E diel, 3 Nëntor, 2024

Çfarë fshihet pas propozimit francez për integrimin

Ditët e fundit, studiuesit e çështjeve të Integrimit Europian janë marrë me dekriptimin e letrës 2 faqe të Presidentit Macron mbi propozimin për të ndryshuar metodologjinë e anëtarësimit të vendeve në BE.

Qëkurse Franca vuri veton për të ndaluar çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Europës, një seri kritikash i kanë ardhur Presidentit Macron nga disa kancelari europiane, Think Thank e analistë rajonalë, madje edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Fjalia më e përdorur ishte “gabim historik”. Prej këtij momenti e më pas, kritika ndaj Presidentit Macron u bë një sport popullor në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku i madh e i vogël, në Parlament dhe rrjete sociale, vloi neveria për refuzimin. Emëruesi i përbashkët në këtë furi komentesh dhe analizash ishte injoranca tipike e atij që nuk di çfarë fshihet pas refuzimit dhe çfarë do të ishte propozimi. Ndoshta, nuk e dinte as vetë elita franceze e diplomacisë.

Nga propozimi dy faqe i Macron kuptohet se metodologjia do të ndryshojë nga miratimi i reformave për sy e faqe te procesi transformues, i suportuar nga një konvergjencë ekonomike e sociale, që do të ketë impakt real te qytetarët.

Së pari, në propozimin francez përsëritet qartë togfjalëshi “anëtarësimin i plotë” si objektivi përfundimtar i procesit, duke hequr nga tavolina skenarin e Partneritetit special pa Anëtarësim.

Së dyti, flitet për një proces përafrimi shkallë-shkallë: a) duke lejuar vendet kandidatë të aderojnë në politikat e BE-së hap pas hapi, b) pranimi gradual do t’i lejonte vendet kandidate të “praktikojnë anëtarësimin” pa hyrë plotësisht, pra, pa votë/veto në Këshillin dhe institucione të tjera të BE.

Megjithatë, propozimi francez duhet thënë se nuk ka qartësi për kontekstin juridik të “anëtarësimit gradual”. Nëse vendet kandidate do kenë vetëm kaq, derisa të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara (që janë të rrepta) (parimi i dytë e kryesor i propozimit), kam frikë se në vend që të praktikojmë anëtarësimin, rajonit tonë thjesht do t’i jepet një lodër për ta mbajtur veten të zënë për vite apo edhe dekada që do të vijnë. Për shembull, pa nënshkruar një traktat anëtarësimi, Gjykata Europiane e Drejtësisë nuk do të ketë juridiksion mbi vendin tonë dhe të tjerë që duan të anëtarësohen.

Parimi i dytë i propozimit të Macron ka të bëjë me “kushte të rrepta”. Dhe sipas tij vlerësimin final nuk do ta bëjë më KE, por vendet anëtare. Në këtë kontekst, ne kemi një kritikë për Komisionin Europian, që, sipas francezëve, raportet e monitorimit i ka të dobëta. Shqipëria ka marrë disa vlerësime pozitive nga ana e KE, edhe kur vendi ishte i kanabizuar sepse raportimi nga Tirana çalonte në strukturat e BE dhe qeveritë europiane (franceze, gjermane, holandeze, etj.) filluan të merrnim seriozisht veç kabllogramet e ambasadave të tyre.

Mirëpo, kalimi i vlerësimit nga KE/BE te vendet anëtare do të ndryshonte asetin institucional (sistemi i votës) të Bashkimit Europian, çka e bën të vështirë të merret në konsideratë propozimi francez për ndryshimin e metodologjisë.

Gjithashtu, propozimi francez dëshiron një qeverisje politike të përmirësuar të procesit të integrimit, përfshirë takimet vjetore të Këshillit Europian me krerët e shteteve ose qeveritë e Ballkanit Perëndimor.

Takime të tilla do të ishin shumë të dobishme për të mbajtur pozitive frymën dhe zgjerimin në axhendën politike të BE-së, ndërsa në të njëjtën kohë të mbështeste më tej konvergjencën ekonomike e sociale të rajonit me përparësitë kryesore të politikës së BE-së. Tema të tilla si antikorrupsioni, antioligakia, ndryshimet klimatike, heqja e barriera të ndryshme, do të ishin meze në tryezë. Takimet në nivele të larta nuk mund të jetë veç raste për të bërë foto të liderëve për t’u treguar kancelarive që popujt tanë mund të rrinë urtë, se i bëjnë zap liderët autoritarë.

Sido që të jetë, një faktor vendimtar për të mbështetur ose bllokuar propozimin francez mund të jetë mbështetje (ose mungesë) e tij nga vetë rajoni i Ballkanit Perëndimor./panorama

Të fundit