Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2019, ka konstatuar se në Maqedoninë e Veriut ka prani të lartë të korrupsionit, pavarësi të kufizuar në gjyqësor si dhe Këshill gjyqësor të politizuar dhe të financuar në mënyrë joadekuate. Raporti gjithashtu konstaton gjendje jo mirë dhe presione ndaj komunitetit LGBT.
Në vend janë shqiptuar dënime për korrupsion kundër zyrtarëve, por megjithëse qeveria në përgjithësi e zbaton ligjin, ka ende raste të zyrtarëve të përfshirë në korrupsion, thuhet në raport.
“Qeveria ka bërë përparim në respektimin e lirisë së medias dhe lirisë së fjalës, por problemet mbeten, përfshirë pavarësinë e dobët të mediave, dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve,” thekson raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.
Nga qeveria nuk kanë komentuar ende raportin, por kanë theksuar përkushtimin për të vazhduar siç thonë me masat për ngritjen e sistemit gjyqësor duke përmendur miratimin e Ligjit për prokurorinë publike, shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, vazhdimin e lëndëve të prokurorisë speciale, e masa tjera.
Por, VMRO DPMNE-ja opozitare përmes një njoftimi theksoi se “raporti i DASH-it është edhe një fakt për dështimet e qeverisë, korrupsionin e lartë në radhët e saj, rastin “Reketi” ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë”.
Ekspertët ndërkohë thonë se raporti pasqyron gjendjen reale në vend, duke shprehur pakënaqësi për siç theksojnë mungesën e masave serioze në luftën kundër luftimin të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne nuk kemi asnjë aktivitet efikas të ndonjë organi për përballje efikase me korrupsionin. Edhe rastet që janë ndërmarrë nga organet e ndjekjes, prokurorët nuk duan ti procedojnë pasi atje kemi ndikime të fuqishme të lobeve të ndryshme politike. Kemi dështime edhe në punën e Komisionit Anti-korrupsion, organ që nuk kanë as kushtet elementare për punë, e as të zbatojnë ligjin e ri”.
“Qeveria nuk ka asnjë politikë kundër korrupsionit, nuk ka madje as ekip këshilltarësh të korrupsionit. Le të thonë sa të duan se po punojnë kundër korrupsionit, por rezultatet tregojnë të kundërtën”, thotë Sllagjana Taseva, eksperte e Anti-korrupsionit.
Ajo thotë se ky raport gjithsesi se do të reflektohet edhe në procesin euro-integrues, dhe se ky raport sipas saj, është hartuar edhe në bazë të raporteve kritikuese që kanë dalë nga institucionet e Bashkimit Evropian.
“Kur të fillojë procesi i integrimit evropian, nëse fillojnë ndonjëherë, në sipërfaqe do të dalin shumë lëshime që kemi. Kemi një Prokurori që aspak nuk është e pavarur, punësimet janë partiake, në zgjedhje kemi lëshime, kurdisje tenderësh, punë joefikase të institucioneve. Do të jetë mirë për vendin nëse fillojnë bisedimet pasi atëherë besoj se do të kemi transparencë. Do të ketë kontroll më të rreptë dhe do të dimë se çfarë po ndodhë”, thotë Taseva.
Maqedonia e Veriut në raportin e fundit të Komisionit Evropian është lavdëruar për reformat që ka ndërmarrë, megjithëse ka theksuar se ende ka shumë punë për të bërë në realizimin e reformave, në veçanti në administratën publike, në gjyqësor si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.