E shtunë, 12 Tetor, 2024

Suprimimi i autonomisë: Si e shtyu Millosheviçi rrëshqitjen e Kosovës në luftë

Votimi për revokimin e autonomisë së Kosovës si krahinë e Jugosllavisë më 23 mars 1989 ishte një moment vendimtar që ngjalli rezistencën politike, ndezi përplasjet ndëretnike dhe i hapi rrugën konfliktit të armatosur të viteve ’90.

 

Autore: Serbeze Haxhiaj dhe Milica Stojanovic / BIRN

“Ishte një ditë për ndërgjegje dhe përgjegjësi”, thotë Tërmkolli për BIRN.

Kosova  kishte fituar autonominë e saj si pjesë konstituive e federatës Jugosllavisë në vitin 1974 nën lidershipin e Josip Broz Titos duke pasur të drejta  pothuaj të njëjta sikurse gjashtë republikat e tjera . Pesëmbëdhjetë vite më vonë kjo po përmbysej.

Tërmkolli kishte pritur që shumica e delegatëve të Kuvendit Krahinor do të votonin kundër heqjes së autonomisë.  Por ata bënë të kundërtën.

“Ndjeva sikur një pjesë e imja vdiq. U ngrita dhe pashë shumicën e fytyrave. Mu dukën sikurse korba. I thashë vetës: tani Kosova mori fund”, kujton ajo.

Bazuar në procesverbalet e seancës së Kuvendit të Kosovës të asaj dite, pro amendamenteve të Millosheviçit votuan 167 nga 190 anëtarë të Kuvendit. Vetëm Tërmkolli dhe 9 të tjerë votuan kundër. Megjithatë ka pasur shumë pikëpyetje rreth numrit të  votuesve. “ Ishte një moment i turpshëm. Një kapitull i errët që do të kishte pasoja negative”, thotë ajo.

Pesë ditë më vonë, më 28 mars, Kuvendi i Serbisë miratoi ndryshimet kushtetuese që efektivisht i hiqnin autonominë e Kosovës. Trazirat vazhduan ditëve më pas në Prishtinë dhe në qytetet tjera ku policia goditi studentët që po protestonin kundër ndryshimeve kushtetuese.

“Policia goditi ashpër mbi 1000 studentë në qendrën e studentëve në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Pamjet televizive shfaqnin rrahjet e tyre me shkopinj gome”, raportonte në atë kohë gazeta britanike Guardian.

Tërmkolli thotë se revokimi i autonomisë ishte pjesë e “një skenari të përgatitur mirë nga Sllobodan Millosheviçi (atëeherë lideri i Partisë Komuniste Serbe)”.

“Menjëherë pas, më 28 qershor 1989, Millosheviç do të ndizte një valë të re nacionalizmi dhe urrejtjes ndëretnike”, shton ajo.

Fjalimi i Millosheviçit i 28 qershorit 1989 në  Gazimestan, vendin ku në vitin 1389 u zhvillua  Beteja e Kosovës, një ngjarje që konsiderohet kyçe në mitologjinë serbe,  ushqeu retorikën nacionaliste  dhe përkeqësoi raportet ndëretnike në Kosovë.

Megjithatë, politika e Millosheviçit nuk ishte e udhëhequr vetëm nga ideja nacionaliste e krijimit të  një “Serbie të Madhe”, por ajo u përdor në mënyrë pragmatike ta forcojë mbështetjen e tij politike nga serbët, thotë Dushan Janjiç nga Forumi për Raporte Ndëretnike në Beograd.

“Kosova ishte instrumenti i parë dhe më i rëndësishëm në ardhjen në pushtet të Millosheviçit në vitet 1980-ta dhe gjithashtu një instrument i rëndësishëm për mbajtjen  e pushtetit”, thotë Janjiç për BIRN.


Melihate Tërmkolli duke mbajtur fjalim në Kuvendin Krahinor të Kosovës ditën e votimit të autonomisë. Foto kortezi e Melihate Tërmkolli.

