E premte, 4 Tetor, 2024

Komentet e Metës, DASH: Po ndjekim situatën. BE: Të papranueshme

Departamenti i Shtetit thotë se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke e vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta reagoi, duke thënë se “vlerëson maksimalisht deklaratën” dhe qëndrimin e Departamentit të Shtetit se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e Tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH dhe SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias”, thuhet në deklaratën e tij.

Reagon dhe Bashkimi Europian

Komentet dhe gjuha e ashpër e përdorur nga Presidenti Meta, ndaj përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë, kanë sjellë dhe reagimin e Brukselit, duke i cilësuar ato “të papranueshme”. Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiç u shpreh të premten se “deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme. Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së”, theksoi zonja Kocijancic, duke veçuar më pas “mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian”. Deklarata e zëdhënëse mbyllet me shprehjen e besimit se “respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”.

Të fundit