Autor: Rean Saiti
Gjenerata ime është rritur me “patika pazari”. Kemi veshur veshmbathjet që para nesh i kanë patur të tjerët, e më pas kanë kaluar edhe tek të tretët. Kemi pirë ujë nga “çeshma”, herë-herë edhe nga lumi. Kemi pasur edhe ne shoqe të klasës, të cilat, në shkollë vinin me ëndrra e buzëqeshje…
Tani, në këtë moshë, lirisht mund të konstatojmë se shoqet tona të klasës e kanë kaluar atë periudhë të natyrshme jetësore. Kanë qenë fëmijë, adoleshente, vajzë e grua. Ndoshta, nuk jemi të thirrur të komentojmë këtë temë, por të goditur nga pamjet e sotme të nxënësve të shkollave, të cilat duke kërcyer disa faza të rritjes, në mënyrë të shpejtë dhe jo të natyrshme kanë ardhur deri tek “tituli” grua.
Dua t`u parashtroj disa pyetje…atyre apo asaj krijese, të cilës, nën ndikimin e mjedisit e kanë shndërruar nga vetvetja…
Ku janë ëndrrat tuaja, Ju barbika të kohës moderne? Kush dhe pse ua ka komplikuar rritjen? Ku shpejtoni? Nga kush ikni? Sythet nuk çelin para pranverës. Këtë askush nuk ua ka thënë? Ku i keni humbur buzëqeshjet, gjunjtë e grisur dhe imtësirat në gëzime? A duhet të “ngjiteni” në këpucë jo komfore, që më mirë ta shihni botën rreth jush? Vallë bukurinë tuaj e bëjnë taket e larta? Po ku janë princërit tuaj të rrëfimeve, shkopi magjik i Piter Panit, ëndrrat nga këpucët e qelqta? Dilni nga kjo kornizë, lejoni vetes që edhe tjerët t`u shohin.
Mos u turpëroni, mos u fshihni se kush jeni. Në vend të buzëkuqit, fytyra le t`ju skuqet. Të keni aromën e sytheve, sepse Ju jeni pranvera. Mos shpejtoni…pjekuria askujt nuk i ka ikur… Dhe, mbajeni mend…margaritarët asnjëherë nuk janë në sipërfaqe….
Marrë nga profili i autorit në Facebook