E shtunë, 18 Maj, 2024

DËSHPËRIMET E PËRDITSHME TË PAPUNËSISË

Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet një vend me shkallë të lartë të papunësisë. Papunësia te të rinjtë është dyfish më e madhe. Punësimet partiake mbeten një problem më vete, që e stimulon ikjen e të rinjve. Ekspertët thonë se ekziston një situatë dëshpëruese që i ngulfat shpresat e të rinjve.

Autore: Gelina Latifi

Papunësia mbetet një ndër problemet shqetësuese në Maqedoninë e Veriut. Sipas shumë parametrave në nivel global shkalla e papunësisë është një tregues i mirëqenies ekonomike në përgjithësi. Një shkallë e ulët është tregues i një ekonomie të forte, ndërkohë që ata që kërkojnë punë mund ta gjejnë atë shpejtë, ndërsa një shkallë e lartë mund të tregojë një ekonomi më të dobët. Në Maqedoni e Veriut mund të gjesh gjithçka, por punë jo,  shprehen qytetarët që janë në kërkim të punës. Çfarë të flasim, është diçka që tashmë dihet. Është vështirë, mbijetesa është e rëndë për të gjithë jo vetëm për mua”, thotë një qytetare, e cila theksin e vë tek të rinjtë, të cilët gjithnjë e më tepër ballafaqohen me problemin e papunësisë. Arlinda Baftiu, aktiviste për të drejtat e të rinjve thotë se ambienti aktual politik, bën që ata të jenë të dëshpëruar për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Sipas saj, tani kjo krizë edhe më shumë i ngulfat shpresat për të ndërtuar të ardhmen këtu, sepse për vite me radhë ata përballen me të njëjtat probleme”.

Një numër i madh i analistëve kanë vënë në dukje se problemi qëndron në atë se nuk shihet perspektivë për shkak të politizimit të skajshëm të shoqërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti për Punësim në vitin 2019, numri i personave të pa punë në vend është 168.180, ndërsa numri i të punësuarve është 794.283.

Papunësia tek të rinjtë është dyfish më e madhe nga shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend dhe është 47 për qind. Vështirësitë e të rinjve që të kalojnë shpejtë prej shkollës në drejtim të punës është si rezultat i zbrazëtirës që paraqitet në aftësitë që ata i kanë dhe ato që i kërkon vendi i punës. Ekspertët thonë se kjo zbrazëtirë është aq e madhe sa që punëdhënësit parapëlqejnë të kenë punëtorë me ndonjë përvojë, në mënyrë që të ulin shpenzimin e integrimit të atij punëtori.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, thonë se te papunësia e të rinjve janë dy faktorë kyç, hapja e vendeve të reja të punës dhe ndryshimi i sistemit arsimor.

Shkalla e punësimit në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për vitin 2019 është regjistruar me 53.5%, kurse ai i papunësisë 7.6%, ndërkohë që shkalla më e lartë e papunësisë është regjistruar në Maqedoni me 22,4%, transmeton AA.
Punësimi me libreza partiake nëpër institucionet shtetërore dhe pagat e ulëta në sektorin privat janë arsyet kryesore për emigrimin e qytetarëve nga rajoni lindor. Ikjet akademike kanë qenë alarmues. Në vitet e fundit ikin më shumë personel i trajnuar dhe arsyeja për largimin e tyre është një sistem që nuk i vlerëson ato.
Ndërkohë qeveria nuk ka  ndërmarrë asgjë për zbutjen e papunësisë, por sipas disa qytetarëve ende vazhdon me investime të gabuara, të  cilat ndikojnë vetëm në rritjen e mëtutjeshme të numrit të papunësuarve. Sipas tyre pasojat e papunësisë mund të jenë përhapja e varfërisë, ndërsa ka gjithashtu shumë ndikime në jetën shoqërore dhe familjare. Papunësia ndikon shumë edhe në sigurinë, sepse mundëson shfaqjen e krimeve të shumta për para, rënien e nivelit të jetesës etj.

Të fundit