E premte, 26 Korrik, 2024

Skenari i zënkave të BDI-së në shtratin e koalicionit

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Fërkimet e fundit publike mes partnerëve të koalicionin qeverisës BDI dhe LSDM po risjellin në skenën politike kujtesën e skenarëve të njëjtë mes koalicionit paraprak të BDI-së me VMRO-DPMNE. Simptomatike janë sjellja dhe veprimet e BDI-së, një dinamikë e zhvillimi të ngjarjeve të cilën e kemi parë sa herë që afroheshin zgjedhjet qofshin lokale, parlamentare apo presidenciale. Ta rikujtojmë skenarin e zhvillimit të ngjarjeve gjatë zgjedhjeve parlamentare. Dhe ky skenar zhvillohej kështu: 

  1. Pas përfundimit të zgjedhjeve ngriteshin pritshmëritë për kulaçin e pushtetit. Negociatat zhvilloheshin të mbuluara nga teoritë e konspiracionit dhe në dukje shumë të tensionuara. Kjo zgjatej deri në afatet e fundit për të ndërtuar shumicë parlamentare dhe në përfundim trumbetoheshin fitoret e arritura në tavolinën e negociatave për poste ministrore, projekte infrastrukturore dhe tek-tuk ndonjë marrëveshje ‘’e madhe për çështjen kombëtare’’. Të njëjtën nga ana tjetër e bënte VMRO-DPMNE por me narrativin si mbrojtëse e ‘’shtetit maqedonas’’ nga ambicia e shqiptareve për tua marrë pushtetin. 
  2. Me të ndarë postet mes degëve të partisë dhe pas menaxhimit të pakënaqësive të ngelura brenda partiake për hisen e marrë në proporcion me numrin e votave të sjella për partinë, gjërat ecnin lehtë. Rehatoheshin ministrat, drejtorët dhe funksionarët në karriget e pushtetit pa çarë kokën shumë e shumë mbi kritikat e shumta të publikut. 
  3. Kur zhvillimet politike fillonin të jenë jostabile nga ndonjë faktor i tretë jashtë qeverisë dhe në horizont fillonin të dukeshin shenjat e para të zgjedhjeve të parakohshme, puna bëhej intensive për fillimin, përmbylljen e planifikim e projekteve kryesisht infrastrukturore. Fillonte debati për tema të rëndësishme mbi investime kapitale dhe çështje të rëndësishme për shqiptarët. 
  4. Papritmas një krizë e thellë në qeveri. Zakonisht kjo krizë duhej të jetë tepër emocionale, të prek thellë në ndjenjat e çdo qytetari dhe doemos të jetë e domenit etnik. Automatikisht ndaheshin rolet mes partnerëve dhe secili merrte rolin e mbrojtësit ‘’të të vetëve’’. Përplasjet ishin frontale, pa pardon mes përfaqësuesve të lartë partiak ndërkohë që liderët nga distanca mbronin qëndrimet partiake pa hyrë në përplase individuale. Për shembull: Ligji i ‘’Branitellave’’, ‘’Regjistrimi i popullatës‘’, ‘’Zgjedhja e presidentit konsensual’’ e plot të tjera. 
  5.  …. dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Fillonte fushata në të cilët të dy partnerët krijonin programe voluminoze parazgjedhore por tema që e dominonte atë rridhte nga ‘’përplasja’’ e fundit mes partnerëve në shtratin e koalicionit. Ne kundër atyre duke thurë lavdet për mbrojtjen e interesave, rritjen e kërkesave dhe avancimin e statusit juridiko-shoqëror, plotë tupanë e çifteli në pravijën e këngëve përcjellëse të fushatës. Ah po edhe NATO, EU – UÇK, UÇK, UÇK.
  6. Rifillo nga pika 1. 

Aktualisht jemi në pikën 3 të këtij skenari dhe po hyjmë ngadalë por sigurt në pikën 4. Shpesh herë kur diskutoj me aktivistë të BDI-së mbi ndryshimet dhe reformat partiake, përfshirë edhe zëvendësimin e liderit Ali Ahmeti, diskutimi përfundon me aksiomën: Ekipi që fiton – nuk ndryshohet. Me ç’duket edhe skenari që fiton – nuk ndryshohet por i njëjti bëhet monoton dhe intervenimet e vogla në të’ nuk mund të sjellin freskinë që kërkojnë shikuesit, lexo: votuesit. 

Aktualisht BDI pretendon që është në proces të reformimit dhe në krijimin e ‘’BDI-së së 20 viteve të ardhshme’’. Do të ngelet të shohim nëse me vete do ta merr skenarin e vjetër apo do të hap rrugë për  ide dhe veprime politike të reja.  

Të fundit