E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Shkupi mirëpret metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e mirëpriti metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila u publikua të mërkurën nga ana e komisionarit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi.

Autoritetet e Shkupit janë optimiste se në mars, Komisioni Evropian do të miratojë propozimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Shkupi nuk druan nga dokumenti i hartuar, ndërsa shprehu bindjen e përmbushjes së detyrimeve për të rrumbullaksuar procesin e integrimit evropian.

“Neve nuk duhet të na frikësojë ky moment, pasi është mënyra e vetme që të mbahen në kondicion elitat politike. Nuk flas vetëm për këtë qeveri, sepse ky është proces që i tejkalon mandatet politike. Ne, elitat politike, kushdo qoftë sot ose nesër, duhet t’i mbajmë nën një presion të madh kondicioni, për të ruajtur dinamikën e reformave”, tha Osmani.

Ai shtoi se për Maqedoninë e Veriut janë të pranueshme katër kriteret e metodologjisë, ndërsa theksoi se vendi është i përgatitur dhe në një garë të barabartë “do të mund të përballej edhe me kushte më rigoroze dhe do t’i kalonte edhe vendet që tashmë janë në bisedime”.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut tha se pret fillim të negociatave për anëtarësim, por duke e vlerësuar si pozitive mundësinë e ndërprerjes së negociatave në rast regresi.

Kjo, sipas MPJ-së, do të shënojë fillimin e një konkurrence të shëndoshë të reformave mes vendeve të rajonit.

“Mirëpresim përpjekjet e Komisionit Evropian për të përmirësuar procesin e pranimit. Metodologjia e re kontribuon në dimensionin e forcuar politik, por edhe në më shumë dinamizëm, pritshmëri dhe besueshmëri të procesit. Ne besojmë se kjo qasje e rinovuar do të rezultojë në një fitore të dyfishtë në javët e ardhshme: hapjen e negociatave së bashku me një proces të përparuar. Është koha e fundit për të filluar konkurrencën e shëndoshë të reformave në rajonin tonë”, thuhet në një reagim me shkrim të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Metodologjia e Komisionit Evropian i hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

Ajo nuk e përjashton as mundësinë e pezullimit apo të kthimit në fillim të bisedimeve të pranimit nëse shtetet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë.

Metodologjia e re është iniciuar nga Franca, vitin e kaluar.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga këto dy vende, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.

Të fundit