E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Standartet e dyfishta të Ilir Metës, edhe për “sovranitetin”

Nga Mero Baze

Ilir Meta e theu premtimin se do bënte pushim sot, pas kërkesës për referendum. Intervista e ambasadores së Francës në Shqipëri, që rekomandon se konflikti i prodhuar prej tij në Gjykatën Kushtetuese, të zgjidhet nga Komisioni i Venecias, duket se nuk e ka lënë të shijojë hurmat e pjekura në Fushë Mbret në Elbasan.

Zëdhënësi i tij sulmoi pak më parë ambasadoren e Francës, duke e përshkruar si “diplomate qesharake”.

Në gjithë këtë tërbim të Ilir Metës kundër Perëndimit, vërehet një përdorim i standarteve të dyfishta për të njëjtat çështje që janë në debat.

Standarti i dyfishtë, së pari vërehet në qëndrimin që ai mban ndaj Komisionit të Venecias.

Tërbimi i tij kundër Komisionit te Vencias në rastin e interpretimit të dekretit të tij mbi 30 qershorin, apo Marsida Xhaferllarin, bie ndesh me fjalimin e tij të djeshëm për referendumin kushtetues, të cilin e kishte mbështetur të gjithë mbi punën e Komisionit të Venecias për Kushtetutën e vitit 1998.

Atëhere si ka mundësi që Komisioni i Vencias, si hartues i Kushtetutës sonë, lavdërohet për punën që ka bërë për Kushtetutën, por nuk pranohet, që po Venecia, ta interpretojë një akt të Ilir Metës, në shkelje të Kushtetutës?

Komisioni i Venecias është aktualisht institucioni më i lartë ndërkombëtar që mund ta bëjë këtë, dhe Shqipëria e ka pranuar jo vetëm kompetencën e tij, por dhe vendime të mëparshme të tij, në lidhje me ndryshimet e fundit kushtetuese.

Standarti i dyfishtë i Ilir Metës, që edhe lavdëron Komisionin e Venecias, dhe e refuzon atë me tërbim, kur vjen puna tek shkelja e tij, është banale.

Një tjetër standart i dyfishtë, lexohet qart dhe tek debai që Ilir Meta tentoi të bëjë me të drejtën e radhës për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, ai duhet të priste radhën e Kuvendit, për të emëruar kandidaturën e dytë.

Ky në fakt ishte spekullim i hapur, pasi parashkimi i radhës në ligj, ka të bëjë me faktin, se cili institucion ka radhën për të zëvendësuar një vend bosh, dhe për këtë ka radhë, duke qenë i pari presidenti, i dyti Kuvendi dhe e treta Gjykata e Lartë, por kjo nuk nënkupton radhën e veprimit të këtyre institucioneve për vakancën. Secili e ushtron atë brenda 30 ditëve të vakancës së vet, pa e lidhur veprimin e vet me veprimin apo mosveprimin e dy organeve të tjerë.

Pra presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, nuk kanë pse presin njëri- tjetrin për të bërë zëvendësimet, por respektojnë afatin e vakancës së tyre.

Dhe në fakt, këtë e provi dje Ilir Meta. Ai shpalli vakancën për vendin e Besnik Muçit, që i takon presidentit. Po të ishte “serioz”, siç tentoi të dukej gjithë këtë javë, me këmbënguljen për radhën, ai duhet të priste tani dhe vendin e Gjykatës së Lartë, pastaj të shpallte vakancën për vendin që i takon presidentit. Në fakt ka vepruar drejt dje, por ka gënjyer gjithë kohën tjetër.

Së fundmi, po bëhet shumë debat qesharak, biles primitiv, debati që ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri, tradhtojnë të gjithë presidentët dhe vendet e tyre dhe i shërbejnë Edi Ramës, sapo shkelin në Shqipëri.

Është bërë banale kjo histori me gjithë ambasadorët e SHBA që PD i akuzon se këtu tradhtojnë Amerikën, gjithë ambasadorët e BE, që akuzohen se këtu tradhtojnë BE, ambasadorët e OSBE, që tradhtojnë OSBE, dhe tashmë dhe ambasadorja e Francës, që paska tradhtuar presidentin Macron.

Ky debat bëhet dhe më qesharak, kur bëhet nga politikanë që duan të “mbrojnë sovranitetin e Shqipërisë” nga SHBA, BE dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, të cilat “po na rrezikojnë sovranitetin”.

Dhe këtu jemi sërisht tek një standart i dyfishtë i Ilir Metës. Vetë Ilir Meta në krye të Kuvendit, miratoi ndryshime kushtetuese, që ja ka dorëzuar me Kushtetutë sovranitetin Bashkimit Europian dhe SHBA, me ndryshimet e fundit kushtetuese, lidhur me reformën në drejtësi, ndërsa tani bën thirrje për sovranitet dhe kujton pavarësinë e Shqipërisë më 1912.

Në këto kushte, edhe beteja kundër Perëndimit për sovranitetin, është shkelje kushtetuese e rëndë.

Kështu që Ilir Meta shkel Kushtetutën dhe kur sulmon SHBA e BE si shkelëse të sovranitetit tonë. Për të mos thënë që shqiptarët më me qejf pranojnë ta kenë sovranitetin në dorë të SHBA e BE, se sa në dorë të Ilir Metës. Biles dhe me referendum po e deshi këtë pyetje.

Por e vërteta e hidhur është që Ilir Meta bën sikur kërkon referendum për ndryshimet e vitit 2008, por në fakt kërkon  referendum për të ndryshuar fuqinë që i ka dhënë SHBA e BE në ndryshimet e vitit 2016. Por nuk guxon ta bëjë atë pyetje, se e humbet 99 për qind me 1.

Të fundit