E premte, 4 Tetor, 2024

‘Jetët tona nuk na përkasin vetëm neve, ato u përkasin të gjithë atyre që dëshpërimisht kanë nevojë për ne’

Fjalimi i Elie Wiesel, me rastin e pranimit të çmimit Nobel për Paqe

Oslo, 10 dhjetor 1986

“Më kujtohet: ndodhi dje, ose përjetësi më parë. Një djalë i ri hebre zbuloi mbretërinë e natës.
Më kujtohet hutimi i tij, mbaj mend ankthin e tij. E gjitha ndodhi kaq shpejt. Geto. Dëbimi. Vagoni i mbyllur i bagëtive. Altari i zjarrtë mbi të cilin do të flijohej historia e popullit tonë dhe e ardhmja e njerëzimit.

Më kujtohet: ai e pyeti babanë e tij: “A mund të jetë e vërtetë kjo?” Ky është shekulli i njëzetë, jo mesjeta. Kush do të lejonte që të kryhen krime të tilla? Si mund të heshtë bota?

Dhe tani djali më kthehet mua: “Më thuaj”, pyet ai. “Çfarë ke bërë me të ardhmen time? Çfarë ke bërë me jetën tënde? “

Dhe unë i them që kam provuar. Se jam përpjekur t’a mbajë gjallë kujtesën, se jam përpjekur t’i luftoj ata që do të harronin. Sepse nëse harrojmë, ne jemi fajtorë, ne jemi bashkëfajtor.

Dhe pastaj i shpjegova se sa naivë ishim, se bota e dinte dhe vazhdoi të ishte e heshtur. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam betuar që të mos heshtë kurdoherë dhe kudo që qeniet njerëzore përjetojnë vuajtje dhe poshtërim.

Ne gjithmonë duhet të mbajmë anë. Neutraliteti e ndihmon shtypësin, kurrë viktimën.
Heshtja e inkurajon torturuesin dhe kurrë të torturuarin. Ndonjëherë duhet të ndërhyjmë. Kur rrezikohet jeta e njeriut, kur dinjiteti njerëzor është në rrezik, kufijtë kombëtar dhe ndjeshmëritë bëhen të parëndësishme.
Kudo që burrat ose gratë persekutohen për shkak të racës, fesë ose pikëpamjeve politike, ai vend – në atë moment – duhet të bëhet qendra e universit.

[…]

Ka kaq shumë padrejtësi dhe vuajtje që thërrasin për vëmendjen tonë: viktima të urisë, racizmit, dhe përndjekjes politike, shkrimtarë dhe poetë, të burgosur në aq shumë vende që qeverisen nga e majta dhe nga e djathta. Të drejtat e njeriut po shkelen në çdo kontinent. Më shumë njerëz janë të shtypur sesa të lirë.

[…]

Ka shumë për të bërë, ka shumë gjëra që mund të bëhen. Një person, … një person me integritet, mund të bëjë ndryshimin, një ndryshim mes jetës a vdekjes. Për sa kohë që një disident është në burg, liria jonë nuk do të jetë e vërtetë. Për sa kohë që një fëmijë është i uritur, jeta jonë do të mbushet me ankth dhe turp. Ajo që të gjitha këto viktima mbi të gjitha kanë nevojë është të dinë se nuk janë vetëm; se ne nuk po i harrojmë, se kur zërat e tyre janë të mbytur ne do t’u huazojmë tonin, se përderisa liria e tyre varet nga e jona, cilësia e lirisë sonë varet nga e tyre.

Kjo është ajo që unë i them djalit të ri hebre, duke pyetur veten se çfarë kam bërë me vitet e tij. U flas në emrin e tij dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë. Askush nuk është aq i aftë të ketë mirënjohje sa ai që ka dalë nga mbretëria e natës. Ne e dimë se çdo moment është një moment mirësie, çdo orë një dhuratë; të mos i ndashë ato, do të thotë t’i tradhëtosh.

Jetët tona nuk na përkasin vetëm neve; ato u përkasin të gjithë atyre që dëshpërimisht kanë nevojë për ne.”

Përktheu: Rozafa Kelmendi / kultplus

Të fundit