E hënë, 11 Nëntor, 2024

ZIGZAG: ZORAN ZAEVI DHE NE

Jo për shkak të ngesë, po këtë të martë, vendosa t’ju sjellë, një bashkëbisedim të mbrëmshëm me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, që për të mirë e, qe besa, edhe për të keq (kështu thotë opozita maqedonase) ka bërë vend në historinë më të re të vendit. Ngre shumë tema e dilema. Për të djeshmen, të sotmen, e pse jo edhe të nesërmen. Jo vetëm tonën!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

Kreu i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklaruar  në Klan Debat se është i bindur se partia e tij do t’ia dalë të ngadhënjejë në zgjedhjet e 12 prillit. Ai, në këtë shtrirje nuk ka përjashtuar mundësinë për koalicion parazgjedhor edhe me ndonjërën nga partitë shqiptare. Sipas tij, fitorja eventuale e opozitës maqedonase do të rikthente zënkat me fqinjët, në radhë të parë me Greqinë dhe Bullgarinë.  Zaevi është i bindur se nga posti i të parit të koalicionit qeverisës, i ka shërbyer me nder vendit të tij, duke zhbllokuar përfundimisht, pas rreth tri dekadash, procesin e integrimit euro-atlantik i cili ishte peng i mosmarrëveshjeve me Greqinë për shkak të emrit të Maqedonisë, i papranueshëm për Athinën zyrtare. Zaev thotë  se kur më 2018 u firmos Marrëveshja e Prespës ai dhe homologu i tij grek Aleksis Tsipras, kishin qenë të vetëdijshëm se mund të paguanim çmim: ‘A thua më e vlefshme është karriera jonë politike dhe e ardhmja jonë politike sesa e ardhmja e të rinjve, e fëmijëve, e gjeneratave që vijnë?’- pyeti Zaev duke vlerësuar se pa Marrëveshjen e Prespës dhe pa Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë fqinje aderimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të mbetej vetëm ëndërr.

Zaev ka shprehur bindjen se qeveria teknike do t’ia dalë të mirorganizojë zgjedhjet e 12 prillit, por tërhoqi vërejtjen se një model të këtillë,për kapërcimin e përplasjeve politike, fjala vjen, nuk do t’ua rekomandonte politikanëve në Tiranë: ‘Është pengesë, këto zënka, këto ndërkëmbëza, pushtet dhe opozitë, ministër teknik i Punëve të Brendshme dhe i Punës dhe Politikës Sociale me pjesën tjetër të Qeverisë që mbështgetet nga shumica parlamentare, më shumë shkakton probleme sesa zgjidhje’.

Zoran Zaev thotë se ai dhe partia e tij edhe për këto zgjedhje do të kërkojnë votat e shqiptarëve. Thotë se, me gjithë rezervat, pret që mbështetja të rritet në raport me zgjedhjet e fundit:  ‘Shikoj se tek popullata shqiptare ekziston një rezervë – a të votohet për kaurët apo jo, kështu thuhet disi. Unë e respektoj këtë, kjo jeton, kjo rritet, kjo zhvillohet, por luftojmë. Për mua ekzistojnë qytetarët. Nuk ekzistojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, rom, boshnjakë – ekzistojnë qytetarët – ata janë të njëjtë’.

Në emisionin Klan Debat, ish-kryeministri Zoran Zaev, shprehu bindjen se kjo legjislaturë parlamentare do t’ia dalë të krijojë shumicën e dy të tretave për të miratuar ligjin për Prokurorinë Publike në mënyrë që shpresa për marrjen e datës së fillimit të bisedimit për anëtarësim me të drejta të plëota në BE – të jetë më e kapshme. /KDP

 

Të fundit