E premte, 4 Tetor, 2024

Ambasada amerikane kundër reciprocitetit ndaj mallrave serbe

Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, thanë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Sipas saj, këto masa “krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-ja beson se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”.

Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në fund të vitit 2018, kur edhe Qeveria e atëhershme e Kosovës u ka vënë tarifë 100% prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja.

SHBA-ja ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e kësaj tarife pa kushte./REL

Të fundit