Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias dënoi miratimin e Paketës ligjore Anti-Shpifje në Parlamentin e Shqipërisë të mërkurën. Gazetarët thonë, se ndryshimet në prag të votimit nuk ndryshuan thelbin e paketës.
Paketa ligjore Antishpifje mori votat e 82 deputetëve të maxhorancës parlamentare socialiste përballë 13 votave kundër, 5 abstenimeve dhe 5 deputetëve që nuk votuan në mbrëmjen e të mërkurës, (18.12.2019). Autoriteti i Mediave Audio-Vizuale,(AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare,(AKEP) kanë tash e tutje pushtetin që i jep ligji për të vepruar ndaj mediave tradicionale dhe atyre të reja, kur konkludojnë se kanë shpifur ndaj individit dhe kanë cënuar reputacionin dhe dinjitetin e tij.
Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias e dënoi menjëherë miratimin e Paketës Antishpifje. “Dënojmë ndryshimet e ligjeve të medias që sapo u votuan në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet kozmetike të bëra në minutën e fundit nuk adresojnë të gjitha shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe znj. Dunja Mijatoviç”, theksohet në deklaratën e kësaj qendre.
Komisionerja e Lartë e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç i konsideroi dy projektligjet e Paketës Antishpifje në prag të miratimit të tyre në Parlament si ”shkelje të standarteve europiane të të drejtave të njeriut, që kanë nevojë urgjente për përmirësim. Shumë nene nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Jam në veçanti e shqetësuar për fuqinë që u jepet organeve rregullatore për të imponuar gjoba të tepërta dhe për të bllokuar faqe interneti pa një urdhër gjykate, si dhe për vendosjen e rregullimit shtetëror ndaj medias online, gjë që mund t’i japë një goditje të fortë lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në vend,” u shpreh ajo në deklaratën e saj.
Pritet qëndrimi i Presidentit Meta
Që paketa anti-shpifje me dy ligjet e saj të hyjë në fuqi, duhet që ajo të dekretohet nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Për komunitetin e gazetarëve ndryshimet e bëra në prag të votimit të dy projektligjeve, nuk ndryshojnë thelbin e paketës, që i jep fuqi dy enteve vetërregulluese të medias AMA dhe AKEP të gjobisin dhe mbyllin portale online, pa hapësirë për të pezulluar gjobën, kur do t’i drejtohen një gjykate.
Para miratimit të paketës, Presidenti Meta u doli në krah komunitetit të gazetarëve dhe organizatave të tyre që e konsiderojnë paketën “cënim të lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri” pasi sipas tyre paketa antishpifje i hap dritën e gjelbër qeverisë për të censuruar mediat online. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, bëri mbrëmë me dije se, “Presidenti do të shprehet në kohën e duhur, pa u ndikuar nga askush përveç Kushtetutës dhe ligjit. Pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues, Presidenti Meta do të ndërtojë një proces shterues ligjor dhe do t’i njohë qytetarët me qëndrimin e tij përfundimtar”.
Shqetësim për shkelje të standarteve ndërkombëtare
Në Kushtetutën e Shqipërisë garantohet me ligj liria e shprehjes. Por për komunitetin e gazetarëve, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe disa organizata ndërkombëtare, paketa ligjore antishpifje e sapomiratuar e cënon këtë të drejtë. Miratimi i paketës anti-shpifje u parapri nga protestat e komunitetit të gazetarëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile në Shqipëri dhe objeksionin e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian, (KE) për shkelje të standarteve ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në Shqipëri. KE kritikoi Paketën Antishpifje duke iu drejtuar “hapësirës së vlerave europiane, ku nuk mund të ketë rregullim të medias në internet apo në shtyp, pasi rregullimi është i pranueshëm vetëm për radiot dhe televizionet”. Në deklaratën e KE u bëhet thirrje autoriteteve të Shqipërisë të marrin në konsideratë komentet e OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës për të siguruar “përputhshmërinë me standardet europiane në fushën e lirisë së shprehjes që përfshijnë kufizimin e qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online, promovimin e vetë-rregullimit, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave lidhur me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend.”
Kryeministri Rama i mbrojti projektligjet në Parlament duke iu referuar modeleve të vendeve të BE për legjislacionin ndaj mediave online. Ai theksoi, se paditë e veta për shpifje do t’i bëjë tek gjykatat dhe jo tek AMA. Rama tha mbrëmë, se përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ata të Këshillit të Europës nuk i kanë lexuar 2 projektligjet në fjalë dhe reagimi i tyre bëhet nën presionin e “organizatave të rreme, fallco” duke aluduar organizatat e gazetarëve që protestuan të mërkurën para Parlamentit. Përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE, Harlem Desir, deklaroi në prag të votimit në Parlament se, “kishte bashkëpunuar me kryeministrin Rama, deri në minutën e fundit, për t’i sjellë draftet në standardet ndërkombëtare”.
Çfarë parashikojnë dy ligjet e Paketës Antishpifje?
Ato nxjerrin paraprakisht jashtë loje gjykatat. Dy ligjet i japin kompetenca ligjore Këshillit të Ankesave brenda AMA-s të gjykojë përmbajtjen e mediave online, të vendosë gjoba që duhen paguar menjëherë dhe të heqë përmbajtjen e kontestuar nga faqet online, pa një vendim gjykate. Këshilli i Ankesave merr kështu kompetenca për të vepruar si një gjykatë, kur vjen puna në vlerësimin e ankesave dhe pretendimeve për publikime, të kontestuara si shpifje në median online. Ai merr të drejtën t’i drejtohet AKEP-it që të vendosë në faqet e portalit pop ups, ku shkruhet, se portali në fjalë ka shpifur apo që të mbyllë aksesin në territorin e Shqipërisë përmes adresimit tek ISP, (Internet Service Providers) që veprojnë në Shqipëri, si Vodafon, AMC apo Albcom.
Gjobat, që duhen paguar menjëherë, shkojnë deri në 800 mijë lekë për shkelje që konstaton AMA, kur media nuk reagon ndaj konstatimeve të Këshillit të Ankesave të AMA. Mediat online detyrohen të paguajnë gjobat, ato mund të ankohen në bordin e AMA ose në një gjykatë, por kjo nuk pezullon pagesën e menjëhershme të gjobës apo mbylljen e aksesit të publikut në territorin e Shqipërisë në faqet e tyre. Kryetari i Unionit të gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa tha të enjten për DW, se i janë drejtuar presidentit, Ilir Meta për të mos e dekretuar miratimin në Parlament të Paketës Antishpifje. Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.