Pas zgjedhjeve të vitit 1994, marrëdhëniet ndëretnike përkeqësohen ndjeshëm. Së pari me rezultatet e Regjistrimit kurse më pas me intervenimin e MPB-së në Reçicë të Vogël kundër Universitetit të Tetovës, për të cilin, autoritetet e atëhershëm u prononcuan se është i jashtëligjshëm dhe i motivuar politikisht. Forca speciale policore me përgatitje të plotë luftarake, snajperë në majat e ndërtesave, postblloqe policore në hyrje-daljet e Tetovës, kordonë policorë – ishin pamje që mund të shiheshin ato ditë Dhjetori. Fitohej përshtypja se do të ndodhte ndonjë luftë e madhe, e jo se do të hapej një universitet. Po si ndodhi, përse nëntëdhjetekatërta e shekullit të kaluar ishte kaq e trazuar?
Autor: Rean Saiti
Viti 1994 ishte viti zgjedhor. Për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, si shtet i pavarur dhe sovran duhej të mbaheshin zgjedhjet demokratike shumëpartiake. Në prapavijë, vendi ngulfatej nga marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike si dhe nga lufta e përgjakshme që zhvillohej në Kroaci dhe Bosnjë. Më 08 Shkurt, SHBA-të pranuan Maqedoninë nën referencën IRJM apo FYROM. Në Greqi zhvillohej një nacionalizëm i ngjashëm sikurse ai serb. Nxirreshin miliona njerëz nëpër rrugët e Selanikut dhe Athinës të cilët brohorisnin “Maqedonia është Greqi!” Kjo ishte njësoj si “deklaratë lufte”. Andreas Papandreu në tubim do të përsëriste fjalët “Unë do ta zgjidh çështjen e Shkupit, s`mund të ketë Maqedoni” dhe në këtë mënyrë fitoi pushtetin. Në Shkurt të vitit 1994 Greqia vendosi embargo ndaj Maqedonisë. Me vendim të qeverisë greke ndërpritet puna e Konsullatës së Përgjithshme greke në Shkup dhe ndalohet qarkullimi i mallrave nga porti i Selanikut në Shkup dhe anasjelltas. Më 23 Shkurt Komisioneri Evropian nga Holanda Hans Van der Bruk qëndroi në Athinë dhe Shkup në një përpjekje të pasuksesshme për të gjetur zgjidhje për embargon greke. Ky process i ndërmjetësimit evropian, vazhdoi deri vitin e ardhshëm, derisa Maqedonia i pranoi kushtet greke. Autoritetet e Maqedonisë do të kërkojnë ndihmë dhe përkrahje nga fqinjët tjerë. Dy muaj pas embargos greke, Presidenti Kiro Gligorov do ta vizitojë Bullgarinë ku takohet me homologun e tij Zhelju Zhelev, kurse më 23 Maj të vitit 1994 do të ketë një takim jozyrtar edhe me Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha. Përfaqësues të Qeverisë së atëhershme të Maqedonisë publikisht kanë falënderuar Tiranën dhe Sofjen që kishin ndihmuar Shkupin t`i mbijetojë embargos greke, sidomos me furnizime me derivate të naftës. Në këtë kohë, në kufirin verior me Serbinë do të ndodh incidenti “Çupino Brdo”, kur forca të atëhershme të ushtrisë jugosllave do të hyjnë në 12 pika, thellë në brendësi të territorit të Maqedonisë, për të parandaluar hyrjen e mallrave nga Bullgaria në Maqedoni. Kronistë të kohës thonë se ndaj këtij akti kishin reaguar edhe Uashingtoni dhe Moska.
Fushata për zgjedhjet e përbashkëta Parlamentare dhe Presidenciale do të jetë tmerruese. Do të përdoret “artileria e rëndë”, do të “dridheshin tribunat” . Jo aq kundër grekëve e bullgarëve se sa ndaj shqiptarëve. Fyerjet dhe kërcënimet ndaj shqiptarëve do të arrijnë kulminacionin. Në këtë fushatë do të dalin fjalët e kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE-së “Ua thashë sot në Dibër, por edhe dje në Tetovë, duke ju drejtuar drejtpërdrejtë shqiptarëve etnik. Nëse lëshoni kthetrat, me vendosmëri do t`ua presim” – do të thotë në tubim Lubisha Georgievski, duke aluduar në shqiponjën. Zgjedhjet Presidenciale do t`i fitojë Kiro Gligorovi, kurse gjithë pushtetin e mori LSDM-ja për shkak se VMRO-DPMNE-ja bojkotoi rrethin e dytë të zgjedhjeve. Qeverinë do ta formojnë socialdemokratët dhe PPD-ja. Në këtë vit, pra më 1994, fillon edhe procesi i shumë debatueshëm dhe kontestues i privatizimit të kapitalit shoqëror.
