E hënë, 6 Maj, 2024

LIRIA E SHPREHJES, MES KONVENTAVE DHE PRESIONEVE POLITIKE

Liria e shprehjes është një e drejtë e garantuar universale. Por, jo gjithmonë ndodh që kjo liri të mos kërcënohet. Shembull më eklatantë në Maqedoninë e Veriut është ngjarja e 24 dhjetorit në kuvend, kur u dëbuan gazetarët. Ekspertët thonë se vendi renditet dobët për nga shkalla e lirisë së shprehjes, ndërkohë që të njëjtën e pohojnë edhe organizatat ndërkombëtare në raportet e viteve të fundit. Ata gjithashtu theksojnë edhe problemin me autocensurën dhe lajmet e rrejshme. 

Autore: Azra Imeri

Njerëzit e shprehin mendimin nëpërmjet të gjuhës. Shkruajnë romane, poezi, satirë, pikturojnë, fotografojnë, aktrojnë, bëjnë muzikë dhe mënyra të ndryshme të artit. Të gjithë këto forma të të shprehurit i ndihmojnë njeriut ta shndërrojnë mendimin në shprehje.

George Orwell, shkrimtar dhe gazetar anglez, në parathënien e romanit të tij “Ferma e kafshëve”, thotë se: “Nëse liria do të thotë diçka, atëherë ajo e përcakton të drejtën që njerëzve tua thoni edhe atë që nuk duan ta dëgjojnë”.

Sipas konventave ndërkombëtare, liria e fjalës dhe e shprehjes së mendimit paraqet të drejtën themelore të njeriut. Mundësia për të shprehur mendimin dhe për të shkëmbyer informacionin paraqet tregues të vlefshëm për kapacitetin demokratik dhe pozicionin institucional të demokracisë në shoqëri. Toleranca ndaj mendimit të tjetrit, mundëson bashkekzistencë në shoqëritë bashkëkohore multikulturore.
Sipas teorive moderne, liria e shprehjes mund të keqpërdoret në situata të caktuara dhe kalon në dukuri e cila është e kundërta e plotë e saj. Persona dhe grupe të caktuara mund të shprehin ide për superioritet të një race, religjioni ose kombi të caktuar, me qëllim që t’i përçmojnë të gjithë ata të cilët nuk i takojnë grupit “të tyre”, si dhe të bëjnë thirrje për ndjekje, izolim, po madje edhe deri për gjenocid. Në raste të këtilla, liria e shprehjes interpretohet gjerë e gjatë dhe kalon në gjuhën e urrejtjes. Këto dukuri e aktualizuan diskutimin për lirinë e shprehjes, kufizimet e saj dhe keqpërdorimin e kësaj lirie. 

 

RREZIKIMI I LIRISË SË SHPREHJES

Gazetari Benjamin Arifi thotë se Maqedonia e Veriut fatkeqësisht renditet dobët në raportet që trajtojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. “Institucione relevante si Komisioni Evropian, por edhe organizata si ‘Reporterët pa kufij’, për vite me radhë konstatojnë probleme në këtë fushë. Kjo vërehet edhe në praktikë. Viteve të kaluara në Maqedoni u mbyllën media, u arrestuan gazetarë, u sulmuan fizikisht gazetarë në disa raste. Këto incidente janë sulme të drejtpërdrejta ndaj lirisë së shprehjes”, thotë ai.

Sipas Arifit, ka shumë faktorë që ndikojnë në kufizimin e lirisë së shprehjes në Maqedoninë e Veriut. Si shtet i vogël, thotë ai, Maqedonia e Veriut nuk ofron treg atraktiv për mediat, kështu që shumica e pronarëve të mediave shpesh lidhen me interesa të ndryshme politike dhe oligarkike. Kështu pastaj, vë në dukje ai, zhvillohet autocensura dhe censura, ose kufizim i pjesshëm i lirisë së medias. 

“Megjithatë, duhet gjetur balanci ideal mes lirisë së shprehjes dhe ndalimit të lajmeve të rrejshme. Liria e shprehjes nuk është e pakufizuar, gazetarët janë të obliguar që lirinë e tyre ta shfrytëzojnë brenda kornizave të Kodit Etik. Gjetja e këtij balanci është sfidë edhe për vendet më të zhvilluara në një periudhë kur lajmet e rrejshme shihen si kërcënim për sigurinë e shteteve”, thekson Arifi.

 

LIRIA E SHPREHJES DHE KONVENTAT NDËRKOMBËTARE


Në vitet e fundit, në Republikën e Maqedonisë shumë diskutime për lirinë e të shprehurit të gazetarëve ishin të nxitura nga vetë gazetarët por edhe nga organizatat e shumta ndërkombëtare.

