Procesi i shumëkërkuar i vetingut me gjase do të mbetet për vitin e ardhshëm. Përfaqësuesit e qeverisë thonë se ky proces do të realizohet, por njëkohësisht mbetet i komplikuar. Nga Këshilli i Prokurorëve Publik thonë se profesionalizmin mund ta kontrollojnë vetëm organet e sistemit të prokurorisë. Ekspertë të fushës së drejtësisë thonë se gjyqësia në Maqedoninë e Veriut ka kohë që vuan nga korrupsioni dhe ndikimet politikë.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Nga shumë ekspertë të fushës së drejtësisë procesi i vetingut në gjyqësor është vlerësuar si i domosdoshëm për t’i dhënë fund korrupsionit dhe ndikimeve tjera në këtë sferë. Procesi i vetingut konsiderohet si thelbësor për zbatimin e reformës në drejtësi.
Në ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, tashmë është hapur debati mbi procesin e vetingut, por deri më tani ende nuk ka asgjë konkrete. Më herët, kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se heq dorë nga procesi i vetingut për shkak se sipas tij nuk ka kush t’i zëvendësoje gjykatësit dhe prokurorët e larguar.
Por, ekspertët kishin dalë kundër kësaj ideje. Sipas tyre, më mirë të ketë deficit gjyqtarësh se sa të jenë në numër e mos të jenë profesionistë. Brenda kohës, partia shqiptare pjesë e qeverisë BDI disa herë është prononcuar pro vetingut në gjyqësor.
Çështja e vetingut është aktualizuar gjatë tërë kohës, ndërkohë në shumë debate në nivel ekspertësh edhe nga jashtë është sugjeruar që ky proces të fillojë, por ata gjithashtu kanë theksuar se ky do të jetë një proces i gjatë dhe me shumë barriera përpara. Nuk kanë munguar shembuj nga vende të ndryshme që tashmë kanë zbatuar këtë proces dhe modelet që duhet të ndiqen.
Kohëve të fundit është vërejtur edhe një presion më i madh i opinionit për të filluar me këtë proces, sidmos pas goditjeve të shumta që ka marrë gjyqësori dhe që ka vënë në pikëpyetje funksionimin normal dhe në bazë të standardeve dhe integritetit profesional.
Brenda kohës bëhet e ditur se janë shqyrtuar disa variante për zbatimin e vetingut në gjyqësor, njëra prej të cilave do të ishte një Komision i Përbashkët që do të shqyrtonte shumë aspekte, ndërsa do ta zbatonin disa institucione. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska thotë se ky operacion është lënë pas zgjedhjeve.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se që të fillohet me procesin e vetingut duhet shumicë prej dy të tretave dhe kjo shumicë dhe debati nuk mund të përfundojnë para zgjedhjeve, që është reale. Asnjë proces nuk duhet të jetë i përshpejtuar. Më gëzon fakti që po ngritet vetëdija edhe në vetë institucionet e jurisprudencës”, ka theksuar Deskovska.
Aco Kolevski nga Këshilli i Prokurorëve Publik vlerëson se profesionalizmin e prokurorëve mund ta kontrollojnë vetëm trupat në sistemin e prokurorisë, kurse dyshimet për korrupsion organet e hetimit.
“Prokuroria Publike është organ i pavarur shtetëror dhe organe e institucione tjera nuk duhet të përzihen në punën e saj. Gjithashtu kemi edhe akte ligjore me të cilat operacionalizohet pavarësia e tyre”, thekson Kolevski
Pas thirrjes së Kryeministrit Zaev, që Antikorrupsioni të fillojë me kontrollet e pronave të gjykatësve dhe prokurorëve, nga Komisioni thonë se plani është përpiluar ku do të shfaqen dyshime, kurse do të zbatohet vitin e ardhshëm.