Një filozof këtyre ditëve mjeshtërisht tha se “ të kesh frikë nganjëherë është guxim”. Padyshim në gjithë këtë krisje ontologjike, ne vetëm mund ta ripohojmë ekzistencën tonë, sepse asgjë nuk mund të jetë kaq e shkretë përderisa ka “një zemër që shpreson”.
Autor: Bardhyl Zaimi
Shpërthimi i virusit korona në Wuhan të Kinës, në fillim dukej si një kërcënim i largët, si diçka që ndodh diku atje dhe që nuk ka të bëjë me ne. Por, një shqetësim i hollë, therës , paralajmërues sikur rrinte pezull në ajër. Për pak ditë u kuptua që kërcënimi nga ky virus tashmë ishte real, ndërkohë që nga neglizhenca fillestare, ai nuk kishte mundur të izolohej vetëm në vendin e shfaqjes. Ishte çështje kohe se kur ky virus do të përhapej edhe në vendet tjera dhe ishte çështje kohe se kur do të shpallet pandemi.
Gjersa virusi lëvizte ngadalë, dukej se bota, shtetet, qeveritë po lëviznin ngathët dhe me debate të panumërta nëse ai ishte aq i rrezikshëm. Bota ndodhej mes dy gjendjeve në esencë kundërvënëse. Mes idesë për të vazhduar me normalitetin dhe idesë për të kufizuar lirinë e përditshmërisë te njerëzit. Fillimi i përhapjes së virusit në Itali, skenat e përditshme të tmerrit që vinin bashkë me lajmet për viktimat në numër të shtuar, pas Kinës, tashmë kishin ndezur alarmin e gjithë globit.
Bota po përballej me një gjendje emergjente që vinte si pasoje e përhapjes së virusit korona, këtij virusi akoma të paidentifikuar që po merrte jetë njerëzish. Vetëngujimi tashmë po shihej si i vetmi ilaç për ta parandaluar përhapjen e shpejtë dhe masive të tij në rrethana kur bota po e kuptonte tashmë se përballja me të mbetet e pashmangshme dhe do të kërkonte shumë vendime qeveritare dhe shumë veprime tjera në shkallë të gjerë për të izoluar sa më shumë pasojat e përhapjes.
Gati se në të gjitha shtetet fillimisht “sulmi tinëzar” i virusit korona u perceptua pa ndonjë rrezik të madh, mirëpo me kalimin e kohës dhe pas numrit të viktimave që linte pas, gati të gjitha qeveritë në botë u detyruan që me shumë realizëm ta shohin luftën këtij virusi, i cili po përhapej padiktueshëm në të gjitha vendet e globit.
Edhe këtu tek ne, fillimisht nuk u perceptua si ndonjë rrezik shumë i madh, por rastet e paraqitura tashmë tregonin se virusi nuk është më diçka që ndodh atje diku larg, por është një rrezik real që tashmë po kanoste secilin. Gjithnjë mbetet e vështirë që të krijohet perceptimi real në një fazë të hershme për një kërcënim të padukshëm. Por, duket se një pjesë e njerëzve të mirinformuar tashmë e kishin të qartë se “loja” dhe “batutat” për diçka që ndodh larg nesh kishin marrë fund.
Mbetet për t’u theksuar se një numër i madh i njerëzve të informuar por edhe me një vetëdije publike të jashtëzakonshme tashmë kishin shtrirë fushatën sensibilizuese për rrezikun dhe vetëngujimin në rrjetet sociale, në media, duke i dhënë kështu dimensionin fillestar të vetëmbrojtjes te një pjesë e madhe e qytetarëe. Thirrjet për qëndrim në shtëpi, informimi për gjendjen e përgjithshme, rekomandimet qeveritare, por edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tashmë ishin bërë pjesë e kësaj fushate, e cila në masë të madhe ndikoi për një vetëdijesim të shpejtë dhe respektim të këtyre rekomandimeve që nënkupton sa më pak përhapje të virusit.
Padiskutim tashmë është krijuar një vetëdije e plotë mbi kanosjen e virusit dhe qytetarët po respektojnë rregullat e kufizimit, duke pamundësuar kështu përhapjen e virusit. Por, gjithë ky vetëdijesim qytetar nuk ka kaluar edhe pa sfida të jashtëzakonshme, pa atë vërshimë pseudoinformacioni të lëshuara nga media të papërgjegjshme, të cilat në disa raste përveç që kanë krijuar terrorizim të përditshëm, gjithashtu kanë krijuar edhe një situatë të rreme mitesh konspirative që kanë frymëzuar shumë njerëz të jenë të pakujdesshëm.
