E premte, 26 Korrik, 2024

MUSTAFA I KUNDËRPËRGJIGJET KURTIT: NUK ËSHTË E UDHËS QË KURTI TË ETIKETOJË DHE NJËKOHËSISHT TË KËRKOJË BASHKËPUNIM

Në pritje të cerfikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, në Prishtinë, kanë vazhduar përplasjet në distancë mes krerëve të dy partive të cilat pritet të krijojnë koalicionin qeverisës.

Lideri i Vetëvendosjes që pritet të jetë edhe kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi javën e shkuar se ‘kryeministrat e deritashëm kanë vjedhur’.

Një kualifikim i këtillë nuk është pritur në Lidhjen Demokratike të Kosovës, numri një i së cilës, Isa Mustafa, tha për televizionin Klan Maqedoni se etiketimet e këtilla mund të dëmtojnë bashkëqeverisjen.

Deklarata e paradoditshme e liderit të Lëvizjes Vetëvendsje, Albin Kurti se ‘Kryeministrat e tjerë kanë vjedhur” ka marrë një kundërpërgjigje të prerë nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili në ballë të ekzekutivit kosovar ishte nga viti 2014-2017. Duke folur për emisionin Klan Debat të Seladin Xhezairit, zoti Mustafa u shpreh se ‘nuk është e udhës që palët ta etiketojnë njëra-tjetrën dhe njëkohësisht të kërkojmë që të punojnë bashkarisht’: ‘Nëqoftëse kemi të dhëna që Qeveria ime ka abuzuar, ka vjedhur, edhe unë personalisht si kryeministër, sa kam qenë, atëherë larg qoftë që ne të bëjmë koalicion, sepse do të ishte totalisht e paarsyeshme që Lëvizja Vetëvendosje të bëj koalicion me mua ose me Lidhjen Demokratike,’- tha kreu i kësaj partie duke nënvizuar se për etiketimet dhe vlerësimet e këtilla duhet të jepen edhe argumente.

Akuzat e fundit mbase e kanë shtyrë Mustafën të deklarojë të hënën se marrëveshja për bashkëqeverisje me LVV-në ‘ende nuk është finalizuar dhe LDK-ja nuk e ka vështirë të kalojë në bangat opozitare’.

I pari i LDK-së në intervistën për Tv Klan Maqedoni ka folur edhe për insistimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbllokimin e dialogut me Serbinë dhe në këtë shtrirje edhe për këmbënguljen e palës serbe për heqjen e tarifave doganore, si parakusht për këtë: ‘Ne e kemi vështirë që të ulemi në bisedime. Unë mendoj se edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të insistojnë që të hiqen kushtet. Ndërkaq, tarifa nuk mund të hiqet ashtu siç pretendohet tani, sepse ajo është vënë, është bërë pjesë e një rregulative në Kosovë. Ajo mund të hiqet vetëm me masa reciproke. Nëqoftëse Serbia e ndalë fushatën e vet kundër njohjeve të Kosovës të cilën po e zhvillon ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës ose shtetin e Kosovës, nëqoftëse Serbia heq dorë nga masat të cilat pengojnë prezencën dhe qarkullimin e mallrave të Kosovës në tregun e Serbisë, nëqoftëse Serbia fillon implementimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar dhe për të cilat është zotuar, pastaj në mënyrë reciproke edhe ne duhet të veprojmë’.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ashtu e ka cilësuar si të papruanueshme nismën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ashtuquajturin ‘Minishengen ballkanik’ i cili, sipas tij, është vetëm në interes ë Serbisë. Mustafa tha se objektiv i Kosovës nuk është mini shengeni, por Shengeni. Kjo, tha Mustafa, mund të arrihet përmes çuarjes deri në fund të Procesit të Berlinit, por edhe respektimit e zbatimit të Marrëveshjes CEFTA. /KDP

Intervista e plotë: KLIKO KËTU!

 

 

Të fundit