E premte, 4 Tetor, 2024

Jetojmë shumë në të ardhmen, në kurriz të të tashmes

Oliver Burkeman

Pyetja e nënkuptuar në reflektimet që bëjnë shumë njerëz në fillim të janarit është: si kam për qëllim ta përdor – apo si duhet ta përdorim në mënyrë kolektive – vitin e ardhshëm? Ju mund të përgjigjeni: për t’u rikthyer në formë, për të gjetur një bashkëshort, ose për të fituar një milion dollarë duke u shitur idiotëve online, lakra virtuale. Ose mund të mendoni t’i përkushtoheni aktivizmit, apo edhe thjesht të ruani shëndetin mendor në këto kohë të vështira.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se të gjithë këta objektiva të ndryshëm fillojnë nga i njëjti supozim, aq themelor sa na shpëton të gjithëve: domethënë, mënyra më e mirë për t’u marrë me kohën është ta konsiderosh atë si diçka për t’u përdorur.

Por a është vërtet kështu? Problemi është se, nëse e konsiderojmë kohën vetëm si diçka për ta përdorur, ne përfundojmë duke jetuar të përqendruar përgjithmonë në të ardhmen. Sa më shumë që përpiqemi të nxjerrim diçka nga jeta, aq më shumë jemi të angazhuar emocionalisht, duke pritur momentin kur do ta arrijmë atë objektiv që, domosdoshmërisht, nuk është kurrë tani. Me fjalë të tjera, sa më shumë përpiqemi ta bëjmë jetën kuptimplotë, aq më e pamundur bëhet nxjerrja e një kuptimi për të tashmen.

Iluzioni i përjetësisë

John Maynard Keynes e ka shpjeguar fare mirë në një ese të famshme të vitit 1930 (në të cilën, duhet thënë, ai gjithashtu pretendote se në atë pikë të historisë njerëzit duhej të punonin vetëm 15 orë në javë). “Njeriu i përqëndruar në një objektiv,” shkruan ai, “gjithmonë përpiqet të sigurojë një pavdekësi të rremë dhe iluzore të veprimeve të tij, duke e projektuar interesin e tij përpara në kohë. Ai nuk pëlqen macen e tij, por kotelet që do të lindë; me thënë të vërtetën, madje as kotelet, por kotelet e koteleve, e kështu me radhë deri në pafundësi”.

Nëse ana pozitive e këtij qëndrimi është se ne mendojmë që kemi më shumë kontroll mbi jetën tonë, ana negative është se ne kurrë nuk e shijojmë atë.

Disa mësues spiritualë që i përmbahen filozofisë së “jo-dualiteteve”, do të shkonin më tej. Ata do të thoshin se vetë ideja e “përdorimit të kohës” bazohet në ndarjen iluzore, midis “nesh” dhe kohës që ne po përpiqemi të përdorim.

Nga një këndvështrim individual, gjithçka që ekziston në një moment të caktuar është vetëm ajo që ne po përjetojmë: një ndjesi gjilpërash që shpojnë në këmbë, pamja e tryezës së kuzhinës, alarmi që ra në rrugë, një farë acarimi i paqartë, nëse dikush na kërkon të marrim në konsideratë këto idetë e çuditshme të epokës së re. Pra, a nuk është pak e çuditshme të themi se disa nga këto perceptime jemi vetë ne, dhe prandaj duhet të vëmë në funksion perceptimet e tjera, në një farë mënyre, për ta përdorur kohën mirë? Pse mos ta lëmë mënjanë këtë ide stresuese?

Në librin mbi jo-dualitetin (e titulluar përsosmërisht) “Udhëzime të kondensuara në mënyrë radikale për të qenë ashtu si jeni”, Jay Jennifer Matthews e thotë troç: “Ne nuk mund të marrim asgjë nga jeta. Nuk ka asnjë vend ku mund ta marrim këtë gjë. Nuk është një xhep i vogël i vendosur jashtë jetës, të cilit mund t’i vidhnim furnizimet dhe t’i hiqnim mënjanë. Jeta që po jetojmë këtë moment është këtu, nuk ka një mjedis jashtë saj”.

Pjesërisht, më duhet ta them, kjo gjë më pëlqen sepse më kujton batutën e komikut Steven Wright: “Nuk mund të kem gjithçka. E ku do ta vija, po të kisha?” Por është edhe një tregues i qartë i faktit që, thellë-thellë, qëllimi i vetëm i pothuaj çdo gjëje, është vetë gjëja. / The Guardian – Bota.al

Të fundit