E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Këndvështrime të ndryshme për anulimin e procesit të lustrimit

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të shpallur të pavlefshëm procesin e lustrimit, ka shkaktuar reagime të shumta, disa e kanë mbështetur propozimin e qeverisë që duhet të kalojë në Kuvend, ndërsa të tjerët kanë dalë kundër duke e vlerësuar madje edhe si skandaloz.

Komisioni për verifikimin e fakteve, një komision qeveritar, që nga viti 2009 deri në vitin 2015 kishte shpallur bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit rreth 200 personalitete të ndryshme si ish-politikanë, zyrtarë të mëparshëm, gazetarë, profesorë, e figura tjera të jetës publike.

Ky proces atë kohë kishte shkaktuar tronditje të mëdha pasi ishte vlerësuar si hakmarrje e pushtetit të qeverisë së kaluar të VMRO-DPMNE-së ndaj të gjithë atyre që kritikonin punën e qeverisë.

Një ndër ta ishte edhe profesori Sefedin Haruni, i cili për shtatë vjet me radhë ka bredhur instancave gjyqësore, që më në fund drejtësinë ta arrijë në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Strasburg, e cila e shpalli të pafajshëm, ndërsa e obligoi shtetit që t’i paguajë një dëmshpërblim prej pesë mijë eurosh.

“Lustrimi ishte në një mënyrë proces i montuar për largimin e njerëzve nga skena politike. Jam habitur se si ka mundur që të gjithë kundërshtarët e Thaçit (Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së) të lustrohen. Janë lustruar edhe njerëz të vdekur. Qeveria e vonoi këtë proces, por unë gjithmonë kam qenë i sigurt se ky proces mund të vonojë, por në fund do të dalë e vërteta pasi nuk ka as dosje, as dokumente, e asgjë tjetër”, thotë Sefedin Haruni.

Nga qeveria presin që propozimi do të miratohet pa problem në kuvend dhe se me këtë do të përmirësohet një padrejtësi e madhe që i është bërë personave të lustruar apo të shpallur me pa të drejtë si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

“Është e qartë se ishte bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve. Për fat të keq, ne edhe sot e kësaj dite po paguajnë për pasojat që shkaktoi regjimi i kaluar. Proceset e porositura nga e ashtuquajturi ‘lustrim’ do të mbeten vetëm një kujtim i keq i regjimit”, ka deklaruar Kostadin Kostadinov, deputet i social-demokratëve të kryeministrit, Zoran Zaev.

Por, nga opozita kanë thënë se ky vendim është absurd pasi sipas VMRO-DPMNE-së me këtë i bëhet një padrejtësi e madhe të gjithë atyre personave që ishin viktima pikërisht të spiunëve të shtetit.

“Anulimi i lustrimit nënkupton rrënimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Kjo procedurë nuk më befason, por më shqetëson, pasi kjo lë hapësirë për çdo qeveri në të ardhmen të miratojë dhe anulojë zgjidhje sistematike që do të kenë pasoja të rënda mbi gjyqësorin. Kjo nuk është gjë tjetër pos banditizëm dhe diletantizëm. Janë gjëra të tmerrshme, ata nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që po i shkaktojnë sistemit të drejtësisë ”, thuhet në një reagim me shkrim të Tome Adziev, i cili ishte kryetar i Komisionit për verifikimin e fakteve, i propozuar atë kohë nga VMRO-DPMNE-ja.

Sipas propozim-ligjit të qeverisë, personat e dëmtuar nga procesi i lustrimit do të kenë të drejtën e kërkimit të dëmshpërblimit për pasojat që kanë përjetuar, duke ngritur padi përpara gjykatave kompetente në Maqedoninë e Veriut.

Procesi i lustrimit ishte ndërprerë në shtator të vitit 2015 pas kritikave në opinion, në veçanti pas raportit të grupit të ekspertëve të Bashkimit Evropian, i kryesuar nga Rainhard Pribe, në të cilin kishte vërejtje të shumta mbi këtë proces duke e vlerësuar si masë për luftimin e kundërshtarëve politikë.

Të fundit