E shtunë, 5 Tetor, 2024

Rama padit Haradinajn për “shpifje”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka dorëzuar padi kundër kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Civile me datë 15.01.2020 ka pranuar padinë nga paditësi E.R kundër të paditurit R.H për kompensim dëmi për shkak të deklaratës shpifëse të supozuar nga paditësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në bazë të raportimeve në media, ka deponuar padi kundër tij në gjykatë.

“Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Të mërkurën, ueb-faqja Betimi për Drejtësi tha se ka siguruar padinë e Ramës, e cila është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Padia e Ramës, sipas Betimit për Drejtësi, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

“Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me [v.j.presidentin e Kosovës] Hashim Thaçin dhe [v.j.presidentin e Serbisë] Aleksander Vuciq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, raporton Betimi për Drejtësi.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar ende përmbajtjen e padisë së raportuar.

Haradinaj tha se “padia e kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë”.

“Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi Haradinaj në rrjetin social Facebook.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/1562839680507107

Ideja për shkëmbimin apo korrigjimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është përmendur për herë të parë në gusht të vitit 2018 nga Thaçi dhe Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

Ideja ka nxitur reagime për dhe kundër, si brenda Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.

Haradinaj, pas shpërfaqjes së kësaj ideje, është shprehur në favor të ruajtjes së kufijve aktualë të Kosovës dhe ka thënë se “nuk duhet të ketë kreativitet të ri në dizajnim e tyre”.

Rama, ndërkaq, u ka bërë jehonë deklaratave të zyrtarëve të atëhershëm të Komisionit Evropian se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë “nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit, por duhet t’i kontribuojë stabilitetit në rajon”.

/REL

Të fundit