E premte, 4 Tetor, 2024

BDI – LSDM, mosmarrëveshje rreth konkluzioneve të Venedikut për gjuhët

Mosmarrëveshje midis LSDM-së dhe BDI-së, lidhur me konkluzionet e Komisionit të Venedikut, për të rishikuar Ligjin për Gjuhët dhe të shfuqizohet dygjuhësia në procedurat gjyqësore. Kryeministri Zoran Zaev paralajmëron rishikimin e ligjit, për të cilin opinioni i Komisionit do të jetë një pikë referimi.

“Ministria e Drejtësisë do t’i përgatisë ndryshimet, ne do t’i dërgojmë ato përsëri, për të thënë nëse është kjo ajo, që vërtetë ta konfirmojmë bashkëpunimin dhe do ta lëshojmë atë në Kuvend për konfirmim. Askush nuk dëshiron të humbasë një lëndë në gjykatë ose të dënohet padrejtësisht, ose vetë aktgjykimi të mos arrijë, të mos përcaktohet krimi, sepse ndonjë e drejtë tjetër ka tejkaluar më shumë nga vijat e kuqe dhe e drejta për drejtësi është shkelur. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë- tha Zaev.

Zaev njoftoi se me rekomandimin e Komisionit të Venecias do të ketë ndryshime edhe në gjobat për mosrespektim të ligjit. Por Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani thotë se për zbatimin e dygjuhësisë në gjyqësor, as që është kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias.

“Arsyeja kryesore pse ligji është dërguar në Komision ishte vlerësimi i dilemës se a duhet dygjuhësia të jetë pjesë e banknotave dhe uniformave të ushtrisë. Vlerësimi i komisionit është pozitiv për këto dispozita. Andaj, debati që do të hapet tani është për inkorporimin e këtyre dispozitave në ligj. Sa i takon vërejtjeve për gjuhën në gjyqësor, mendoj që duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete sa më shpejtë dhe në gjyqësor dhe segmente të tjera të administratës për ta lehtësuar zbatimin e ligjit, me qëllim të tejkalimit të vërejtjeve të komisionit. Rihapja e ligjit nënkupton rihapjen e Marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson Osmani.

Ndërkohë sipas VMRO-DPMNE-së, Ligji i Gjuhëve ka qenë pjesë e pazareve politike të pushtetit që në fillim, prandaj tani Qeveria duron edhe kritika ndërkombëtare.

“Ligji duhet të tërhiqet menjëherë nga funksioni dhe të bëhet një i ri, ku do të marrin pjesë të gjitha bashkësitë etnike në Republikën e Maqedonisë dhe të bëhet një ligj sipas masës dhe përfaqësimit të të gjithëve, pa u favorizuar etni të caktuara në dëm të të gjithë të tjerëve- tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandon që përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin e brendshëm dhe ndërinstitucional të kufizohet në komunikimet zyrtare të shkruara, ose të shtyhet derisa të ndodh zbatimi i duhur i kësaj dispozite.

Të fundit