Të gjithë ngapak jemi vënë mes kudhrës e çekiçit: Nga bota, gjithandej po përhapet me shpjetësi të rrufeshme kjo fantazma e krizës së quajtur pandemi e koronavirusit. Dhe, duket se njerëzimi si kurrë më parë po tregon një solidaritet në rritje për t’u përballur me këtë armik të padukshëm. Çështja që aktualisht shtrohet është si të përballemi me sukses, çfarë strategjie e taktike do kemi? Për shkak se edhe ekspertët e fushës na e thonë se vijat e frontit të hapur kundër kësaj të keqeje nuk janë kushedi sa, janë dy e shumta tri: punonjësit e shëndetësisë në të parën, ndërsa të gjithë ne pas tyre.
Autor: Seladin Xhezairi
1. E pranoj, dy të hënat që lamë pas, në gjithë këtë rrëmujë të krijuar, më dhanë pak kurajo se edhe ndër ne karshillëku ka kufi: Ishte Teuta Arifi, e para, e më pas Arben Taravari, i dyti, të cilët, edhe pa u thënë, nuk më përmendën në Klan Debat partitë e veta, por që të dy thuaja ia mbanin ison se ndërkohë që fantazma e Covid-19 po sillet anëpëranë botës, ne na lipset veprim në të gjitha këto vija, po i quajmë, të frontit! S’ka pse të mos i thuhet aferim një qasjeje dhe pune të paqme që po bëjnë në ballë të shtabeve të tyre të emergjencës. Në rrafsh kombëtar mbase ky yrnek Pollogu do marrë edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë për shkak se kushtrimi është lëshuar dhe ngjeshja e radhëve, pa dallim soji e sorrollopi (politik) e kërkon të jemi aty ku duhet dhe, të dëgjojmë mendimin e çmuar se edhe në këtë rast nuk është se një plus një bëjnë dy! Prandaj, pse të mos bëhemi sy e vesh që t’i dëgjojmë e denjojmë kur na thonë ‘RriNëShtëpi’, ‘Ruaj distancën’! Jo, duhet t’i pranojmë këto mesazhe për shkak se vetëm kështu dhe asessi ndryshe në betejën me këtë bajloz të zi e të padukshëm nuk do të dalim humbës! Të kuptohemi, kjo nuk domethënë se nesër, kur kjo e keqe të ketë marrë fund, të mos kërkohet llogaridhënie për (mos)veprimet apo, pse jo, edhe për keqveprimet… Se për pak harrova, doktorëve dhe të gjithë mantelbardhëve qysh tash duhet hequr kapelën! Janë heronjtë e këtyre javëve!
2. A ka gjë më të shëmtuar se kur dëgjon përsëritjen e atij refrenit të vjetër ‘bëj si thotë hoxha e mos vepro si ai’: Kryekëshilltarja për shëndetësi e qeverisë së Skocisë ka dhënë dorëheqje, fundjavën që lame pas, pasi u zbulua se kishte shkelur këshillat e veta për qytetarët lidhur me masat e ndalim-qarkullimit gjatë epidemisë së koronavirusit. Agjencitë e lajmeve shpjeguan se Catherine Calderwood, pasi më pare ishte kapur pisk, ka shprehur keqardhje të thellë në një njoftim me të cilin bëri të ditur dorëheqjen e saj që ia paraqiti kryeministres skoceze Nikol Sturgeon. Zonja kishte pranuar se gjatë fundjavëve disa herë kishte shkuar në shtëpizën e vet të uikendit në pjesën rurale të vendit, anës detit, një veprim ky që binte ndesh me këshillat që ajo ua jepte skocezëve – të qëndrojnë nëpër shtëpitë e veta!
3. Në këtë dynja ka tipa e tipa, ka, që ç’ke me të, të atillë të cilëve nuk u mbushet rradakja edhe po t’ju thuash një mijë herë se për të mos u gjetur në humnerë duhet që koka mos t’na marrë erë! Fantazma e koronavirusit po sillet aty ku s’ta merr mendja dhe askush me saktësi nuk e din se ç’tragë do të marrë. Do thuash ti se doemos të gjendet një udhë, po ama për këtë duhet mendje, duhet vullnet, duhet disiplinë, për shkak se të gjithë ngapak jemi vënë mes kudhrës e çekiçit: Si të përballemi me sukses, çfarë strategjie e taktike do kemi? Për shkak se edhe ekspertët e fushës na e thonë se vijat e frontit të hapur kundër kësaj të keqeje nuk janë kushedi sa, janë dy e shumta tri: punonjësit e shëndetësisë në të parën, ndërsa të gjithë ne pas tyre. Është koha të tregohemi. Tani, sa nuk është vonë! /KDP