E shtunë, 27 Korrik, 2024

Një falënderim edhe për shpëtimtarët nga Republika e Serbisë dhe Republika Helene

Pa marrë parasysh marrëdhëniet aktuale të shqiptarëve (të Kosovës) me serbët dhe të shqiptarëve të Shqipërisë me grekët – pjesëmarrja e ekipeve të shpëtimit nga Serbia dhe Greqia është një gjest human me simbolikë edhe politike. Kjo është mirë të pasqyrohet pak më gjerësisht edhe në mediat shqiptare.

Në Thumanë, vendbanimi me gjasë më i prekur nga tërmeti në Shqipëri, shpëtimtarët nga Republika e Serbisë kanë nxjerrë nga rrënojat dy kufoma. Ekipi i zjarrfikësve të specializuar për shpëtim në zona urbane, erdhi të martën nga Serbia në Shqipëri. Drejtuesi i ekipit Davor Vidoviq për televizionin serb tha se kanë hasur në përkrahje të madhe nga ambasadori i Serbisë në Tiranë dhe nga shërbimet përkatëse të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vidoviq tha se do të qëndrojnë në Shqipëri për aq kohë sa ka nevojë për angazhimin e tyre.

Me ndonjë përjashtim minor, në mediat shqiptare, fatkeqësisht, nuk përmendet ndihma e ekipit serb. Me një injorim pak a shumë të ngjashëm medial po përballen edhe ekipet e shpëtimit nga Greqia. Serbi e greku shpëtojnë shqiptarin? Duket se shumica e mediave shqiptare nuk e marrin guximin të raportojnë për këtë. Do të duhej të kishin guxim dhe mbi të gjitha profesionalizëm, sepse, pa marrë parasysh marrëdhëniet aktuale të shqiptarëve (të Kosovës) me serbët dhe të shqiptarëve (të Shqipërisë) me grekët, pjesëmarrja e ekipeve të shpëtimit nga Serbia dhe Greqia është një gjest human me simbolikë edhe politike. Kjo është mirë të pasqyrohet edhe në mediat shqiptare. Ata njerëz që po ndihmojnë Shqipërinë në këtë situatë të rëndë meritojnë respekt dhe vlerësim.

Nga frika se mund të ballafaqohen me urrejtjen e dhunën verbale të kopeve «patriotike» digjitale, edhe shumica e politikanëve në Tiranë s’e kanë marrë guximin që publikisht të takojnë një serb si Davor Vidoviqin dhe t’i falënderohen publikisht. Ka plot falënderime nëpër mediat sociale për «vëllezërit turq» dhe për «liderin e myslimanëve Rexhep Taip Erdoanin» që dërgoi një ekip shpëtimi në Shqipëri. Askush nuk po kërkon që grekët e serbët (por as turqit) të shpallen vëllezër, por lartësimi i ndihmës së njërit shtet dhe heshtja e ndihmës nga shtetet e rajonit të afërt nuk mungesë e mirësjelljes elementare. Në rregull, hajvanët digjitalë nuk mund të kontrollohen, vlen edhe për ta liria e shprehjes, të cilën e keqpërdorin orë e çast, por në mesin e politikanëve dhe mediave do të duhej të kishte një vetëdije më të lartë.

Nga historia e viteve të fundit ka shembuj që dëshmojnë se një tragjedi mund të ndikojë në afrimin mes dy popujve. Më 17 gusht 1999 nga një tërmet në Turqinë veriperëndimore vdiqën mbi 18 mijë njerëz. Tërmeti i afroi dy popuj armiqësorë – grekët dhe turqit. Shpëtimtarët grekë menjëherë pas dridhjes së tokës vrapuan për të ndihmuar, dhe turqit befas zbuluan se matanë detit ishte një fqinj i gatshëm për ndihmë dhe jo vetëm ai armiku i përhershëm siç e përshkruanin politikanët turq. Pastaj ekipi i futbollit Gallatasaraj nga Stambolli shkoi në Selanik për të luajtur një ndeshje miqësore me Paokun. (Në Selanik – aty ku u lind Mustafa Kemal Ataturku dhe aty ku jetojnë shumë pasardhës të grekëve të përzënë nga Turqia).

Paratë nga shitja e biletave për ndeshjen mes Gallatasaraj dhe Paokut u dhuruan për viktimat e tërmetit në Turqi. Fansat grekë u duartrokitën futbollistëve turq – ata ishin të vetmit që shënuan gola. Ekipi turk shpalosi në stadium një pankartë me këtë mesazh: «Falënderojmë popullin grek që po e ndan dhimbjen me ne». Në fillim të shtatorit 1999 nga një tërmet u godit Athina. Menjëherë erdhën ekipet turke të shpëtimit. Skena kur një turk shpëtoi një fëmijë grek u transmetua drejtpërdrejtë një televizion. Atëbotë gazeta greke «Kathimerini» shkroi se solidariteti i grekëve me turqit i habiti politikanët në të dy anët. «Establishmenti politik e ka humbur kontrollin mbi opinionin publik». Grekët dhe turqit nuk ishin të gatshëm të dëgjojnë gjuhën urrejtjenxitëse të politikanëve.

Ky afrim, natyrisht, nuk ishte garanci për qetësimin e raporteve mes Greqisë dhe Turqisë. Viteve të fundit Rexhep Taip Erdoani i është kthyer sërish retorikës së vjetër – me aludime se nuk i pranon kufijtë mes dy vendeve, me sulme ndaj Athinës për shkak se u ka dhënë azil disa oficerëve të ushtrisë turke që ikën nga vendi pas tentimit për puç më 2016 dhe me shpime në kërkim të gazit në detin para Qipros.

Nuk duhet pasur iluzione: tragjedia në Shqipëri si pasojë e tërmetit nuk ka gjasa që mes serbëve, grekëve e shqiptarëve të krijojë një paqe të përjetshme. Kjo mbetet detyrë për të ardhmen. Por le të respektojmë grekë e serbë e kosovarë (se mund të ketë edhe ndonjë pjesëtar të pakicave në kuadër të Ushtrisë së Kosovës) që me profesionalizmin e tyre shpëtojnë jetë. Siç nxorën nga rrënjat forcat greke një 28-vjeçar, të cilin ekipet e Republikës së Shqipërisë nuk e kishin vërejtur dot me orë të tëra. Punë përvoje, më shumë profesionalizimi. Por nuk është faji i tyre. Është faji i politikës shumëvjeçare që edhe në brigadën e zjarrfikësve punëson njerëz pothuaj të palëvizshëm. Dy fjalë për ushtarët e Kosovës: që ata janë kaq profesionistë në punën e tyre, kjo është meritë veçanërisht e shumë shteteve perëndimore që i kanë ushtruar me vite të tëra me financa, pajisje, kurse, arsimim, trajnime. Kjo tragjedi është mësim. Për Tiranën sidomos.

Kosovës) me serbët dhe të shqiptarëve të Shqipërisë me grekët – pjesëmarrja e ekipeve të shpëtimit nga Serbia dhe Greqia është një gjest human me simbolikë edhe politike. Kjo është mirë të pasqyrohet pak më gjerësisht edhe në mediat shqiptare.

Të fundit