E diel, 13 Tetor, 2024

Problemi i Fevziut dhe problemi i ministrave të Ramës

Nga Mero Baze

Një truk online, me një sondazh të paçertifikuar, prodhoi një lajm poshtërues për shumicën e ministrave të Qeverisë “Rama”, të cilët, sipas asaj që u prezantua nga një specialist i IT në emisionin “Opinion”, kishin blerë mijëra klikime fallco, për t’u shfaqur si ministra të pëlqyer në sondazhin online.

Diferenca mes votave reale, sipas moderatorit, dhe votave fallco, ishte rreth 50 herë në disa raste. Që ministrat mobilizohen të duken njerëz të pëlqyer në sondazhe të tilla, nuk ka diskutim, por që një ministër të blejë 90 mijë klikime, nga rreth 1000 deri 2000 klikime reale që ka në faqen në fjalë, është e pabesueshme dhe jashtë çdo logjike.

Për më tepër që “sëmundja” kishte kapur shumicën e ministrave të rinj, që nuk i njeh Fevziu, dhe nuk ishte shqetësim për disa ministra të vjetër, me të cilët ha dreka.

E vetmja gjë e besueshme në atë histori, është që më shumë se ministrat, në atë sondazh ka futur duart i zoti emisionit, për të sulmuar ministrat që nuk i shkojnë në emision.

Dhe nuk është gjetje e keqe. Vetëm se arsyeja është meskine dhe tipike për filozofinë e Fevziut, që kush nuk i respekton emisionin, mund të poshtërohet.

Që ministrat e Edi Ramës kanë një problem me komunikimin publik, është e qartë, por problem nuk është pse nuk shkojnë tek Fevziu, por pse nuk përballen politikisht në opinionin publik.

Është rast i rrallë që një Qeveri të ketë në përbërje të saj ministra të mirëshkolluar, për të cilët nuk mund të them se janë të paaftë, por që e trajtojnë veten si njerëz koketë, që duhet t’u respektosh postimet dhe jo mendimet, që duhet t’u vlerësosh deri dhe veshjen, por jo imazhin politik, dhe mbi të gjitha, që nuk u dalin zot problemeve që shkaktojnë me qeverisjen.

Kjo është ndoshta e vetmja Qeveri që mbaj mend në këto 30 vjet, e cila është më e depolitizuar se shtypi dhe opinioni publik.

Shumë ministra apo ministre të Edi Ramës, kur shfaqen në ekrane, janë të mirësiguruar që nuk i ngacmon askush, flasin me një gjuhë teknike, sikur të jenë eksepertë të huaj neutralë, nga ata që e kanë në status të mos mbajnë anë politike.

Akomë më shumë janë të keqkuptuar, se postimet e tyre propogandistike, janë orar pune që bindin qytetarët se çfarë bëjnë. Kjo ka prodhuar dhe atë skenën qesharake që ministrat zihen me njëri- tjetrin, pse i “vjedhin” njëri- tjetrit meritat në postime.

Në këto kushte, debatin publik për qeverisjen, përtej Edi Ramës, që zhgëryhet me dëshirë në baltë çdo ditë, aty ku ka sherr, e marrin figura jashtë qeverisë, të cilët demonizohen, ose heroizohen, thjesht se bëjnë një punë që nuk është e tyre.

Problemi që kanë ministrat e Edi Ramës nuk është se kanë “blerë” klikime tek emisioni i Fevziut, se ajo duket nga larg që është manipulim, pasi klikimet e shpikura për qeverinë, tejkalojnë klikimet që merr faqja “Opinion” për 48 orë.

Problemi është tek e kundërta, që ata nuk duan të bëhen as të njohur dhe as luftëtarë, por rrogëtarë. Ka gati një vit që asnjë ministër nuk është i përfshirë në asnjë debat publik dhe në asnjë përballje, që i rrit pikët qeverisë, ose që dëshmon aftësitë politike të ministrit.

Edhe pse shumica janë zgjedhur si njerëz teknikë, duhet të kuptojnë se janë bërë ministra për të mos qenë më teknikë. Nëse donin karrierë teknike të mëtejshme, mund ta refuzonin Edi Ramën.

Kur bëhesh ministër, je bërë automatikisht njeri politik, pasi politika të ka vlerësuar (nëse) aftësitë profesionale. Vazhdimi i karrierës së tyre si njerëz që duan të ruajnë profilin teknik, shmangien nga debati politik, që natyrisht të bën pis, dhe mbi të gjitha shmangia e përfaqësimit publik të qeverisë prej tyre, duke e lënë në duar të skalioneve partiake, i bën ata jo vetëm të panjohur për qytetarët, por dhe për vetë socialistët.

Kjo pastaj lind pikëpyetje të mëdha, përse i duhet një Qeverie, një njeri teknik, që refuzon të sillet si ministër politik.

Në qeverinë “Berisha”, Genc Ruli, Ridvan Bode, Sokol Oldashi, Arben Imami  etj, si ministra kryesorë, ishin dhe kuajt kryesorë të betejës politike, edhe pse vet Berisha, njësoj si Rama, ishte 24 orë në betejë.

Tani që nuk blejnë klikime bëjnë mirë, por që duhet të kenë parasysh se janë ministra, jo vetëm të meritojnë ndonjë pëlqim, por të bëjnë të pëlqyeshme dhe qeverinë e tyre me personalitetin që shfaqin.

Pastaj raportet me Fevziun mund t’i rregullojnë lehtë, po i shkuan në emision. Nuk është ndonjë dramë e madhe.

Të fundit