Këto ditë ka nisur xhirimi i filmit dokumentar të metrazhit të gjatë, kushtuar figurës dhe veprës së aktorit më të madh shqiptar të filmin në shekullin XX, me famë botërore, BEKIM FEHMIUT. Filmi mban emrin e aktorit Fehmiu dhe i njëjti prodhohet në kuadër të dhjetë vjetorit të vdekjes së tij, njofton KDP.
Sipas skenaristit dhe gazetarit Fahri Musliu, filmi do të xhirohet, përpos Beogradit, në Sarajevë, Zagreb, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Tiranë, Shkodër, Shkup, Romë, Kanë dhe Nju Jork.
Filmi do të realizohet në tri gjuhë dhe PREMIERË PRITET TË SHFAQET më 15 Qershor të vitit 2020, në ditën e shuarjes së aktorit, në Prizren, Tiranë, Beograd, kurse në ditët në vazhdim edhe në qytetet tjera të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi.
Filmin po e realizon ekipi:
Skenarist: Fahri Musliu
Regjisor: Valmir Tertini
Producent: Jaklid Gaçe
Dop (kamera- fotografia): Endi Hoxha
Post-production: Afrim Peposhi
Filmi ka nisur rrugëtimin e vet pas përgatitjeve të gjata, me vullnet të mirë dhe vendosmëri të realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare. Projektin e mbështet Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri, kurse projekti u refuzuar na Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Prandaj, për realizimin e suksesshëm dhe me kohë të këtij projekti filmik me vlerë dhe karakter mbarëkombëtar, bukur të vështirë e të komplikuar, ju drejtohemi me lutje, institucioneve qendrore e lokale të pushtetit në Kosovë, organizatave e fondacioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare, ndërmarrjeve publike e private, grupeve të ndryshme, individëve dhe qytetarëve të vullnetit të mirë dhe dashamir e simpatizant të figurës dhe veprës së Bekimit, si dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë, që sipas mundësive, të japin ndihmë financiare. Për hollësi mund të shkruani në inboxin tim.
Ju faleminderit për mirëkuptim
Mirë u pafshim në premierën e filmit”, shkruan Musliu në profilin e tij në Facebook.