E shtunë, 12 Tetor, 2024

NATO – nga e kaluara në të ardhmen  

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Më 3 dhe 4 Dhjetor në Samitin e Londrës, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO sivjet kremtoi 70 vjetorin e themelimit të saj. Kjo Aleancë politiko-ushtarake u themelua për ti paraprirë agresionit të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik kundër vendeve demokratike në periudhën e pasluftës së dytë Botërore duke arritur që me sukses të siguroj paqen dhe sigurinë përgjatë gjithë ekzistencës së saj. Roli i saj ishte thelbësor për gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe si një garant i mbrojtjes ushtarake mundësoi zhvillimin demokratik dhe ekonomik në të gjitha vendet anëtare të saj. Sot kjo Aleancë përfshin 29 shtete, në pritje të inkuadrimit edhe të Maqedonisë së Veriut si aleatja e 30. 

Rëndësia historike – Lufta e dytë Botërore përfundoi duke e krijuar konkurrencën bipolare në mes Lindjes dhe Perëndimit. ‘’Perdja e Hekurt’’ në Berlin ishte simbolika e Luftës së Ftohtë që e karakterizoi Botën për 50 vite, e mbushur kryesisht me luftë të shërbimeve inteligjente, grës për armë bërthamore dhe zhvillim teknologjik ushtarak dhe luftërave të tërthorta në vende të treta. Rimëkëmbja e Evropës Perëndimore përmes Planit Marshall mundësoi frenimin e përhapjes së Komunizmit Marksist-Leninist dhe krijoji kushte për zhvillimin e demokracisë dhe zhvillimit socio-ekonomik në vendet që më vonë do të themelonin Bashkimin Evropian të cilin e njohim sot. NATO në këtë pjesë do të luaj rolin e mbrojtësit të këtij zhvillimi dhe avancimit të vlerave demokratike. Duke pasur për bazë mbrojtjen kolektive dhe sofistikimin e kapaciteteve ushtarake, Artikulli 5 i Traktatit pamundësoi aventurat e mundshme të Bashkimit Sovjetik, artikull i cili thekson se: ‘’sulmi ndaj njërit prej shteteve anëtare, është sulm kundrejt të gjitha shteteve’’ dhe rrjedhimisht nënkupton që në mbrojtje të tij do të jenë të gjithë aleatët. Ky parim siguroi paqe të brishtë deri në rrënimin e Murrit të Berlinit, që ishte edhe fillimi i rrënimit të perandorisë komuniste të Bashkimit Sovjetik. 

Transformimi pas Luftës së Ftohtë – Me triumfin e sistemit demokratik ndaj sistemit komunist Bota u gdhi me sfida të reja. Pakti i Varshavës i dominuar nga Rusia, kundërpesha e NATOs tani më ishte histori. Shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore e braktisën Bashkimin Sovjetik dhe nisi vala e demokratizimit të madh në Evropë. Pothuaj se të gjitha këta shtete tani ishin kandidate për anëtarësim në NATO dhe shumica e tyre u anëtarësuan brenda viteve 1999 dhe 2004. Kjo zgjeroi kufijtë e shtrirjes së Aleancës, shtrirje e cila do të ngjallte nervozizëm dhe kundërshti nga Rusia që po rikuperohej nën udhëheqjen e Vladimir Putinit. Karakterizimi kryesor i kësaj periudhe do të ngelin ndërhyrjet e para ushtarake në Luftën e Gjirit dhe Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë luftërave të prishjes së Jugosllavisë. Këto ndërhyrje e kthyen NATOn nga një aktor pasiv në një aktor aktiv për të garantuar paqen dhe stabilitetin.

Ndryshimi i madh – Deri në vitin 2001 NATO vazhdoi të luaj rolin e saj kryesor për mbrojtje kolektive të shteteve anëtare nga agresionet e jashtme ushtarake. Misioni i saj u zgjeruar me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në periudhën pasuese terrorizmi do të ishte sfida kryesore e Aleancës dhe pothuaj se të gjitha resurset u orientuan drejt luftimit të këtij rreziku. Kjo do të sillte për herët të parë edhe aktivizimin e Artikullit të 5 nga ana e SHBA-ve, që më pas u konfirmua nga të gjithë aleatët dhe rezultoi me misionet e para ushtarake jashtë zonës Veri-Atlantike në Irak dhe më vonë në Afganistan dhe Libi. Edhe sot, lufta kundër terrorizmit vazhdon të jetë në prioritetet kryesore të Aleancës dhe shihet si një nga sfidat kryesore të sigurisë për qytetarët e vendeve anëtare. 

Rikthimi i rrezikut Rus dhe rritja e ndikimit Kinez – Ndonëse fokusi kryesor pas 2001-shit ishte lufta kundër terrorizmit, NATO vazhdoi të mbaj në misionin e saj qëllimin kryesor – frenimin e rrezikut që vinte nga Rusia. Ky rrezik u riaktualizua në viteve të fundit me ndërhyrjen gjithnjë e në rritje të Rusisë përmes sulmeve jo-konvecionale hibride në vendet anëtare të NATOs, por jo vetëm. Ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve dhe në Bashkimin Evropian ishte alarmi kryesorë për rikthimin në fokus tek Rusia. Sot, ndërhyrja Ruse është në zenitin e vet në shtetet e Baltikut, Evropën Qendrore dhe në Ballkan për të minuar sistemet demokratike dhe për të rrënuar Bashkimin Evropian si qëllimin përfundimtar. Përveç Rusisë, vendeve anëtare të NATOs iu shtohet edhe një konkurrent global dhe kjo është Kina e cila viteve të fundit është në ekspansion agresiv për të shtrirë ndikimin e vet politiko-ekonomik në rrafsh botëror. Deklarata përmbyllëse e samitit të këtij viti vendosi për herë të parë në fokusin e aleancës edhe Rritjen e Kinës, që nënkupton zgjerimin e misionit të organizatës kryesisht me insistimin e aleatit kryesor – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Sfidat e të ardhmes për NATO – Ndonëse NATO është aleanca politiko-ushtarake më e suksesshme e të gjitha kohërave dhe dominanca e saj është absolute, sfidat kryesore momentale vinë nga brenda saj. Përplasjet e fundit frontale mes disa prej aleatëve kryesor dhe dallimet e dukshme mbi çështje thelbësore të sigurisë, siç është konflikti në Siri, prodhojnë nervozizëm dhe pasiguri në kohezionin e brendshëm të aleancës. Tejkalimi i tyre do të jetë i vështirë por aleanca ka dëshmuar edhe në të kaluar që është më e qëndrueshme se sa egot dhe kapriçot e liderëve momental sepse ajo garanton vlerën më të madhe për qytetarët e saj – lirinë. Prandaj, sfida kryesore e të ardhmes do të vazhdoj të ngelet dominanca teknologjike dhe ushtarake, posaçërisht në kontrollin e teknologjisë 5G në ardhje dhe rritja e qëndrueshmërisë kolektive ndaj sulmeve hibride që kanë për qëllim të humbin besimin publik në sistemin demokratik qeverisës. 

Të fundit