat e saj:

  • Mesazhi: Natyra e informacionit dhe idetë që paraqiten
  • Teknika: Përdorimi i simboleve dhe strategjive retorike që tërheqin vëmendjen dhe aktivizojnë përgjigjen emocionale
  • Mjedisi dhe konteksti: Ku, kur dhe si njerëzit hasin mesazhin
  • Mjetet e komunikimit dhe formati: Si ju jepet mesazhi njerëzve dhe çfarë forme merr.
  • Reagimi i audiencës: Si mendojnë dhe ndjehen njerëzit për mesazhin dhe sa të lirë janë për ta pranuar apo refuzuar atë

Në kohë kur rrjetet sociale janë burim mjaft i madh nga ku njerëzit informohen dhe kampanja të dezinformimit janë më të pranishme se kurrë, duhet që të edukohet audienca për të qenë në gjendje të dalloj përveç lajmeve të rrejshme edhe propagandën si mjet për të ndikuar në mendimin dhe opinion publik. Ndonëse janë të ndryshme për nga forma, teknika dhe mënyra e komunikimit, dezinformimi dhe propaganda janë shumë të ngjashme dhe komplementare me njëra tjetrën për të manipuluar me audiencën prandaj është e nevojshme të mund të dallojmë propagandën dhe ta vlerësojmë nëse është e dëmshme ose jo.

Të fundit