Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut është organ i pavarur që i pamundëson organeve tjera të ndërhyjnë në punën e saj, ka deklaruar kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevvski duke komentuar nismën për vetting apo verifikimin e pronës dhe të profesionalizmit të çdo gjykatësi e prokurori, por edhe kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë të nis verifikimi i të ardhurave dhe pronës së tyre.
Kolevski ka thënë se kontrolli i punës së prokurorëve duhet të bëhet me forca të brendshme, ndërsa ndërkombëtarët sipas tij, në këtë proces mund të kenë të kenë rol këshilldhënës. Ai ka thënë se çdo ndërhyrje do të nënkuptonte shkeljen e kushtetutës.
“Prokuroria Publike është organ i pavarur shtetëror dhe si i tillë ai kompetenca që i pamundëson organeve tjera të ndërhyjnë në punën e tij. Kemi edhe akte tjera ligjore të cilat në mënyrë të detajuar e përkufizojnë këtë pavarësi të organit të akuzës. Pra, të gjithë ata që duan të bëjnë një gjë të tillë duhet të kenë kujdes që të mos shkelin Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi”, ka deklaruar Kolevski.
Reagimi i Këshillit të Prokurorëve vjen pas paralajmërimit të institucioneve për nisjen e vettingu-t ndërkohë që të dielën kryeministri Zoran Zaev akuzoi një pjesë të gjykatësve dhe prokurorëve si “mburoja e fundit e regjimit të kaluar të Nikolla Gruevskit”.
“Një pjesë e gjykatësve dhe prokurorëve kanë mbetur kështjella e fundit e shtetit të robëruar. Po kontrollojnë punën dhe epilogun e proceseve gjyqësore ku janë të dyshuar dhe akuzuar protagonistët e regjimit të kaluar. Këto forca i kanë dalë në rrugë drejtësisë duke mbrojtur krimin. Kjo duhet të ndërpritet, duhet t’i pengojmë dhe të njëjtit duhet të përgjigjen para popullit për punën që kanë bërë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke i bërë thirrje institucioneve që menjëherë të nisin punën për kontrollin e pasurisë së këtyre gjykatësve e prokurorëve.
“I bëjmë thirrje Komisionit Anti-korrupsion të nis procedurën për kontrollin e pasurisë dhe të prokurorëve kurse institucionet tjera si MPB-ja, policia financiare, drejtoria e tatimeve, kadastra e të tjera mundet që këtë muaj të nisin proceset për kontrollin dhe konstatimin e pasurisë së tyre”.
“Ne kemi nevojë për gjyqësi e cila vendos dhe jo gjyqësi që i len lëndët të vjetërsohen që të shpëtojnë të dyshuarit”, ka theksuar Zaev, duke ftuar Bashkimin Evropian që menjëherë të fillojë me zbatimin e instrumentit për monitorimin të rasteve gjyqësore të krimit të rëndë dhe korrupsionit.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar ka thënë se nga viti i ardhshëm përmes një projekti, BE-ja do të monitorojë proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin e lartë, por Zbogar tha se vettingu në gjyqësor duhet të jetë opsioni i fundit për ngritjen e profesionalizimit dhe se pastrimi duhet të bëhet brenda vet gjyqësorit.
“Vettingu është opsioni i fundit dhe për të ka një parakusht, arritja e konsensusit nga të gjitha palët, pra është zgjidhja e fundit dhe për momentin nuk e shohim si opsion. Por, gjithsesi vendimi për këtë i takon institucioneve”, ka deklaruar ambasadori Zbogar pas një takimi me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati.
Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut tani një kohë të gjatë është në shënjestër të kritikave të shumta, në veçanti pas mbylljes së disa lëndëve gjyqësore për shkak të vjetërsimit, që besohet të jenë të qëllimshme pasi të akuzuar në to ishin ish-zyrtarë të qeverisë së kaluar.