Përtej histerisë dhe frikës irracionale, përtej mendjelehtësisë dhe moskokëçarjes naive qëndron përgjegjësia njerëzore dhe qytetare për të qenë në sinkron me masat të proklamuara nga OBSH-ja për mbrojtje nga virusi korona.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Çdo jetë njerëzore është unikate dhe e papërsëritshme. Të mbrosh jetën mbetet esenca më kuptimplote e ekzistencës sonë. Gjatë tërë historisë njerëzore sëmundje të ndryshme, epidemi e kanë atakuar jetën njerëzore. Bota ka kaluar nëpër miliona viktima nga sëmundje që janë shfaqur si epidemi dhe pandemi. Murtaja, gripi spanjoll, tuberkulozi dhe viruset e epokës së fundit janë përvoja njerëzore të sprovave të mëdha të jetës së brishtë njëkohësisht të fortë njerëzore.
Fatmirësisht, shumë sëmundjeve të mëhershme mjekësia iu ka dhënë zgjidhje, sigirisht pas shumë viktimave në njerëz. Një betejë madhështore e mendjes njerëzore me kërcënimin e përhershëm të sëmundjeve.
Sigurisht, ka një limit deri ku mund të shërojë dhe parandalojë mjekësia, ndërkohë që e panjohura kërcënuese rrotullullohet vazhdimish në forma të papërjetuara më parë. Janë probabilitete habitusesh ndërkomunikuese që tashmë shfaqen si kërcënim virusesh tē paidentifikueshëm nga shkenca dhe që nuk kanë një kurë të verifikuar shencore.
I tillë shfaqet edhe virusi korona, i cili po merr jetëra njerëzish anembanë botës. Një patogjen, sipas shkencëtarëve, mjaft inteligjent që shfaqet dhe sulmon pa paralajmërim api siç thuhet në gjuhën e mjekësisë pa simptome. Organizata Botërore e Shëndetësisë tashmë e ka shpallur si pandemi, ndërkohë që ka kërkuar nga shtetet që të ndërmerren masat më serioze për parandalimin e përhapjes së virusit. Përderisa nuk ka një kurë të verifikuar shkencërisht, e vetmja masë mbrojtëse mbeten kufizimet, identifikimi i rasteve dhe trajtimi me metoda të njohura nga mjekësia.
Të gjitha shtetet tashmë kanë shpallur masat, të cilat konsiderohen si preventivë përderisa nuk ka një vaksinë kundër virusit.
Përtej shakave, mendjelehtësisë, por edhe frikës dhe panikut, është koha për një ndërgjegjësim për kanosjen serioze të virusit korona. Sigurisht se nuk është koha për panik, por as edhe për mendjelehtësi dhe “guxime” hokatare që e neglizhojnë tërësisht rrezikun. Sipas shumë vlerësimeve pikërisht kjo moskokëçarje ndaj kufizimeve dhe instruksioneve tjera që vijnë nga shkenca e mjekësisë i ka dhënë hapēsirë virusit të korrë jeta njerëzish.
Përtej histerisë dhe frikës irracionale, përtej mendjelehtësisë dhe moskokëçarjes naive qëndron përgjegjësia njerëzore dhe qytetare për të qenë në sinkron me masat të proklamuara nga OBSH-ja. Jeta njerëzore mbetet e papërsëritshme dhe ne jemi përgjegjës për këtë bekim të Zotit. Të gjithë së bashku duhet të jemi në lartësinë e emergjenvës, pa frikë, por me përkuljen madhështore ndaj secilës jetë njerëzore.
Thjesht pa panik, me ndëgjegjësim të plotë, të reflektojmë ndaj kërcënimit të panjohur të virusit korona që ka përshkuar botën. Mbetet kaq e rëndësishme kultura publike në këtë rast, kultura shëndetësore që minimizon rrezikun, por edhe jep provën se e çmojmë lart jetën e gjithsecilit.
Sigurisht, brenda këtij ndërgjegjësimi shakatë mund të prodhojnë adrenalinë, energji pozitive, aq e nevojshme në situata të zymta. Paçi shëndet, lani duar dhe kufizoni lëvizjet. Jeta njerëzore është e brishtë, por e madhërishme dhe e fortë në vazhdimësinë e vetë. Jini mbrojtës të çdo ekzemplari të jetës njerēzore, me ndërgjegje të lartë për gjendjen emergjente që ka kapluar gjithë botën.