LDK e Isa Mustafës ka gjasa të mos vazhdojë më negociatat për formimin e qeverisë me VV e Albin Kurtit, nëse ky i fundit vazhdon me qasje imponuese në këtë proces, thonë për KDP burime të larta në LDK.
Takimi i sotëm midis dy liderëve përfundoi pa sukses, me ç’rast Kurti ka kërkuar që nesër të vazhdojnë në një format ku do të marrin pjesë edhe ambasadorët e QUINT-it.
“Ua bëmë me dije se zgjidhja që ne ua kemi ofruar është përfundimtare. U thamë qartë se ata e kanë pr detyrë ta bëjnë qeverinë, kurse ne ua ofrojmë kushtet që janë të pranueshme për ne. Nesër e propozuan një takim me Quintin, ne nuk e refuzuam”, tha funksionari i lartë i LDK-së.
Ndërkohë, në ofertën e fundit të Mustafës thuhet se “LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019. Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet siguron stabilitet qeverisës për mandat të plotë prej katër vitesh. Kjo marrëveshje duhet finalizuar sa më parë në mënyrë që të fillojmë zbatimin e programit qeverisës të dakorduar nga dy ekipet tona, që mundëson reforma të thella ekonomike, sociale, të sundimit të ligjit dhe të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”.
Propozimet e LDK janë si vijon:
1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.
4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:
a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.
Nga ana tjetër, VV ka dalë me dy propozime.
1. Propozimi i parë ka qenë që LDK-ja ta merr një ministri më shumë dhe që Glauk Konjufca të mos jep dorëheqje. Vetëvendosje është pajtuar që LDK të merr Ministrinë e Jashtme dhe të arrihet marrëveshja.
2. Propozimi i dytë që ka bërë Vetëvendosje ka qenë shumë më zemërgjerë. Sipas këtij propozimi numri i ministrive të shkonte në 15 dhe LDK-ja do të merrte shtatë ministri pesë do t’i mbetnin Vetëvendosjes dhe tri minoriteteve. LDK po ashtu do të zgjedhte këto dy ministri që do t’i shtoheshin pa pasur kufizime edhe nga ministritë aktuale që tashmë janë ndarë.