“Delegatët duhej t’i sfidonin tanket”

Pasi propozimet për heqjen e autonomisë së Kosovës kishin hyrë në procedurë, në vend kishin shpërthyer protesta kundër tyre, përfshirë edhe grevën 8 ditëshe të urisë së mbi 1.200 minatorëve të Trepçës, në shkurt të vitit 1989, një muaj para se të votoheshin ndryshimet.

Autoritet jugosllave shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe  dërguan mbi 15,000 trupa të armatosura.

Azem Vllasi, ish-kreu i Partisë Komuniste në Kosovë, thotë se para votimit, Millosheviçi ndryshoi strukturën udhëheqëse të hierarkisë së partisë që t’ia bënte të mundur atij të fitonte më shumë pushtet.

Liderja e Partisë Komuniste të Kosovës në atë kohë, Kaqusha Jashari dha dorëheqje dhe Rrahman Morina, një mbështetës i Millosheviçit që bënte thirrje për suprimimit autonomisë, zuri vendin e saj.

“Ishte e qartë që nëse kryesia e Partisë Komuniste Kosovës do të ndryshohej dhe përçahej, do të ishte e lehtë të vazhdonin me ndryshimet kushtetuese që revokonin autonominë e Kosovës”, thotë Vllasi për BIRN.

“ Por kryetarja e Partisë Komuniste nuk duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe t’u linte vend mbështetësve të Millosheviçit. Ishte një gabim. Ne duhet të rezistonim më shumë se që bëmë”, thotë ai.

Më 22 mars, një ditë para se votimit në Kuvend, lidershipi i Partisë Komuniste të Kosovës u bëri thirrje ligjvënësve t’i mbështesnin ndryshimet kushtetuese. Në të njëjtën ditë, Millosheviçi që në atë kohë ishte kryetar i Partisë Komuniste të Serbisë, duke folur në një tubim në Beograd bënte thirrje për masa shtypëse në Kosovë.

Vllasi shpjegon se delegatët shqiptarë është dashur të tregojnë më shumë guxim.

“Pavarësisht shtetrrethimit dhe rrethimit të Kuvendit me tanke e policë, delegatët nuk duhet të votonin pro ndryshimeve kushtetuese. Shqiptarët ishin shumicë dhe pa votën e tyre amendamentet nuk do të kalonin”, thotë Vllasi.

BIRN ka kontaktuar 9 ish-delegatë të Kuvendit që atë ditë kishin votuar pro heqjes së autonomisë. Por që të gjithë kanë thënë se nuk ishin mirë me shëndet dhe nuk mund të flisnin.

“Ne deshëm largimin e lidershipit komunist”


Isufi Beqiri, i cili qe i përfshirë në grevën e minatorëve të Kosovës në vitin 1989. Foto: BIRN.

Në shtëpinë e tij në Bajgorë të Mitrovicës, Isuf Beqiri shtrëngon duart mbi tavolinë dhe ngrys fytyrën me zemërim derisa flet për kohën e revokimit të autonomisë.

Beqiri, 56 vjeçar, ishte një nga minatorët e Trepçës që hynë në grevë urie në shkurt të vitit 1989 në kundërshtim të ndryshimeve kushtetuese. Minatorët kërkonin dorëheqjen e kreut të partisë Komuniste, Rrahman Morinës që ata e shihnin si një “kukull të Millosheviçit”.

“E dinim që ndryshimet kushtetuese ishin kundër autonomisë së Kosovës. Ne kundërshtuam dhe kërkuam që Rrahman Morina dhe e tërë struktura e tij në partinë Komuniste që po e përgatiste ripushtimin e Kosovës nga Serbia të jepte dorëheqje”, thotë Beqiri për BIRN

“Derisa i gjithë populli i Kosovës po mbështeste grevën tonë, ata na mashtruan duke thënë se Morina dha dorëheqje, kërkesat tona po pranohen dhe duhet të ndërpresim grevën”, kujton ai.

