Qeveria e Kosovës, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shpallur emergjencë për shëndetin publik.
Ky njoftim vjen pas konfirmimit edhe të katër rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, duke çuar në nëntë numrin e personave të infektuar.
“Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të Funksionit Mbështetës Emergjent 8 (FME8 – shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore). Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në Planin e reagimit kombëtar të Qeverisë së Kosovës, Funksioni Mbështetës Emergjent 8 apo FME 8 ka të bëjë me shëndetin publik dhe shërbimet mjekësore, si dhe me veprimet për “zbulimin, parandalimin apo zvogëlimin e efekteve dëmtuese në shëndetin dhe sigurinë publike”.
“Veprimet e tilla mund të përfshijnë analizimin e mjedisit, strukturën e pendave, evakuimet, strehimin emergjent, monitorimin e cilësisë së ajrit, dekontaminimin, përcjelljen e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, parashikimet emergjente etj”, thuhet në Planin e reagimit kombëtar.
FME 8 mundëson që institucionet përkatëse, në rastet e shpalljes së emergjencës të shëndetit publik, të mund të plotësojnë nevojat për preparate farmaceutike apo për personel mjekësor, si dhe të sigurojnë vaksina për parandalimin e sëmundjeve të caktuara ngjitëse.
rishtina duartroket mantelbardhët
Qytetarët në Prishtinë kanë dalë të dielën në dritaret e banesave të tyre për t’i duartrokitur punonjësit shëndetësorë dhe ata të sigurisë, të cilët janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit. Kështu, prishtinasit iu bashkuan qytetarëve të vendeve të ndryshme të botës, të cilët në po këtë mënyrë po i falënderojnë punonjësit shëndetësorë për punën e tyre kundër koronavirusit.
Përmbledhja
Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.
- Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
- Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
- Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe së paku 118 vende të tjera të botës.
- Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 162,687 njerëz të infektuar, 6,065 të vdekur dhe 75,620 të shëruar.
- Kina ka 81,003 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 21,157 raste dhe Irani me 13,938.
- Numri më i madh i njerëzve të vdekur është në Kinë: 3,085.
- Kosova ka konfirmuar pesë rastet e para me koronavirusin e ri.
- Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht vetëm Mali i Zi nuk ka raste të regjistruara me koronavirus.
- Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
- Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
- Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
- OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
- Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.
REL