Edhe pse nga muaji janar në përputhje me Marrëveshjen pagat në arsim janë më të larta për 10%, një pjesë e punëtorëve të arsimit ende nuk kanë rroga, për çka ministrja e Financave Angelovska shpreh bindjen se buxheti është likuid dhe gjithçka vazhdon pa pengesa. Nga SASHK-u alarmojnë se në disa shkolla janë dhënë pagat, por jo edhe kontributet për sigurim shëndetësor dhe invalidor.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Në një pjesë të institucioneve arsimore vonohen pagat, për çka ministrja e Financave, Nina Angelovska shpreh bindjen se buxheti është stabil, ndërsa përgjigje duhet të japin institucionet përkatëse nëse kanë dërguar kërkesë në ministrinë e Financave.
“Buxheti është likuid, gjithçka vazhdon pa pengesa dhe të gjitha kërkesat që janë dorëzuar nga institucionet në ministrinë e Financave janë realizuar. Nuk kam informacione nëse ka arritur kërkesë në ministrinë e Financave për pagat në arsim e çerdhe dhe nëse është realizuar, sepse gjithçka përpunohet në afate sa më të shkurtëra kohore”, thekson Angelovska.
Krahas pagave nga Sindikata e arsimit dhe shkencës thonë se në një pjesë të shkollave në komunat Butel dhe Çair sipas njohurive të tyre vonon edhe pagesa e sigurimit shëndetësor dhe invalidor.
“Sipas informacioneve tona në disa shkolla në Çair dhe Butel nuk është bërë pagesa e sigurimit shëndetësor dhe invalidor për punëtorët e arsimit, dhe kjo është e çuditshme, paga ka, kontribute jo. Do të presim një ose dy ditë pastaj do të kërkojmë përgjigje nga institucionet kompetente”, theksojnë nga SASHK-u.
Në përputhje me marrëveshjen në mes Sindikatës së arsimit dhe shkencës dhe Ministrisë së Arsimit më shumë se 32 mijë të punësuar në arsim dhe shkencë nga muaji janar duhet të marrin paga më të larta për 10%, prej tyre rreth 20 mijë të punësuar në arsimin fillor, 8 mijë të punësuar në arsimin e mesëm, 4.500 në arsimin e lartë dhe 220 të punësuar në institucionet shkencore.