E martë, 18 Shkurt, 2025

Kujt ia mba të kërkojë përgjegjësi tek politikanët, jo tek analistët dhe opinionistët!

Shkruan: Sefer Tahiri 

Analistët dhe opinionistët njësoj si politikanët kanë përgjegjësi publike për fjalën e thënë dhe të dhënë.

Dallimi është që politikanët këtë përgjegjësi e marrin nga populli dhe më pas për të paguhen (rroga të majme, vetura luksoze, kabinete sa banesat e analistëve (opinionistëve), kartela bankare) ndërsa opinionistët dhe analistët nuk paguhen, pra nuk marrin rroga e as honorare për analizat apo opinionet e tyre, siç ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, sepse argatllëku, qoftë edhe në funkson publik në civilizim valorizohet!

Nuk i përfshij këtu “mercenarët” mediatik dhe analistik-opinionistik, nëse ekzistojnë të tillë, qofshin analistë të punësuar apo të papunë. Pra, disa nga politikanët marrin rroga vetëm për llafet e tyre, premtimet dhe pallavrat që ua tregojnë qytetarëve! Dhe ka një soj i njerëzve, madje prej këtyre intelektualëve zyrtarë, që vishen me kollare dhe kostume, por edhe disa prej këtyre gjoja intelektualëve “avangardë” që kur është në pyetje politika dhe partia (apo partitë) nuk bëjnë gëg, por kur janë në pyetje analistët dhe opinionistët gjithmonë janë të gatshëm të tregojnë “dështimet” e tyre, thua se këta të fundit e jo deputetëte ministrat kanë mandate politike! Që të mos keqkuptohem, në këtë “thes” nuk i fus ata që kritikojnë politikanët dhe kanë edhe ndonjë vërejtje për analistët dhe opinionistët!

Ata që heshtin për dështimin e politikës dhe i japin “zor” kundër analistëve, bëjnë punën e Sizifit, sepse nuk u beson kush dhe populli është shumë i mençur se sa tu besojë broçkullave tuaja se gjoja më shumë se askush tjetër, por analistët dhe opinionistët kanë përgjegjësi të madhe për gjendjen “status quo” të shoqërisë!

Prandaj, është tërësisht e pakuptimtë, alogjike dhe iracionale të gjykohen apo paragjykohen mendimet e analistëve dhe opinionistëve, sepse shpesh dëgjoj anakronizma të këtillë, madje edhe sot dhe në fund siç do të thotë që në vitin 2015 analisti Xhelal Neziri “Fajtor për gjendjen do të shpallen analistët”. S’ka sens kjo punë.

Bile, edhe tregon se pse jemi në këtë gjendje!
Pra, analistët kanë përgjegjësi, por nuk mund të kërkohet nga ata llogari për analizat a opinionet që shfaqin, por këtë llogaridhënie duhet kërkuar vetëm nga politikanët në pushtet, sidomos nga ata në pushtet, por edhe ata në opozitë nuk duhet t’i lëmë sallamadi. Pra, vetëm nga ata.

Mos jepni sygjerime se çfarë duhet të thonë analistët dhe opinionistët! Kush ka agjendë tjetër, qoftë edhe partiake- politike, majtas apo djathtas, në qendër, radikale apo jo radikale, bujrum, skena publike është e hapur! Mua sinqerisht nuk më pengon asgjë. Kush si t’i dojë qejfi le të bëjë analiza dhe le të jep opinione! Sa do e brishtë të jetë ajo në vendin tonë, unë i besoj demokracisë dhe rjedhimisht edhe lirisë së shprehjes, jo vetëm lirisë së mendimit (i shfaqur në kafene, çajtore)!

Për vete ngaqë në media jam në mënyrë konstante nga viti 1998, ndjehem i lumtur ku shof ndonjë zë të ri, të artikuluar dhe lucid mbi politikën dhe shoqërinë!

Si përfundim, në media dhe debate politike, përgjigje (dhe përgjegjësi kuptohet) më shumë duhet të japin politikanët se sa analistët!
Ata që kanë veshur petkun dhe kollaren politike lara-lara, ndiqni nga pas, bëjuni pyetje të vështira, le tu dalin djersët, le tu dridhet buza, shkoni rini para dyerve të zyrave ku i kanë, pra kërkoni përgjegjësi në emër të publikut, qofshin politikanë në pushtet apo në opozitë, mjafton të jenë të zgjedhur apo të pretendojnë se një ditë do të zgjedhen! Normalisht, këta të pushtetit “trajtoni” më mirë.

Rregullat profesionale thonë ashtu! Pushteti “i katërt” mediatik është korrigjues i tre pushteteve tjera.

Mos u merrni me mediat dhe analistët! Kjo edhe për kolegët që pretendojnë se mund tu caktojnë detyra analistëve ose që mendojnë se janë të zotë të ndajnë “fetva” (mend) se si duhet të bëhet analiza apo si të jepet opinioni politik!
Ne duhet të merremi me politikanët e jo me vetveten!

P.S. Ky status në Facebook është shkruar më herët, por meqë jemi në prag të fushatës parazgjedhore, me disa ndryshime mendoj se ia vlen të rilexohet.

Të fundit