Virusi korona si asnjëherë më parë ka hapur një debat global mbi rrezikun që i kanoset njerëzimit, pikërisht nga ky tip virusesh, të cilët mbeten të pastudiuar deri në fund, të paidentifikuar në përmasën e rrezikut që mund t’i sjellin njerëzimit. Këto debate janë të pranishme në nivele të ndryshme, duke filluar nga ato shkencore që përpiqen të identifikojnë natyrën e virusit dhe deri në debate filozofike që ndërlidhen me qenësinë njerëzore, me gjithë planimetrinë e ekzistencës njerëzore.
Dhe sigurisht, edhe në aspektin e mendimit më elitar njerëzor, ka optika të ndryshme mbi gjithë situatën të krijuar nga virusi korona dhe mbi fatin e qenies njerëzore në dimensionet më të thella ekzistenciale. Disa njerëz të mendjes vënë në pah ekzagjerimin, duke e ndërlidhur atë me një transformim të qenies politike, e cila tashmë kalon nga niveli i demokracisë dhe lirive në një pushtet ekzekutiv shtetesh. Sipas kësaj optike, kjo situatë tashmë po krijon primatin e shtetit si instrumentum pushteti mbi njerëzit dhe zbythjen e singularitetit njerëzor, në vogëlsinë e tij, në të vetmin dimension të mbijetesës dhe sigurisë të zbatuar nga shteti.
Përkundër këtyre mendimtarëve qëndrojnë të tjerë që vlerësojnë se rreziku është real. Sipas tyre, ky rrezik nuk është vetëm retorik, por shtrihet gjithashtu në një perspektivë reale kërcënimi që detyrimisht nënkupton alarmin e urgjencës globale, por edhe kufizimin sit ë vetmin instrument për ta parandaluar virusin fatal për jetët e njerëzve. Ky grup mendimtarësh vlerëson se nuk është koha për filozofime retorike, por për veprime konkrete të qeverive për të mbrojtur qenien njerëzor. Virusi korona ndërkohë është shikuar edhe nga këndvështrimi historik i pandemive, por edhe nga perspektiva e një kurë dhe një vaksinë të mundshme që do të lehtësonte njerëzimin në këto çaste lemerie të gjithanshme.
Si asnjëherë më parë bota ndodhet përpara një dileme, trandje dhe lemerie ontologjike. Gjithçka që dukej e përkryer, e rafinuar, e pacenueshme në jetën njerëzore për një çast kthehet dhe bëhet e brishtë, e lëndueshme dhe skajshmërisht e paparashikueshme. Në dimensionet e shkencës, sidomos të filozofisë njerëzore, kjo trandje ontologjike mbetet shqetësimi kryesor. Në këtë pikë, shfaqen në horizontin e ekzistencës njerëzore, dimensionet e mitologjive apokaliptike, të theksuara tashmë edhe nga mendimi më elitar njerëzor.
Përderisa shkencëtarët e gjithë botës tashmë me urgjencë të plotë po punojnë për ta identifikuar këtë “armik të padukshëm”, për t’ia njohur strukturën, natyrën dhe për të gjetur në bazë të kësaj kurën dhe vaksinën e domosdoshme, shumë autorë prestigjioz po theksojnë se bota ndodhet përballë një transponimi të pakthyeshëm dhe se asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Të ngujuar në shtëpi, duket se gjithçka është kthyer në një heshtje të plotë, një heshtje që kërcet së brendshmi. Një çarje ontologjike ka përshkuar tejpërtej qenien njerëzore, si frikë, si lemeri, si pamundësi. Mes gjithë atij lartësimi teknologjik, qenia njerëzore ndodhet përballë zvenitjes së pamundësisë, përballë vetvetes, si esencë e pastër, e zhveshur nga politika, nga përbashkimi, nga ajo kohë e mbushur me lëvizje të panumërta që derdhen pambarimisht në jetën shoqërore siç e njohim deri më tash.
Dhe, ja ku jemi përballë vetes, përballë shpresës së akullt për të vazhduar tutje, për të rilindur nga një gjendje frike dhe lemerie në një dimension tjetër të panjohur për përvojën njerëzore. Të vetëngujuar, në qetësinë e familjeve tona, ne mund të mejtojmë për kohën tonë, për sprovat tona, për gjithë atë raport njerëzor që e nënkupton tjetrin si qenie e papërsëritshme njerëzore. Si asnjëherë më parë, ne mund të kuptojmë, se pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga distancimi fizik, një përndritje gjithënjerëzore, një përndritje e përhershme e dashurisë njerëzore mund t’i jap kuptimin më të thellë ekzistencës sonë. Një filozof këtyre ditëve mjeshtërisht tha se “ të kesh frikë nganjëherë është guxim”. Padyshim në gjithë këtë krisje ontologjike, ne vetëm mund ta ripohojmë ekzistencën tonë, sepse asgjë nuk mund të jetë kaq e shkretë përderisa ka “një zemër që shpreson”. /KDP