Gjenerali kroat Rahim Ademi, i cili është me origjinë nga Kosova, ka thënë se filmi kroat për gjeneralin Ante Gotovina është fyes dhe nuk e pasqyron të vërtetën e luftës për çlirimin e Kroacisë. Ademi kritikoi sidomos kultin e personalitetit që filmi e ndërton për Ante Gotovinën. Kështu, sipas tij, nuk kanë vepruar as regjisorët me figurën e Titos në filmat partizanë.
Shkruan: Enver Robelli
Kroatët e kanë bërë një film. Një film mbi gjeneralin Ante Gotovina. Në atë film, që është shfaqur si seri në televizionin kroat HRT, ekziston vetëm një gjeneral. Askush tjetër. Ai është heroi. Kryeheroi. I vetmi. Demek, ai është vetëm Ante Gotovina. Pasi që filmi i kushtohet Ante Gotovinës, është normale që figura e tij të jetë në fokus. Por kur fokusi i përjashton të tjerët, ata që kanë merita të mëdha për çlirimin e Kroacisë, atëherë diçka nuk është në rregull. Atëherë këtu fillon propaganda.
Në filmin kroat «General» mungon një gjeneral tjetër. Gjenerali Rahim Ademi. Shqiptar. Patriot kroat. I vetmi gjeneral në Ballkan që në fushëbetejë e ka mposhtur Ratko Mlladiqin dhe e ka shpëtuar qytetin e Shibenikut nga pushtimi dhe shkatërrimi. Ademi ka marrë pjesë dhe ka drejtuar disa operacione të rëndësishme për çlirimin e Kroacisë. Ai ka qenë i vetmi gjeneral kroat, i cili me uniformë gjenerali u dorëzua në Gjykatën e Hagës, ndërsa gjeneralët «tamam» kroatë fshiheshin si lepuj nëpër dynja. Gotovina është arrestuar në një ishull spanjoll pas shumë vitesh në arrati.
Tribunali i Hagës nuk qe i bindur në fajësinë e gjeneralit Ademi. Lëndën e ktheu në Zagreb. Gjenerali Ademi u shpall i pafajshëm. Por Kroacia e kineastëve nacionalistë dhe racistë nuk ia vlerëson meritat gjeneral Ademit. Andaj për gjeneral Ademin nuk ka vend në filmin «General». Dhe ndoshta më mirë që nuk ka, çka kërkon një luftëtar i madh në një storje të dobët pseudopatriotike të regjisorit Antun Vërdolak, i cili i ka kaluar të 80-tat.
Megjithatë, Rahim Ademi, pasi e ka parë njëren nga seritë e filmit, ka reaguar. Ai tha se bëhet fjalë për një falsifikim të turpshëm. Ndonëse gjeneral Ademi ka qenë dora e djathtë e Ante Gotovinës në operacionin për çlirimin e territoreve kroate të pushtuara nga serbët, në film Ademi është vetëm një «lejtënant anonim». Gjeneral Ademi tha se nga shumë anë të Kroacisë i janë paraqitur kolegë e bashkëlufëtarë për të shprehur zemërimin e tyre me injorimin e rolit të Rahim Ademit në luftë. «Në film jam prezantuar si një lejtënant anonim, e fejuara e të cilit është shtatzënë dhe i cili planifikon të martohet». Sipas Ademit në atë film «e vërteta e luftës është shndërruar në gënjeshtër, e gënjeshtra në të vërtetë».
Për këtë Ademi akuzoi jo vetëm regjisroin Antun Vërdolak. Sa i përket Vërdolakut, Ademi tha: «Ai po harron se ka njerëz të gjallë. Asgjë nuk janë filmat partizanë në krahasim me këtë». Ademi kritikoi sidomos kultin e personalitetit që filmi e ndërton për Ante Gotovinën. Kështu, sipas tij, nuk kanë vepruar as regjisorët me figurën e Titos në filmat partizanë. Ademi tha se gjatë xhirimit të skenave nuk shihen shumë njerëz, por vetëm «legjionari», siç e quan ai Gotovinën për shkak të karrierës së tij të hershme në Legjionin e të Huajve të Francës. «Ta merr mendja se Kroacinë e ka çliruar Legjioni francez i të huajve dhe jo ushtria kroate», shtoi Ademi. «Me sa duket ende nuk jam sa duhet i përshtatshëm që të më përmendin me emrin e vërtetë si disa të tjerë që në atë pjesë të Kroacisë kanë qenë figura margjinale». Një një skenë të filmit shihet Ante Gotovina në një fshat bashkë me ushtarë duke festuar Krishtlindjet. Në atë fshat Gotovinën e dërgon njëfarë lejtënant Nikica. Por gjeneral Ademi thotë: në fakt ai që e ka dërguar Gotovinën te ushtarët për të festuar Krishtlindjet ka qenë «brigadieri Rahim Ademi».
Rahim Ademi, 66-vjeçar, ka lindur në komunën e Vushtërrisë në Kosovë, ka diplomuar në Akademinë Ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë në Beograd, ndërsa tani jeton afër Shibenikut. Pas agresionit serb kundër Kroacisë ai iu bashkua forcave kroate dhe ka komanduar me aksionet në rajonin e Sinjit si dhe në operacionet «Megjaçki xhep» dhe «Olluja», kjo e fundit çoi në futjen nën kontroll të Kninit, kryeqtyetit të republikës fantome serbe në Kroaci.
Më 31 maj 2008 një gjykatë kroate e liroi nga akuzat për krime lufte, pasi më parë Tirbunali i Hagës ia dorëzoi lëndën gjyqësisë kroate. Për dallim nga shumica e gjeneralëve kroatë, të cilët janë përkrahës të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Ademi ka qenë në shtabin zgjedhor në fushatën për president të Ivo Josipoviqit, ish-kryetarit socialdemokrat të Kroacisë.