E diel, 13 Tetor, 2024

Gëzuar 2020: të na vjedhin më pak e të përgjigjen më shumë!

Autor: Sefer Selimi Jr.

Fundi i vitit bashkë me euforinë e festave sjell edhe mundësinë për të bërë rikapitullimin e ngjarjeve, sukseseve dhe dështimeve në vitin që lamë prapa. E gjithë kjo nuk do të kishte ndonjë kuptim në qoftë se të gjitha atyre që i lamë prapa nuk u ngjisim edhe shpresën se viti që vjen do të jetë më i mirë se ky para tij. Por cilat do të jenë sfidat e vitit të ardhshëm:

1. Samiti i Tetorit ishte një thikë pas shpine nga Franca mbi aspiratat e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Prilli i 2020 është një shans i ri që samiti i Zagrebit të sjell lajme të mira për fillimin e negociatave për anëtarësim. Megjithëse ky rrugëtim do të jetë shumë i gjatë dhe përplot sfida, një proverb kineze thotë: ‘’edhe rrugëtimi më i gjatë fillon me një hap’’, prandaj të uroj që ky hap të hidhet në këtë fillimdekade.

2. Prokuroria Speciale, tempulli i besimit që u ngit mbi shpresën se përfundimisht në Maqedoninë e Veriut do të ketë përgjegjësi për politikanët që keqpërdorën besimin e dhënë nga qytetarët, u rrënua si kulla e letrave nga vetë titullarja e saj. Në vend që hajdutët me kollare që vodhën qytetarët të përfundojnë pas grilave, në burg përfundoi kryeprokurorja speciale e cila nga babëzia e saj u lëshua në aventurat e atyre që i ndiqte. Ligji për Prokurinë Publike është në labirinthet burokratike të Kuvendit dhe aktualisht shërben si mish për top në kacafytjet ditore mes partive politike. Uroj që me fillimin e vitit të ri përfundimisht të kemi zgjidhje të qëndrueshme për institucionin i cili duhet të ndaj të keqin nga i miri.

3. Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe shumë shtete të tjera, ishte eksportuese e luftëtarëve të huaj terrorist në luftën makabre në Siri dhe Irak, ku një grup terrorist keqpërdori dogmën fetare për të ndjell vrasje e masakra mbi civilët. Nga shteti ynë u larguan drejt kësaj lufte 154 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre humbën jetën atje, por mbi 80 persona janë kthyer në ndërkohë që mbi 20 të tjerë janë ende në kampet e menaxhuara nga kurdët, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Rikthimi dhe risocializimi i tyre do të jetë sfidë si për institucionet vendore ashtu edhe për komunitetet ku ata duhet të rikthehen. Aktualisht Maqedonia e Veriut nuk ka një program gjithëpërfshirës për riintegrimin e tyre. Uroj që me fillimin e vitit të ri, rikthimi i tyre t’i gjej me një program i cili nuk do t’i trajtoj vetëm nga aspekti i kërcënimit të sigurisë publike por edhe nga aspekti i deradikalizimit, riintegrimit dhe trajtimit psikosocial.

4. Prilli i 2020 duhet të shënoj edhe një palë zgjedhje parlamentare për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithëse të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme këto do të kenë një rëndësi historike për zhvillimin e vendit. Këtë vit do të përcaktojmë nëse jemi mjaftueshëm të pjekur për të diskutuar mbi të ardhmen ose meritojmë të kthehemi në spiralen e përplasjeve mbi të kaluarën. Uroj që në vitin 2020, qytetarët e Maqedonisë së Veriut të zgjedhin më të mirën për veten e tyre.

5. Një gjë është e sigurtë, Viti i Ri 2020 do të sjell problemin e vjetër – korrupsionin! Uroj që në 2020 të na vjedhin më pak e të përgjigjen më shumë!

Të fundit