E shtunë, 27 Korrik, 2024

“KTHETRAT” E POPULLIZMIT, HORIZONTI I DEFINIMEVE

Sipas studiuesit Jan-Werner Müller, popullizmi është pjesë e pandashme e demokracisë moderne. Popullizmi mbetet një hije e vazhdueshme e demokracisë përfaqësuese, një fëmijë jashtë kurorës martesore ose një sëmundje që e gërryen përbrenda demokracinë. Popullizmi nuk ofron alternativë ideologjike tërheqëse për demokracinë. Përkundrazi, popullistët përdorin premtimet e paplotësuara të demokracisë dhe “gjuhën e vlerave demokratike” për të deformuar demokracinë.

Autor: Bardhyl Zaimi

Viteve të fundit gjithnjë e më tepër në skenën publike po shfaqet popullizmi si mënyrë e funksionimit politik, por edhe si strategji për të kërkuar dhe përvetësuar një legjitimitet absolut shpeshherë në kundërshtim me idenë e pluralizmit politik. Në fakt, sipas teoricienëve, popullist konsiderohet një politikan që pohon se përfaqëson 100 përqind të qytetarëve, ndërkohë që nuk e pranon legjitimitetin e aktorëve tjerë që pohojnë se përfaqësojnë legjitimitetin e po atyre qytetarëve.

Jan-Werner Müller-i vlerëson se popullizmi nuk mund të kuptohet në rrafshin politik për shkak se është një mënyrë specifike e të kuptuarit të politikës. Muller-i në librin e tij “Ç’është popullizmi”, identifikon tre teknika populliste të qeverisjes: “okupimin e shtetit, klientelizmin masiv dhe heshtjen e shoqërisë civile”. Muller-i, gjithashtu thekson se gjatë definimit të fushëveprimit të popullizmit duhet të shmanget terminologjia “ demokraci joliberale”, ndërkohë që sugjeron përdorimin e definimit “ demokraci e gabuar”.

Përkundër faktit që Muller-i, shpjegon joshjen e popullizmit, duke e kritikuar atë, ai më tej sugjeron një qasje konstruktive. “Mundet që seriozisht t’i kuptojmë pretendimet e tyre politike dhe jo t’i marrim si të mirëqena”. Së këndejmi, thekson ai, politikanët dhe mediat duhet të merren me çështjet që i ngrenë popullistët dhe jo t’i kundërshtojnë. Ai sugjeron që votuesit që votojnë popullistët nuk duhet të çregjistrohen, sepse të zgjedhurit e tyre, megjithatë vijnë në pushtet përmes mekanizmit të demokracisë parlamentare.

Sipas tij, popullizmi është pjesë e pandashme e demokracisë moderne. Popullizmi mbetet një hije e vazhdueshme e demokracisë përfaqësuese, një fëmijë jashtë kurorës ose një sëmundje që e gërryen përbrenda demokracinë.

Popullizmi nuk ofron alternativë ideologjike tërheqëse për demokracinë. Përkundrazi, popullistët përdorin premtimet e paplotësuara të demokracisë dhe “gjuhën e vlerave demokratike” për të deformuar demokracinë. Sipas këtij autori, ” të ashtuquajturat elita liberale janë të moderuara dhe të paafta për të realizuar idealet e tyre demokratike”. Prandaj, shumë prej argumenteve të Muller-it janë një thirrje për një rivendosje të demokracisë, e cila duhet të rishqyrtojë parimet e veta. Përfundimi themelor mbetet se popullizmi mund të kundërshtohet vetëm nga një qasje gjithëpërfshirëse duke përdorur mjete të qarta politike.

Pavarësisht eksplorimi profesional mbi popullizmin, duket se studiues të tjerë e lënë të hapur mundësinë e interpretimeve tjera më të thella mbi këtë dukuri të mjegullt që tashmë po merr përmasa në gjithë globin. Autorë të tjerë vërejnë se libri i Muller-it mund të përshkruhet si një përpjekje polemizuese kundër popullizmit dhe jo si një përpjekje thelbësore kërkimore që synon të sqarojë peizazhin e mjegullt rreth këtij koncepti. Sidoqoftë, përkundër mangësive në argumentime të Muller-it, libri i tij mbetet i rëndësishëm për t’u lexuar nga kushdo që studion popullizmi, ligjërimin politik dhe ideologjitë politike, për të ekzaminuar kështu idetë “kryesore” antipopulliste, duke analizuar edhe pasojat politike.

Sidoqoftë, Muller arrin që të japë definime interesante mbi popullizmin, të cilat në esencë e përkufizojnë natyrën e popullizmit përgjithësisht, ashtu siç shfaqet anembanë botës, por edhe në shtetet e brishta të gadishullit tonë. “Popullizmi është një sajim partikular dhe moralist i politikës, një mënyrë për të perceptuar botën politike që vendos një moralitet të pastër dhe plotësisht të unifikuar”, thekson Muller-i. Sipas tij, popullizmi nënkupton njerëz që veprojnë kundër elitave që konsiderohen të korruptuar ose në një mënyrë tjetër moralisht inferiore. “Është një kusht i domosdoshëm por jo edhe i mjaftueshëm për të qenë kritik ndaj elitave në mënyrë që të kualifikohet si popullist.