Tri javë më vonë, Beqiri ishte duke kryer orarin e punës në ndërrimin e parë në minierë kur kishte dëgjuar se Kuvendi votoi ndryshimet kushtetuese.

“Ishte tradhti, jo vetëm çështje e frikës dhe presionit mbi delegatë. Mendoj që  u shitën”, thotë ai.

Derisa në vend protestat kundër heqjes së autonomisë në Kosovë po vazhdonin në prag heqjes së autonomisë, 22 shqiptarë u vranë gjatë ndërhyrjes së forcave jugosllave të sigurisë. Ministria e Brendshme e Jugosllavisë fajësoi  protestuesit  duke i quajtur “separatistë dhe nacionalistë”.

Sidoqoftë, Beogradi mori kontrollin mbi policinë, administratën, gjyqësorin dhe sigurinë dhe nuk ishte më e nevojshme të konsultonte krahinën e Kosovës rreth ndryshimeve kushtetuese të Serbisë.

Në Serbi, mijëra njerëz ishin mbledhur në Qendrën Sava në Beograd  për të festuar kthimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë. Millosheviçi pastaj u propozua për postin e presidentit të Serbisë.

Vllasi thotë se rezultati ishte një “fitore e Millosheviçit”, pavarësisht se hapi rrugën zezonave të reja.

Një editorial i gazetës The Guardian i datës 29 mars 1989 paralajmëroi se “Kosova tani është një provincë e okupuar ku frika serbe nga lufta e armatosur shqiptare mund të bëhet realitet”.

“Ata sakrifikuan Kosovën”


Jusufi Buxhovi, një historian që ishte aktivist në fund të viteve 1980. Foto kortezi e Jusufi Buxhovi.

Dushan Janjiç thotë se apetiti i hapur i Millosheviçit për pushtet absolut i dha strukturës udhëheqëse ushtarake të Serbisë shpresë dhe kurajo se do të mund ta menaxhonte kontrollin e sigurisë në tërë ish-Jugosllavinë.

“Për të kontrolluar Jugosllavinë, regjimi i Millosheviçit ia vuri vetes për qëllim armiqësinë dhe moskomunikimin mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke e ndihmuar këtë projekt. Kjo pasi u rrit ndjenja e brishtësisë dhe nevoja për riorganizim në baza etnike e popullatës serbe në Kosovë”, shpjegon Janjiç.

Jusuf Buxhovi, një historian nga Kosova, që gjithashtu ishte një aktivist politik në atë kohë thotë se pretekst për ndryshimet kushtetuese ishin protestat e vitit 1981 ku u kërkua që Kosova të bëhet republika e shtatë e Jugosllavisë.

“Lidershipi i Serbisë donte që njësitë federale konstituive sipas kushtetutës jugosllave të vitit 1974 (Kosova e Vojvodina) të ktheheshin nën kontrollin e Serbisë”, ka thënë Buxhovi për BIRN.

Në vitin 1989, republikat tjera jugosllave nuk ishin të interesuara të konfrontohen me Beogradin për shkak të Kosovës.

“Ato e sakrifikuan Kosovën duke mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë (në mars 1989)”, shpjegon Buxhovi.

Më shumë se tri dekada pas, Melihate Tërmkolli ndjen ende në vesh jehonën e duartrokitjeve pas votimit në Kuvend.

Derisa ndez cigaren njërën pas tjetrës, ajo shpërthen në lot kur kujton zërat që thirrin përreth saj duke i thënë se ajo deshi ta “shkatërrojë Jugosllavinë” duke  mbrojtur autonominë e Kosovës.

Por disa nga ata që votuan pro për të cilët Tërmkolli thotë se vërejti se u penduan për çfarë kishin bërë. “Disa vjet më vonë, kam parë disa nga ata me ndërgjegje të vrarë”, thotë ajo.

Votimi pro ndryshimeve kushtetuese i Kuvendit të Kosovës ishte një pikë e rëndësishme kthese për Kosovën dhe Serbinë, thotë Buxhovi. “Me këtë akt filloi shkatërrimi i Jugosllavisë”.

Të fundit