E martë, 10 Dhjetor, 2024

“Tërhiq paketën anti-shpifje”/ 37 organizata ndërkombëtare “ultimatum” Ramës

37 është numri i organizatave nga vende të ndryshme të botës të cilat kanë reaguar kundër “Paketës anti-shpifje”, të propozuar nga Qeveria shqiptare. 35 prej këtyre organizatave janë pjesë e “Solidarity Platform”, të cilat i janë bashkuar deklaratës së organizatave shqiptare të medias dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke i bërë thirrje Qeverisë Shqiptare të tërheqë paketën ligjore anti-shpifje që i është propozuar Kuvendit dhe në rast mostërheqje të Qeverisë, i bëjnë thirrje Kuvendit ta rrëzojë atë menjëherë.

Në deklaratën e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksohet se pjesë e organizatave nënshkruese janë 10 Komitete Helsinki me reputacion të lartë dhe veprimtari të spikatur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së njeriut, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe që e kanë qendrat e veprimtarisë së tyre në shtete europiane si Hollanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Armenia, Polonia, Greqia, etj.

“Përveç mbështetjes fuqimisht të argumentave të paraqitura më herët nga organizatat shqiptare të medias dhe Komitetit Shqiptar i Helsinkit, Rrjeti Solidarity Platform vendos theksin tek fakti që kjo paketë ligjore nuk përputhet me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet, prosperitet të shtetasve të vendeve tona”, thuhet në deklaratë.

37 organizatat theksojnë se tani që Shqipëria ka marrë kryesinë e OSBE-së, duhet të jetë shembull për vendet e tjera që janë të angazhuara në OSBE, sa i takon respektimit të medias dhe fjalës së lirë dhe kurrësesi të bëhët një pengues i tyre.

Kryeministri Rama pretendon se me paketën antishpifje do të ndihmojë në organizimin e medias online duke luftuar lajmet e rreme, por shoqatat e gazetarëve, organizatat e lira dhe vetë shoqëria civile e kanë parë këtë si kërcënim të mendimit, fjalës dhe medias së lirë.

Gazetarë, analistë dhe krerë organizatash theksojnë se kjo paketë nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme, por është përpjekje për të kontrolluar veç mediave të tjera edhe atë online, gjë kjo që bie në kundërshtim me një sistem që duhet të ketë funksion demokratik./CNA.al

Të fundit