Qytetarë të shumtë janë ankuar për bllokim xhirollogarish pa njoftime paraprake. Sipas tyre, përmbaruesit veprojnë edhe mbi lëndë që vijnë që nga viti 2000. Secilit do t’i trokasin në derë, thotë një qytetare pjesëmarrëse në një protestë të mbajtur para Ministrisë së Drejtësisë. Përkundër faktit se ishte premtuar një rishikim i ligjit për marrëdhënie obligative akoma nuk ka ndonjë zgjidhje për këtë problematik. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska thotë se me ndryshimet do të bëhen kufizime që interesi të mos e kalojë borxhin kryesor, por ligji nuk do të jetë retroaktiv.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Në Maqedoninë e Veriut ka kohë që qytetarët ankohen nga përmbaruesit. Me vite të tëra qytetarët i janë ekspozuar ndalesave në xhirollogaritë e tyre, të cilat në të shumtën e rasteve bëhen pa vendim gjyqësor dhe pa asnjë njoftim për qytetarët. Me mijëra qytetarë tashmë e kanë përjetuar në lëkurën e tyre bllokimet e xhirollogarive në mënyrë arbitrare. Ka njoftime edhe për shuma simbolike, të cilat më pas janë shndërruar në pagesë marramendëse nga përmbaruesit.
Fjala përmbarues me kalimin e kohës ka marrë konotacione të rrjepjes së qytetarëve. Shumë nga ta janë ankuar se pa asnjë njoftim janë detyruar të paguajnë shuma të mëdha, të papërballueshme për të ardhurat e tyre mujore.
Qeveria aktuale kishte premtuar se do të gjejë zgjidhje për këtë problem, duke e mënjanuar këtë mekanizëm, por deri më tash nuk ka ndonjë vendim për t’i dhënë fund kësaj “rrjepje” siç e quajnë qytetarët. Ata ndërkohë janë ankuar se përmbaruesit kanë vepruar edhe mbi lëndë të vjetëruara, të cilat vijnë që nga viti 2000.
Një grup i qytetarëve të shqetësuar kanë protestuan para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar revizion të plotë të punës së përmbaruesve. Ata kërkojnë të ndërpritet bllokimi i llogarive, pagesa e borxheve të mos zgjasë më shumë se dy vite dhe të respektohet vjetërsimi i borxheve. Nga kompetentët kërkojnë zgjidhje konkrete, në të kundërt protestat do të vazhdojnë.
Me bllokadë disaorëshe të qendrës së Shkupit, një grup qytetarësh janë ankuar se përmbaruesit çdo ditë u trokasin në derë për pagesën e shumave të majme të cilat nuk mund t’i sigurojnë.
“E shpikën këtë metodë për marrjen e parave të fundit të njerëzve, të popullit. Do të thotë bëhet fjalë për qindra mijëra lëndë që janë shumë të vjetra, më besoni, mund t’i vijë secilit të paguajë për mbetje të themi nga viti 2001 ose 2000, me kamatë astronomike”, shprehet Ana Gligorova, një pjesëmarrëse në protestën kundër përmbaruesve.
Qytetarët e bëjnë fajtore Ministrinë e drejtësisë, e cila përkundër premtimeve nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për përmbaruesit që vazhdimisht trokasin në dyert e qytetarëve.
“Mendoj se më shumë janë fajtorë nga Ministria e Drejtësisë, këta këtu janë më shumë se përmbaruesit, lejojnë që të maltretohet populli. Nuk më arrin njoftimi nga Oda e Përmbaruesve, jam shumë i zhgënjyer”, thotë Trajko Ristovski.
Përmbaruesit e pohojnë të kundërtën. Ata janë ankuar se profesioni i tyre është shumë stresues dhe mendojnë se akuzohen pa bazë nga qytetarët borxhlinj. Përndryshe, vazhdon analiza e Ligjit për marrëdhënie obligative, ndërsa ministrja e drejtësisë Renata Deskovska ka theksuar se me ndryshimet do të bëhen kufizime ligjore që interesi të mos e tejkalojë borxhin kryesor, por këto ndryshime nuk do të vlejnë në mënyrë retroaktive.