E shtunë, 27 Korrik, 2024

Brekët e gjyqësorit 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

 

‘’Do t’ju shkund nga brekët…’’ ishin fjalët me të cilën prokuroja për krim të organizuar dhe korrupsion Villma Ruskoska, kërcënoi njërin nga gjykatësit e Apelit që aprovuan burgun shtëpiak për ish prokuroren speciale, Katica Janeva. Në një shtet tjetër normal, kjo frazë nuk do të ishte aspak normale por në një shtet me drejtësi si kjo e jona, kjo frazë tingëllon normale, e qëlluar, madje edhe bukur në veshin e qytetarit të rëndomtë. 

Partia në pushtet LSDM në premtimet e saja parazgjedhore kishte prioritet rizgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. Pas formimit të qeverisë LSDM nuk insistoi për të mbajtur këtë premtim dhe u mjaftua me arsyetimin se partnerët ndërkombëtarë nuk rekomandojnë një reformë të tillë. Në fakt, rekomandimi apo mëdyshja e faktorit ndërkombëtar bazohej kryesisht mbi kapacitetin politik për të ndërmarr një reformë të tillë dhe rrezikun e zëvendësimit të një gjyqësori të politizuar me një tjerët. 

Ajo pak pikë shprese dhe besimi i qytetarëve për shtet të së drejtës – Prokuroria Speciale Publike, u shpërfytyrua para krimit dhe korrupsionit nga vetë titullarja e saj në një shfaqe të gërditshme për publikun. Kriminelët vazhdojnë të zgërdhihen në sy të idealistëve duke u dëshmuar edhe një herë që u treguan naiv edhe kësaj radhe. Por në fakt, mungesa e besimit në gjyqësor nuk është asgjë e re dhe ajo vjen përmes më tepër dimensionesh. 

Korrupsion klasik – është sekret publik që drejtësia blihet. Në korridoret burokratike sillen sekserët e prokurorëve dhe gjyqtarëve me tefterin e tarifave të ‘’drejtësisë’’. Një bashkëpunim i shkëlqyer konstruktiv mes avokatit, prokurorit dhe gjyqtarit me sekserin në mes tyre, për shuma të majme shpëtojnë kriminelët nga vepra të rënda penale. Ju mund të keni vra qëllimisht dikë, mund të jeni marrë me prostitucion duke shitur vajza të mitura, mund të jeni trafikant droge por nëse i keni parat e duhura, dhe natyrisht që i keni, ‘’drejtësia’’ për ju është e sigurt. Do të gjendet një modus elegant brenda zbrazëtirave ligjore që të kaloni me pak kohë në burg, ndoshta edhe aspak. Prandaj brekët e drejtësisë janë të shtrenjta. 

Korrupsion i nivelit të lartë – qysh nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, miti i paprekshmërisë për funksionarët e lartë politik vazhdon të jetoj i pasfiduar. Privatizimi i viteve të 90-ta i Brankos, korrupsioni galopant i qeverisë së Gjorgjievskit dhe PDSH-së Xhaferit, kapja e shtetit nga Gruevski dhe familja e tij, konstantja e korrupsionit të BDI-së dhe qeveria aktuale nën biznes interesat e vëllait të Zaevit dhe Angjushevit prodhuan një klasë të re të pasurish, klasa e politikanëve pasanik. Të gjithë e kemi nga një të tillë në lagjen, qytetin apo rrethinën tonë, politikan të cilët siç thotë Ali Asllani në poezinë e tij: ‘’të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka’’. Dhe gjatë të gjithë këtyre 30 viteve të tranzicionit nëpër të cilin kalojmë, lufta kundër korrupsionit është krejtësisht e parashikueshme: sa herë që janë në presion për të dhënë rezultat kapin nga ‘’një peshk të vogël’’ duke dhënë spektakël të gjerë para publikut. Politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët bashkëjetojnë në harmoni të plotë mes tyre, në një ekosistem të ndërtuar me favore të ndërsjella dhe duke ia mbrojtur shpinën njëri-tjetrit. Ashtu siç i dëgjuam edhe në përgjime, emërimi apo avancimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve kalon përmes tefterëve partiak ndërkohë që ata e arsyetojnë investimin e tyre duke ndarë drejtësi sipas terkut dhe direktivave të shefave partiak. Prandaj gjyqësori i ka brekët e paprekura. 

Drejtësi selektive – në baza etnike dhe politike. Janë të shumtë rastet e montuara politike dhe etnike që kanë kaluar në dhomat e (pa)drejtësisë dhe perceptimi i qytetarëve, posaçërisht i shqiptarëve për drejtësi me dy standarde si në rastin e Almirit të vogël janë të rrënjosura në mosbesimin ndaj këtij sistemi, përkatësisht shtetit. Ja një shembull i dhimbshëm, poshtërues por klasik: Para do kohe në aksident tragjik në autostradën Shkup-Tetovë një autobus me udhëtar nga Gostivari pësoi aksident në të cilin jetën e humbën 16 udhëtar. Në mesin e qytetarëve ndjesia për vënien e drejtësisë për këtë rast niseshte mbi këtë bazë: ‘’Nëse të gjithë ata që e humbën jetën do të ishin shqiptarë, pronari do t’ia hidhte shumë lehtë dhe pa asnjë ditë burg, aq më shumë që ai është shumë i afërt politikisht me BDI-në’’.  Procesi është ende në vazhdim dhe do të shohim nëse vendimi gjyqësor do të vërtetoj pritshmërinë e qytetarëve posaçërisht në pjesën e lidhjeve të pronarit me partinë duke marrë një dënim më të lehtë nga ajo që i takon. Prandaj brekëve të drejtësisë ju vjen era padrejtësi. 

Tani që në opinion po zë vend gjithnjë e më shumë ideja për të ‘’shkundur brekët e drejtësisë’’ apo siç njihet ndryshe edhe si vettingu i gjyqësorit duhet pasur parasysh këto elemente: 

  1. Politika të qëndroj jashtë procesit – ajo nuk është e denjë dhe kredibile për të vlerësuar krijesën e vet. 
  2. Monitorim i drejtpërdrejtë nga institucionet ndërkombëtare dhe të drejtë të ndërhyrjes në proces për të siguruar shmangjen e ndërhyrjes nga politika dhe për t’i dhënë besimin e duhur procesit. 
  3. Komision i pavarur nga ekspertë të drejtësisë që do të merret me procesin e verifikimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve 
  4. Shkëmbim i ngushtë përvojash me Shqipërinë për të evituar gabimet eventuale që janë paraqitur gjatë vettingut në Shqipëri. 

Pa ia ‘’shkundur brekët e gjyqësorit’’, ky shtet do të ngelet në limbo pa perspektivë dhe në mëshirën e fatit të politikanëve të korruptuar dhe kriminelëve që bashkëjetojnë me gjyqësorin e kalbur në themel. 

Të fundit