E shtunë, 27 Korrik, 2024

Përplasje rreth procesit ndaj organizatës “Syri i Popullit”

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u paraqit të mërkurën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për të dëshmuar kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndaj të cilëve ka ngritur edhe një kallëzim penal për siç thuhet “deklarim të rrejshëm nën betim”.

Zoti Kurti tha pas dëshmisë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e kanë akuzuar lëvizjen Vetëvendosje, vetë atë dhe Glauk Konjufcën, si pjesë e organizatës së ashtuquajtur “Syri i popullit”, pjesëtarë të së cilës akuzohen për planifikim të vrasjes së një numri veprimtarësh politikë, të cilët sipas akuzës, organizata i cilësonte tradhtarë.

Më në fund ne fituam këtë thirrje nga Prokuroria e Shtetit dhe më vjen mirë që sot pata rastin që të përgjigjem në të gjitha pyetjet e prokurores e cila e ka marr këtë kallëzim penal dhe të cilin unë kërkoj që të shndërrohet në aktakuzë ndaj zotit Thaçi dhe zotit Veseli dhe në këtë mënyrë të mundësohet një proces i drejtë për deklarimet e rreme nën betim që i kanë dhënë këta të dy. Ky proces unë besoj se duhet të përfundoj me dënimin e këtyre dy të dyshuarve dhe gjithashtu unë kam bërë edhe kërkesën për zhdëmtim, kërkesën pasurore-juridike”, tha zoti Kurti.

Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha sot pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit, se dëshmia e zotit Kurti është përpjekje për t’i ikur të vërtetës.

Është tentativë e dyfishtë, po e përsërisë, njëherë paaftësia për krijuar premtimin që e kanë pasur para qytetarëve të vendit lëvizja vetëvendosje dhe e dyta, “Syri i popullit” nuk është diçka që është fiktive është reale, ka njeri të plagosur, ka njeri të nxënë në flagrancë në veprim, ka veprime të cilat janë konsistente, të cilat janë promovuar që nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në rrugë, ka djegie të makinave, ka sulme të eskortës së kryeministrit, ka sulme të zëvendës kryeministrave, ka sulme të deputetëve, ka sulme të familjeve të eksponentëve të cilët kanë qenë gjatë këtyre pesë viteve në qeverisje, të cilat i ka bërë “Syri i popullit” dhe janë pikërisht ata të cilët i kam potencuar edhe më shumë”, tha ai.

Zoti Veseli tha se do të ndjek rastin në aspektin ligjor deri në fund.

Pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet dhe mendon që në rrethana të reja mund të mbyll raste, nuk mbyllën rastet, do të thotë, secili duhet të përgjigjet për veprimet e tyre të cilat i ka kryer”, tha zoti Veseli.

Edhe presidenti Thaci edhe zoti Veseli ishin ftuar në procesin gjyqësor kundër organizatës, “Syri i Popullit”, meqë emrat e tyre ishin pjesë e një liste emrash që organizata sipas prokurorisë i cilësonte tradhtarë që duhet likuiduar.

Në mars të vitit 2017, ishte kryer tentim vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi, ish udhëheqës komunist i Kosovës. Zoti Vllasi mbeti i plagosur dhe më pas policia arrestoi Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast.

Në shkurt të vitit 2018 prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Murat Jasharit, Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës, nën dyshimet se ishin pjesë e kësaj organizate.

Sipas aktakuzës pjesëtarët e kësaj organizate “po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016”.

Të fundit