Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në një takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të biseduar për mandatarin, përkatësisht kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
Takimi ka nisur në orën 15:00 në zyrën e presidentit Thaçi.
Kurti, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, është kandidati i vetëm për kryeministër të vendit.
Para takimit me presidentin Thaçi, Kurti përmes një video-mesazhi tha se në këtë takim po shkon pa një marrëveshje për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk më është bërë e mundur një takim me kryetarin e LDK-së, para këtij takimi të sotëm me presidentin e shtetit. Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësuesi i juaj politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur”, tha Kurti.
https://www.facebook.com/albini2017/videos/471994037060189/
Ky takim vjen pas tri ftesave që presidenti Thaçi i ka dërguar Kurtit. Dy ftesat e para, të cilat i ka dërguar presidenti Thaçi, më 27 dhjetor të vitit 2019, janë refuzuar nga Kurti, ndërkaq ndaj ftesës së tretë të presidentit, të dërguar më 30 dhjetor, për një takim të mundshëm me 31 dhjetor në orën 10:00, Kurti sërish e kishte refuzuar takimin e propozuar për datën 31 dhjetor dhe kishte propozuar datën 6 janar për zhvillimin e takimit.
“Propozoj të takohemi të hënën, më 6 janar, në një orë të përshtatshme për ju”, i ishte përgjigjur Kurti presidentit Thaçi.
Më 31 dhjetor, presidenti Thaçi, gjatë një konference për gazetarë theksoi se më 6 janar do ta pres në zyrën e tij, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të biseduar për mandatarin për kryeministër.
“Unë mirëpres faktin që pas ftesës së tretë ka pranuar dhe i është përgjigjur ftesës sime”, ka thënë Thaçi.
Takimi ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, është paralajmëruar të mbahet në orën 15:00.
Në rast se në këtë takim, me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, presidenti i Kosovës e cakton mandatarin për kryeministër të vendit, atëherë fillon edhe rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.
Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.
Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të kuvendit.
Megjithatë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, më 30 dhjetor ka thënë se pret që pas konstituimit të Kuvendit, fokusi të drejtohet “në bërjen e koalicionit qeverisës”.
“Çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Më 3 janar, Vjosa Osmani, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se më 6 janar do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, për të diskutuar lidhur me “rrethana e reja”.
“Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri, por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen”, ka thënë Osmani.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar për ditën e hënë mbledhjen e Grupit Parlamentar të saj dhe të Kryesisë së partisë.
Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të të dy partive.