E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO TA VËSHTIRËSOJË ANËTARËSIMIN NON PAPER-I FRANCEZ?

Franca i ka dorëzuar dokumentin joformal të metodologjisë së re qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Përfaqësuesit qeveritar thonë se procesi vazhdon, ndërkohë që presin vendimin për fillimin e negociatave. Ambasadori francez në Shkup,Timonie, ka theksuar se me metodologjinë e re Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në Bashkimin Europian të rinovuar.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Metodologjia e re e hartuar në dokument të përgatitur nga Franca për zgjerimin e Bashkimit Evropian ka arritur në duart e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Për zëvendës-kryeministrin e euro-integrimeve Bujar Osmani metodologjia e re të cilën e propozon Franca e lëviz procesin, por është edhe mundësi që vendet aspirante të kenë qasje edhe në fondet strukturore të BE-së. Ambasadori francez në vend Kristijan Timonie theksoi se edhe me këtë metodologji sundimi i së drejtës është në plan të parë.

Menjëherë pas mosmarrjes së datës për negociata aderuese me BE-në, qeveria franceze përgatiti dokument me të cilin propozon metodologji të re për konceptin e zgjerimit të BE-së. Ky dokument zyrtarisht iu është dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për shqyrtim. Zv/kryeministri Bujar Osamni thekson se ka 7 drejtime dhe 7 gjëra të mira në dokument.

Ambasadori francez Kristijan Timonie ka theksuar se në të njëjtën kohë ky dokument është dërguar edhe te vendet anëtare të BE-së. Në shikim të parë, ka theksuar Timonie, kemi hasur në reagime pozitive dhe pikërisht me metodologjinë e re pritet që Maqedonia e Veriut sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian të rinovuar.
“Ky është hap i rëndësishëm që të gjejmë mënyrë për integrim më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian të rinovuar. Kjo është diçka që presidenti Makron e tha që në fillim, se ne nuk shohim mundësi të tjera përveç integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, por kjo duhet të bëhet në mënyrën e duhur”, ka theksuar Timonie.

Nuk dihet nëse vendi do t’i fillojë negociatat pas kësaj metodologjie, por më e rëndësishmja është se procesi i evropeizimit të vendit po vazhdon, theksoi Osmani. Dokumenti është dërguar edhe të vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa Franca pret që Komisioni Evropian metodologjinë e re ta publikojë deri në janar të vitit 2020. Pritet që ky dokument të jap kontributin e tij në procesin e reformimit të metodologjisë negociuese.

Vetëm pak me tëpër se një muaj, Franca kishte vendosur veto për moshapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Deri në momentin e fundit ishte shpresuar se këto dy vende të rajonit më në fund do të marrin një datë për fillimin e negociatave. Por, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, ndërkohë që vendet aspirante kishin shfaqur zhgënjimin e tyre.

Brenda debatit për veton franceze ishin shfaqur përplasje edhe brenda vetë përfaqësuesve dhe anëtarëve të BE-së. Franca kishte qëndruar e fortë në qëndrimin e saj për aplikimin e një metodologjie të re, ndërkohë që më pas presidenti Makron ishte sqaruar se nuk kishte pasur asgjë kundër dy vendeve të rajonit.

Metodologjia e re e propozuar nga presidenti Makron tashmë gjendet në tryezën e shqyrtimit të vendeve të BE-së. Kjo metodologji nënkupton një qasje krejt tjetër në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Praktikat me kapitujt gjatë procesit të negociatave tashmë propozohet që të zëvendësohen me shtatë faza të ndryshme të cilat përveç që ruajnë kohrencën e mëhershme, në të njëjtën kohë krijojnë mundësi për rikthim në momente të cilat mund të konsiderohen si të kaluara.

Qasja e re nënkupton një integrim gradual dhe impenjues, ndërkohë që paraprakisht ofron qasje te fondet strukturore të BE-së, para se një shtet të bëhet anëtare me të drejta të plota. Ky fakt shihet si tepër pozitiv në këtë propozim për të cilin, ambasadori francez në Shkup, Timonie, thotë se ka hasur në një reflektim pozitiv.

Të fundit