E premte, 26 Korrik, 2024

KORONAVIRUSI DHE PASOJAT NË BIZNES

Gjithë parashikimet janë se përhapja dhe përballja me coronavirusin do të ketë pasoja për ekonominë botërore. Organizatat ekonomike vlerësojnë se zhvillimi ekonomik do të shënojë rënie. Në Maqedoninë e Veriut tash për tash nuk ka ngritje çmimesh dhe veprimtaritë e biznesit thuhet që funksionojnë normalisht. Ndërkohë FMN ka bërë korrigjim në rritjen ekonomike për 0.1 për qind.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Shfaqja e virusit korona tashmë ka pasoja për ekonominë botërore. Koronavirusi, këtë vit, do të shkaktojë një ndikim të madh ndaj rritjes ekonomike në botë, ka publikuar Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e cila ka zvogëluar parashikimet për rritje të bruto-prodhimit vendor për 2.4% që paraqet shkallën më të ulët, që nga kriza financiare në vitin 2008 dhe vitin 2009. Parashikimet janë se përhapja e virusit do të shënojë rënie, por një pandemi më serioze dukshëm mund të reflektohet ndaj ekonomive të lira. Bursat në botë, javën e kaluar regjistruan humbje, në kohën kur investitorët kanë “ngrirë” investimet gjatë përhapjes së koronavirusit, kurse kjo u reflektua ndaj profiteve koorporative.

Bizneset ndjeshëm janë përballur me shqetësimin e qytetarëve për të lëvizur lirshëm në prag të festave të marsit si rezultat i virusit në disa shtete. Nga agjencitë turistike shprehen se qytetarët janë më të kujdesshëm për ofertat turistike.

Kufizimi i qarkullimeve, kufizimi i shëtitjeve turistike, rritja e menjëhershme e shpenzimeve për konsum, ndryshimi i prodhimtarisë, ndryshimi në eksport apo import janë implikimet e para të cilat kanë shkaktuar ndryshime në ekonominë ndërkombëtare.

Nga Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit thonë se ende nuk ka anulim të aranzhmaneve për vizitë të Maqedonisë së Veriut, por janë anuluar aranzhmanet për në Itali.

“Rekomandojmë që njerëzit të mos udhëtojnë në rajonet e krizës, gjithashtu për momentin bisedojmë me një numër të madh të operatorëve turistikë, të cilët ende nuk kanë anuluar aranzhmane në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thotë drejtori i Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Lupço Janevski.

Ndërkaq përfaqësuesi i turizmit në ministrinë e ekonomisë Shofket Hazari bën të ditur se aranzhmanet e anuluara për festën e 8 marsit dhe shpenzimet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në mes agjencive turistike dhe palëve do të zgjidhen.

“Do ta shohim si do të veprojmë në lidhje me ato situata, ekzistojnë dy ligje që do ta rregullojnë këtë, në qoftë se ka nevojë edhe për masa të tjera Qeveria dhe ministria kompetente do të kenë qëndrimin e tyre”, thotë ai.

Ato që u prekën nga korona virusi ishin bizneset në vend. Drejtori i delegacionit të ekonomisë gjermane në vend, Patrik Martens pret që përhapja e virusit të ketë ndikim negativ, por gjithashtu pret që ai të jetë “jetëshkurtër”.

“Po, do të ketë një ndikim të pjesshëm në ekonominë e Maqedonisë. Por, unë besoj se ekonomia maqedonase do të jetë në gjendje ta rimarrë veten shpejt dhe në afat të shkurtër kohor. Problemi më i madh me të cilin përballemi për momentin në vend është mungesa e kuadrit profesional, të cilin ne si Delegacion i ekonomisë gjermane përpiqemi ta ndihmojmë përmes projektit tonë për arsimin e dyfishtë profesional që e implementojmë në vend”, ka theksuar Martens.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë se nuk vërehet ndonjë implikim në ekonominë e vendit. Ata potencojnë që nuk ka rritje të çmimeve dhe se prodhimtaria vazhdon me të njëjtin trend. Sipas tyre, shqetësimi i vetëm mund të jetë për kompanitë transportuese. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë korrigjime (zvogëlime) minimale të parashikimeve. Në fakt, FMN-ja parashikimin e saj për rritjen e ekonomisë globale për këtë vit e zvogëloi për 0.1 për qind në 3.3%, si sinjal paralajmërues për rrezikun e koronavirusit.

Të fundit