Përndryshe, kushdo që kritikon status quo-n, në çdo vend do të ishte me përkufizim një popullist. Përveç që janë antielitist, popullistët janë gjithmonë antipluralistë: popullistët pretendojnë se ata, dhe vetëm ata, përfaqësojnë popullin”. thekson Muler në librin e tij.

Edhe autorë të të tjerë e vënë theksin mbi kundërvënien ndaj elitave, por duke sjellë edhe aspekte tjera të popullizmit. Përgjithësisht popullizmi shihet si besim se vullneti i qytetarëve të rëndomtë duhet të mbizotërojë mbi atë të elitave të privilegjuara. Pikërisht për këtë qëllim popullistët gjithnjë shfrytëzojnë pakënaqësinë e njerëzve të margjinalizuar.

Në studime tjera që ndalen në modelin arketipal popullizmi shihet si një fenomen politik dhe shoqëror që buron nga njeriu i zakonshëm, tipik jo i arsimuar mirë, i cili ushqehet me boshllëqe pasurie dhe mundësish, me perceptimin e kërcënimeve kulturore në raport me vlerat e ndryshme në vend dhe nga të huajt, me idenë e “elitave që vendosin” në pozitat e pushtetit, dhe me idenë e qeverisë që nuk është duke punuar në mënyrë efektive.

Pikërisht, kjo ndjenjë mundëson që elektorati të zgjedhë udhëheqës të fortë me shumë fuqi.
Udhëheqësit popullistë zakonisht janë konfrontues dhe jo bashkëpunues, ekskluziv dhe jo dhe gjithëpërfshirës. Si rezultat i kësaj, konfliktet zakonisht ndodhin midis fraksioneve kundërshtare, zakonisht e majta ekonomike dhe sociale përkundrejt të djathtas. Këto konflikte zakonisht bëhen në mënyrë progresive. Brenda vendeve, konfliktet shpesh çojnë në çrregullime, p.sh. në greva dhe protesta, të cilat shkaktojnë reagime të forta dhe presion në rritje për të rifituar me forcë rendin, duke shtypur palën tjetër.

Ndikimi dhe në disa raste, kontrolli i mediave zakonisht bëhet një aspekt i rëndësishëm i përfshirjes në konflikte. Në disa raste, këto konflikte kanë çuar në luftë civile. Konflikte të tilla kanë krijuar paradoksin që disa demokraci të kthehen në diktaturë për të vendosur rendin në çrregullimin që vjen nga këto konflikte.
Me fjalë të tjera, popullizmi është një rebelim i njeriut të zakonshëm kundër elitave dhe, në një farë mase, kundër sistemit. Shumica e studiuesve pajtohen me politikologun, Cas Mudde, sipas të cilit, në thelb popullizimi është një formë e predikimit politik mbi përzierjen e një elite të korruptuar me një moral të virtytshëm. Ndërkohë një klasifikim binar moral është i zakonshëm për të gjithë retorikat populiste. Mudde konsiderohet si një ndër autorët që në esencë e ka definuar popullizmin. Sipas një thjeshtëzimi të teorisë së tij popullizmi është “ ideologji që e ndan shoqërinë në dy tërësi antagoniste; populli i thjeshtë dhe elitat e korruptuara dhe se politika duhet të jetë shprehje e vullnetit të popullit”.
Studimet mbi popullizmin në Europë janë shfaqur në vitet e 60-të të shekullit të kaluar. Përgjithësisht këto studime janë shfaqur pikërisht kur tashmë në Europë po shfaqeshin shenjat e para të një popullizmi djathtistë në esencë. Brenda kohës janë bërë shumë studime mbi popullizmin, sidomos mbi ndërveprimin me fushën e politikës dhe të demokracisë. Mes shumë definimeve mund ta veçojmë edhe atë të Jansen-it, i cili popullizmin e definon si “formë e mobilizimit politik në kuadër të të cilit insistohet të mobilizohen margjinat e shoqërisë dhe nga to të krijohet fuqi politike, duke shfrytëzuar në këtë rast retorikat nacionaliste dhe protointelektuale që madhështojnë njerëzit e zakonshëm”.

Disa autorë të tjerë vlerësojnë se popullizmi duhet trajtuar si diskurs ose stil politik, i cili është tipar i grupeve të ndryshme politike dhe shoqërore. Debati mbi popullizmin akoma mbetet i hapur, por në esencë definimet e përmendura mbeten bazike mbi këtë fenomen që në të shumtën e rasteve mbetet jashtë orbitës së politikës, duke kërkuar fuqinë me çdo kusht nëpërmjet diskurseve agresive mobilizuese.

Meqë jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme, pikërisht këto diskurse populliste lehtësisht mund të dallohen. Jo njëherë edhe në Maqedoninë e Veriut janë shfaqur “kthetrat” e popullizmit që kanë prodhuar situate të mjegullta dhe të pa perceptueshme përgjatë një periudhe të caktuar.

 

Të fundit