Pas zgjedhjeve, marrëdhëniet ndëretnike përkeqësohen ndjeshëm. Së pari me rezultatet e Regjistrimit kurse më pas me intervenimin e MPB-së në Reçicë të Vogël kundër Universitetit të Tetovës, për të cilin, autoritetet e atëhershëm u prononcuan se është i jashtëligjshëm dhe i motivuar politikisht. Forca speciale policore me përgatitje të plotë luftarake, snajperë në majat e ndërtesave, postblloqe policore në hyrje-daljet e Tetovës, kordonë policorë – ishin pamje që mund të shiheshin ato ditë Dhjetori. Fitohej përshtypja se do të ndodhte ndonjë luftë e madhe, e jo se do të hapej një universitet.
Mediat gjithmonë kanë qenë të mbërthyera mes imperativit objektiv profesional, kritikës së bazuar etike, inxhinjeringut propagandues dhe senzacionalizmit djallëzor. As edhe dominimi politik në jetën publike, ndjekja e gazetarëve, kërcënimet verbale dhe ofendimet, sulmet fizike, nuk ishin anashkaluar gjatë asaj kohe. Ato pak gazetarë shqiptarë që raportonin në atë kohë, gazetarinë nuk e kishin profesion por mission. Mision i shenjtë, për të raportuar për padrejtësitë që i bëheshin një populli që donte vetëm të arsimohej. Ndikim të madh në popull në atë kohë kishin Televizionet lokale, që paraqisnin dritaren e vetme të informimit të shqiptarëve të Pollogut. Dorën në zemër kishte edhe gazetarë tjerë që punonin për gazetat shqipe “Flaka” e “Rilindja”, Programin shqip të MTV-së, korrespodentë shqiptarë të mediave prestigjioze botërore “Zëri i Amerikës”, “BBC”, ‘Dojçe Vele’ etj. Në anën tjetër ishte një makineri e tërë propaganduese në shërbim të shtetit që si refren përsërisnin frazat “Shqiptarët duan luftë”, “Duan bashkim me Shqipërinë”, “Maqedonia e maqedonasve”, “Jo arsimit shqip” e të ngjashme. Atë kohë ekzistonin dy të vërteta për ngjarjet rreth themelimit të Universitetit të Tetovës. E vërteta e gazetarëve shqiptarë dhe “e vërteta’ e mediave maqedonase, që fatkeqësisht do të vazhdojë edhe dekadave të ardhshme. Aktin e themelimit të UT-së, më 17 dhe 18 Dhjetor, në Shtëpinë e Haxhi Bari Ganiut në Reçicë të Tetovës dhe selinë e PPD-së e xhiroi ekipi Tv ART, pjesëtat i të cilit isha dhe unë. Po atë natë, policë dhe inspektorë policie do të hyjnë me forcë në hapësirat e këtij televizioni dhe duke ushtruar dhunë të paparë, do ta burgosin pronarin Artan Skenderin dhe Kryeredaktorin, tashmë të ndjerin Ramadan Sinanin, kurse neve gazetarëve na nxorën jashtë duke mbyllur televizionin. Atë natë, krahas bastisjeve, nuk i gjetën filmimet e aktit të nënshkrimit të themelimit të UT-së. Do ta konfiskojnë një kamerë, kur kameramani Jetmir Osmani u përpoq ta xhirojë aktin e bastisjes në hapësirat televizive. Materialet ekskluzive filmike, përmes njerëzve të besueshëm ishin fshehur në një vend të sigurtë. Mbaj mend se kasetat nga selia e PPD-së nëpër kordonet policore i kishte kaluar Kryetarja e atëhershme e Forumit të Gruas Shqiptare Myqereme Rusi. “Shtetrrethimi” policor, me postblloqe, kordone e maltretime do të vazhdojnë disa ditë. Do të burgosen intelektualë shqiptarë, do të bastisen e maltretohen shtëpi e familje të tëra. Gazetarët shqiptarë kanë raportuar për këto ngjarje kurse mediat maqedonase trumpetonin një triumfalizëm të rrejshëm dhe thjesht ishin zëdhënës të aksioneve antishqiptare, duke manipuluar opinionin maqedonas kinse gjithçka kanë nën kontroll…Elitat e atëhershme politike shumë shpejt e kishin kuptuar fuqinë e mediave dhe aparatit partiak për të fituar pushtetin. Për këtë shkak vëmendja e tyre kryesore ishte fokusuar drejt pushtimit të hapësirës mediale. Rëndësia e mediave në përgatitjet për situata krize siç ishte Dhjetori i vitit 1994, shihej gjatë definimit të krizës, identifikimin e aspekteve dhe aktorëve kryesor. Rektori legjendar i UT-së, Prof.Dr. Fadil Sulejmani do të ishte “shënjestra” kryesore e raportimit medial maqedonas. Ata ishin të instrumentalizuar dhe të shndërruar në një repart prodhues të ideologjisë në pushtet. Reparti funksiononte në harmoni, që mundësonte adoptimin e fjalorit medial dhe të përgjithshëm publik, konform projektit politik të regjimit të atëhershëm.
Por, ishte vetëm fillimi. Pas UT-së qëndronte populli, i cili do ta jetësojë këtë universitet, pavarësisht çmimeve që është dashur t`i paguajë…
*Autori është kryeredaktor i Tv Klan Maqedonia