E shtunë, 27 Korrik, 2024

PËRNDRITJE KULTURORE NË PEIZAZHIN E ZYMTË

Mbetet për t’u veçuar për këtë vit fillimi i funksionimit të Teatrit të Gostivarit, me shfaqjen e premierës “Nathani i urtë”, i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedon, i cili sivejt nisi rrugëtimin e tij artistik, shënimi i 70 vjetorit të SHKA “Xheladin Zeqiri”-Tetovë, që mbetet një kujtesë trashëgimie identitare, por edhe një shkollë dhe vlerë e përhershme artistike. Një ngjarje tjetër kulturore që duhet të veçohet për këtë vit mbetet gjithashtu shfaqja e operës së parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut “ Skënderbeu”.

Autor: Bardhyl Zaimi

Viti që lëmë pas ka qenë i rëndë dhe me shumë situata të trishta. Skena politike ka ripërsëritur narracionet e njëjta, ndërsa vonesat kanë rënduar mbi kurrizin e qytetarëve, mbi shpresën e tyre se do të bëhet më mirë. Përkundër shumë premtimeve të politikës, jeta e qytetarëve të rëndomtë ka vazhduar të përballet me problemet e përhershme ekzistenciale, të cilat barten nga një vit në tjetrin. Në gjithë planimetrinë e jetës institucionale janë manifestuar dobësi, të cilat kanë reflektuar negativisht në konsilidimin e jetës sociale të qytetarëve.

Improvizimet e përhershme mbeten variante të ripësëritshme të një logjike që njeh demagogjinë, por jo edhe mbrothësinë e projektuar në koordinatat e vlerave dhe standardeve europiane, pjesë e të cilave ka kohë që pretendojmë të jemi. Politika, qeveria, zakonisht injekton optimizëm dhe të arrituar të paqena, ndërkohë që në të gjitha fushat e jetës institucionale dhe shoqërore janë shfaqur defekte funksionimi, ngadalësi, keqpërdorime dhe kaos në krijimin dhe implementimin e politikave gati në të gjitha fushat.

Peizazhi i zymtë i këtij viti vjen i shtresuar me ndryshkun institucional dhe shoqëror përgjatë më tepër se dy dekadash. Janë shtresëzime dekompozimi që janë bartur nga një qeveri në tjetrën, nga një improvizim politik në tjetrin. Edhe sivjet, sikundër edhe përgjatë shumë viteve tjera, realiteti i papërballueshëm i ekzistencës është përballur me hiper-realitetin të krijuar nga politika. Ka qenë një dyluftim që ka lënë pas shumë fate të sakatuara njerëzish dhe shumë shpresa të ngrira.

Sidoqoftë, jo gjithçka mbetet zi në këtë peizazh të jetës institucionale që po lëmë pas. Janë do përparime që me shumë ngërçe kanë gjetur mbarështrim në planimetrinë e jetës institucionale dhe përgjithësisht shoqërore. Pavarësisht nga shumë defekte, viteve të fundit është shënuar një progres në përbrendësimin e një matrice që përafron me vlerat dhe standardet europiane. Janë përparime të vogla, por që realisht shënojnë një hop cilësor në promovimin dhe zbatimin e praktikave të rekomanduara nga BE.

Padyshim, jeta kulturore, funksionimi institucional i kulturës mbetet një dimension shumë i rëndësishëm i ekzistencës njerëzore. Pavarësisht nga kundërvëniet që mund të krijohen me realitet sociale, jeta kulturore gjithnjë i ka ligjësitë e veta, të cilat funksionojnë në dimensione tjera jashtë predispozitave që mund t’i imponojë realiteti i zymtë. Kultura mbetet kryeshtyllë e hapësirës politike dhe demokratike. Pavarësisht nga shumë anomali, gjatë vitit që po lëmë pas mund të veçohen disa nisma, ngjarje kulturore, që realisht shënojnë një hap cilësor dhe kreativ në konsolidimin e jetës kulturore te shqiptarët, si kujtesë dhe si produksion institucional.

Mbetet për t’u veçuar në këtë rast fillimi i funksionimit të Teatrit të Gostivarit, shfaqja e premierës së parë “Nathani i urtë”, i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedon, i cili sivejt edhe nisi rrugëtimin e tij artistik, shënimi i 70 vjetorit të SHKA “Xheladin Zeqiri”-Tetovë, që mbetet një kujtesë trashëgimie identitare, por edhe një vlerë e përhershme artistike. Një ngjarje tjetër kulturore që duhet të veçohet për këtë vit mbetet gjithashtu shfaqja e operës së parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut “ Skënderbeu”.

Padyshim janë edhe me dhjetëra ngjarje tjera nga sfera kulturës, që secila me autenticitetin dhe kreativitetin e vetë i kanë dhënë jetës kulturore një dinamikë të re konsolidimi. Janë shënuar ndërkohë edhe shumë suksese individuale, të cilat flasin për një potencë artistike dhe kulturore. Brenda këtij viti jeta kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është afirmuar edhe nëpërmjet festivaleve të teatrit, filmit, poezisë, por edhe nëpërmjet shumë ekspozitave. Gjithashtu në Qendrën Informative Kulturore në Shkup kanë promovuar librat e tyre disa autorë shqiptarë.
Mes pamjaftueshmërisë dhe këmbënguljes jeta kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka reflektuar vlera të mirëqena, ka reflektuar substancën e vetë kreative, e cila duhet mëkuar edhe mëtej nëpërmjet politikave të mirëfillta kulturore dhe protagonistëve që kërkojnë të pushtojnë hapësira të reja institucionale, që kanë kuptim për vlerat kulturore dhe gjithë atë që nënkupton mbrothësi krijuese.

Të fundit