Edhe pse lëndët e para në të cilat Gjyqi i vendosi themelet në lidhje me principet dhe standardet për të drejtën e lirisë së të shprehurit kanë të bëjnë pikërisht me lirinë e të shprehurit të gazetarëve, në Republikën e Maqedonisë shumë pak hapësirë gjatë atyre debateve i ishte kushtuar praktikës së dëshmuar juridike në lidhje me shprehjen gazetareske. 

Edhe sot, duke pasur parasysh format bashkëkohore të transmetimit dhe përhapjes të informatave, veprimi ndaj gazetarëve, dhe nga ana tjetër ndaj gazetarëve në pajtueshmëri me etikën e gazetarëve, posaçërisht fitoi në peshë.

Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut çdo njeri e ka drejtën e shprehjes së lirë. Kjo e drejtë e përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë e pranimit dhe transmetimit të informatave ose ideve, pa ndërhyrje të autoriteteve publike dhe pavarësisht kufijve.

Realizimi i këtyre të drejtave, të cilat përfshijnë detyrime dhe përgjegjësi, mund të bëhet me formalitete, kushte, kufizime dhe sanksione të caktuara të parashikuara me ligj, të cilat në një shoqëri demokratike paraqesin masa të domosdoshme ndaj sigurisë së shtetit, integritetit territorial dhe sigurisë publike, mbrojtjes së rendit dhe parandalimit të trazirave dhe krimeve, mbrojtjes së shëndetit ose moralit, reputacionit ose të drejtave të të tjerëve, parandalimit dhe përhapjes së informatave të besueshme ose ndaj ruajtjes së autoritetit dhe paanshmërisë së gjyqësorit.

 

DHUNA MBI GAZETARËT E 24 DHJETORIT


Gjashtë gazetarë të Maqedonisë, para Gjyqit në Strasburg ngritën lëndë në lidhje me të drejtën e gazetarëve për të transmetuar informata me interes publik dhe gjykimit të padrejtë në lidhje me kërkesën e tyre për mbrojtje të kësaj lirie, shkaku se Gjyqi Kushtetues kishte vendosur sipas kërkesës së tyre për mbrojtje të lirive dhe të drejtave duke mos pasur diskutim publik.
Ky rast ka të bëjë me largimin e dhunshëm të këtyre dhe gazetarëve të tjerë nga galeria e Kuvendit, si hapësirë e caktuar për gazetarët të akredituar për raportim të punës të Kuvendit, prej nga kanë raportuar për seancën e Kuvendit më 24 dhjetor, të vitit 2012 kur  mbahej diskutim në Kuvend për Ligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Deputetët kanë pasur diskutim të gjatë dhe të tensionuar deri sa në të njëjtën kohë dy grupe antagoniste kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit.
Atmosfera e tensionuar ka arritur kulmin me prishjen e rendit në sallën e Kuvendit nga ana e deputetëve të cilët e kanë rrethuar kryetarin e Kuvendit dhe kanë bërë zhurmë duke trokitur mbi tavolinën e tij. Sigurimi e ka nxjerrë nga salla kryetarin e Kuvendit dhe ka filluar me largim të dhunshëm të deputetëve të opozitës dhe në të njëjtën kohë me largimin e gazetarëve nga galeria. Gjatë prishjes së rendit në sallë, gazetarët kanë qenë vëzhgues pasiv të cilët kanë ushtruar detyrën e vet dhe i kanë ndjekur ngjarjet. Ata as nuk kanë kontribuar e as nuk kanë marrë pjesë në prishjen e rendit në sallë dhe nuk kanë paraqitur kurrfarë kërcënimi për sigurinë publike. Gjatë ndërhyrjes të sigurimit të Kuvendit, një pjesë e gazetarëve kanë refuzuar ta lëshojnë galerinë ashtu siç e ka kërkuar sigurimi, por sjellja e tyre nuk rezultoi me çfarë do veprimi për akuzim për dhunë në këtë pikëpamje. Sigurimi i Kuvendit i ka larguar gazetarët nga galeria duke përdorur dhunë.
Gazetarët kanë kërkuar mbrojtje të lirisë së të shprehurit nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka refuzuar kërkesën e tyre edhe pse ka vlerësuar se largimi i tyre nga galeria e Kuvendit paraqet pengesë ndaj të drejtës të gazetarëve që të kryejnë punën e tyre pa pengesa.
Elementi i vetëm relevant në të cilin është mbështetur Gjykata Kushtetuese në përfundimin se ankuesit nuk kanë qenë të sigurt, ka qenë “se në sallë janë gjuajtur gjësende, dhe madje në drejtim të galerisë”. Me që nuk është mbajtur diskutim publik, gazetarëve iu është hequr mundësia që në mënyrë gojore t’i kontestojnë faktet në të cilët Gjykata Kushtetuese e ka mbështetur vendimin e saj në lidhje me rreziqet e sigurisë të gazetarëve.

 

  • Azra Imeri është studente e programit studimor Komunikimi Ndërkombëtar pranë UEJL-së

Të fundit