E enjte, 12 Dhjetor, 2024

PLUMBI QË NDALOI MIJËRA GRANATA

Derisa ishim dëshmitar të vetëvrasjes teatrale të kriminelit të luftës Slobodan Praljak në Gjykatën e Hagës dhe protestave të Ratko Mladiqit, mund vetëm të hipotetizojmë se sa më pak e përgjakshme do të ishte kjo luftë, nëse këta dy persona, në fillim të luftës, ishin të “infektuar” me humanizëm e ndershmëri dhe të reagonin sikurse Admirali Baroviq?

 

Shkruan: Rean Saiti*

 

Para 28 viteve, pas 87 ditësh shtetrrethimi, Vukovari ra në duart e ushtrisë serbe. Zyrtarisht, 2717 civilë dhe ushtarë kroat që mbrojtën qytetin janë vrarë gjatë kësaj kohe, kurse qyteti ishte rrafshuar me tokën. Thuhet se 11.000 granata brenda ditës kanë rënë mbi këtë qytet. Kroacia, ditën më të dhimbshme të historisë së saj më të re, është duke e shënuar me përkujtime për viktimat e kësaj masakre por edhe me faktin që për së dyti po ia vrasin viktimat e krimeve të luftës. Kjo, pasi në Novi Sad, pak ditë para përvjetorit të Vukovarit, do të zbulohet pllaka përkujtimore për Gjeneralin e APJ-së Mladen Bratiq i cili kishte komanduar me sulmet ndaj Vukovarit.

Kur jemi te tendencat për të barazuar viktimat dhe agresorët, emri i një Admirali të quajtur Vladimir Baroviq nuk përbën ndonjë njohuri për luftërat e përgjakshme në vitet e 90-ta në hapësirat ish-Jugosllave. Pikërisht Admirali Vladimir Baroviq, në natën e 29 Shtatorit të vitit 1991, duke refuzuar urdhërin e krerëve të atëhershëm të APJ-së për të bombarduar qytetet bregdetare kroate, gjuajti me një plumb. Të vetmin plumb, ndoshta më të rëndësishmin në nëntëdhjetat e përgjakshme në Ballkan. Gjuajti plumbin në kokën e tij.

Të njëjtën natë kur mori detyrën, më 29 Shtator 1991, Admirali Baroviq në ndërtesën e ambulancës në Kompleksin ushtarak në ishullin Vis, kreu vetëvrasje. Në letrën lamtumirëse kishte shkruar se ka vendosur të vdes me nder dhe se nuk kishte dashur të luftojë kundër një populli që nuk i ka bërë asnjë të keqe.

Nderin dhe moralin ushtarak Admirali Baroviq e kishte trashëguar nga i ati. Petar Baroviq një general i APJ-së, kishte qenë Komandanti i parë i Luftës në Prishtinën e vitit 1945. Shumë shpejtë pasi ishte emëruar në këtë detyrë, e kishin larguar, për shkak se kishte kundërshtuar terrorin ndaj shqiptarëve.

Disa vite më vonë shkrimtari malazez Momir Markoviq kishte shkruar fjalitë që tashmë janë shndërruar në kult: “Plumbi i vetëm në këtë luftë, për të cilin Mali i Zi mund të jetë krenar, është ai i Admiralit Vladimir Baroviq – Komandantit të Marinës Ushtarake jugosllave”.

Të kuptohemi, ky plumb nuk mund të “amnistojë” një pleadë të tërë të eprorëve të ish-Armatës jugosllave, që kanë qenë përgjegjës për vrasje, masakra, përdhunime, djegie, granatime dhe në fund për gjenocid. Ky plumb i vetëm nuk mund ta fsheh turpin e rafalëve, granatimet e topave dhe tankseve të eprorëve të APJ-së në luftërat nga Vukovari në Dubrovnik, e nga Sllovenia në Kosovë.

Derisa ishim dëshmitar të vetëvrasjes teatrale të kriminelit të luftës Slobodan Praljak në Gjykatën e Hagës dhe protestave të Ratko Mladiqit, mund vetëm të hipotetizojmë se sa më pak e përgjakshme do të ishte kjo luftë, nëse këta dy persona, në fillim të luftës, ishin të “infektuar” me humanizëm e ndershmëri dhe të reagonin sikurse Admirali Baroviq?

Për nder të tij, në Kroaci përdoret një shprehje: “O ti njeri i mirë, kur të gjendesh diku në bregdetin Adriatik, hudhe një lule në det, në shenjë respekti për NJERIUN, plumbi i të cilit, parandaloi mijëra granata”.

 

*Autori është kryeredaktor i Televisionit Klan Maqedonia. Teksti është marrë nga profili i tij në Facebook.

Të fundit