E shtunë, 12 Tetor, 2024

Ne dhe ata: fërkimi i identiteteve të dy shteteve të shqiptarëve

Tirana dhe Prishtina zyrtare do t’i ndihmonin vetes po qe se debatin publik e shndërrojnë në konsultim të ndërsjellë

1.

Shqiptarët e Shqipërisë besojnë se në krahasim me shqiptarët e Kosovës kanë më shumë vetiniciativë, janë më familjarë, janë më mikpritës, më të arsimuar, më të besës, më punëtorë.

Shqiptarët e Kosovës besojnë, ndërkaq, se në krahasim me ata të Shqipërisë janë më familjarë, më mikpritës, më të besës, më punëtorë, më të hapur ndaj botës dhe me më shumë vetiniciativë.

Po, është e vërtetë, thonë shqiptarët e Shqipërisë. Këta të Kosovës janë më të hapur ndaj botës, por njëkohësisht janë më fetarë dhe tradicionalë.

Po, thonë shqiptarët e Kosovës për ata të Shqipërisë, ata janë më të arsimuar.

Kështu thonë rezultatet e një sondazhi të thellë të zhvilluar në fund të vitit 2018 në Shqipëri e Kosovë. Sondazhi, që do të bëhet publik ditëve në vijim, prek disa dimensione të perceptimit të ardhmërisë së përbashkët e evropiane të qytetarëve të të dyja vendeve, por ky ishte rezultati i pyetësorit, i cili më dukej ilustronte njërin prej trendëve që do të hetohet gjithnjë e më shumë: konkurrenca mes dy shoqërive shqiptare. Kjo konkurrencë, tashmë e kornizuar në dy shtete me popullatë shumicë shqiptare, këso here në sondazh merr formën e “shqiptarizmës” (të garës për të përmbushur vizionin tradicional të mikpritjes, besës, zellit, etj). I ngjason ndonjëherë këmbimit mes shtëpive të vëllezërve që janë ndarë në shtëpi të veta e që duan të tregojnë se cili nga vëllezërit ka trashëguar virtytet e emrit të madh që mban familja (“ne jemi më të besës se ata”). I ngjason ndonjëherë, po ashtu, rinjohjes së vëllezërve të ndarë kaherë që kanë filluar ta rinjohin njëri-tjetrin (“ata janë më fetarë”, “ata janë më të arsimuar”).

2.

Kjo pyetje e sondazhit ka dhënë ilustrimin e një dileme identitare, e cila ka qenë e heshtur, madje nënkuptueshëm e heshtur. Shoqëria shqiptare e Kosovës, gjeneratë pas gjenerate, ka synuar “shqiptarizmën” e vet dhe ka përfunduar me një produkt, i cili në evoluimin e vet sot shfaqet si Republika e pavarur e Kosovës. Në identitetin e shqiptarëve të Kosovës nuk ekziston, tashmë, e drejta e Shqipërisë për “copyright”, të së drejtës autoriale për “shqiptari” e “shqiptarizëm”. Madje as e drejta për të caktuar një ardhmëri të përbashkët: në sondazh respondentët e Kosovës (si dhe ata të Shqipërisë) u përgjigjën se do të hiqnin dorë prej bashkimit të të dyja shteteve nëse ky do të ishte parakusht për integrim evropian.

Nëse ka një pe, i cili ndërlidh përgjigjet e sondazhit, ai është në ngritjen e pasqyrës së dy shoqërive shqiptare që zbulojnë se komunikimi i tyre tashmë ka marrë dimensionin e dy shteteve.

3.

Ndoshta do të hyjë në punë këto ditë në Shqipëri e Kosovë ky sondazh, si një përcjellës me një dobi empirike për një debat që u hap në formë paradoksale. Ndërsa në nivel të Ballkanit Perëndimor po zhvillohet ideja e integrimit regjional (me një emër të gabuar “mini-Shengen”), në shoqëritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë po zhvillohet debati për mungesën e relacioneve mes shteteve të shqiptarëve. E zhveshur prej çdo konsiderare protokolare, dilema bazike që po manifestohet është: si mund të kërkosh që Tirana të bashkërendisë vendime për politikë integrimi me Beogradin e Shkupin, por të mos e bëjë këtë paraprakisht me Prishtinën?

Pyetjet, pastaj, brenda kontekstit të zhveshjes protokollare, nuk do të kenë të ndalur. A mund të veprojë Tirana pa u konsultuar paraprakisht me Prishtinën? Pse duhet Tirana sovrane të marrë pëlqime paraprake prej Prishtinës; pse duhet të ketë të drejtë vetoje Prishtina për veprimet e Tiranës?

Ndërkohë, në kësi lloj debati do të hyjnë edhe akuza të llojit të vet. Njëra prej tyre, rikrijimi i Jugosllavisë, është përdorur në tridhjetë vjetët e fundit çdoherë që e ka përmendur dikush në Perëndim idenë e integrimeve regjionale (e këso iniciativa dhe organizata tash ka më shumë se ç’ mund të mbahen mend). Tjetra, se duke kritikuar iniciativa të këtilla për integrim regjional shpërfaqen nacionalizmi dhe shovinizmi ndaj të tjerëve është, po ashtu, e vjetër me tre dhjetë vjetësh; është alibi e dobët e diplomatëve që shpikin ide për integrime regjionale kur nuk kanë ide të mirë, si ta nxjerrin regjionin e Ballkanit Perëndimor nga balta e konflikteve, moszhvillimit dhe rënies demografike.

4.

Tirana dhe Prishtina zyrtare do t’i ndihmonin vetes po që se debatin publik e shndërrojnë në konsultim të ndërsjellë.

Konsultimi do të duhej të prodhonte përgjigje politike për pyetje që tejkalojnë banalitetin e emrave (“mini-Shengen”, “mini-Jugosllavi”) apo paragjykimin e veprimeve (“Kosova u vetëpërjashtua”, “Kush i dha të drejtë Ramës të flasë në emër tonin”).

Përtej banalitetit, iniciativa e cila filloi në Novi-Sad ka për qëllim të krijojë një zonë të “katër lirive” në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këto “katër liri” evropiane kanë nevojë për shtete të barabarta që pajtohen që një pjesë të sovranitetit të vet (unioni doganor, institucionalizimi i sigurisë së përbashkët, etj.) të ndahet me të tjerët. Në mënyrë që ky sovranitet të ndahet, ai duhet të njihet mes të gjitha palëve (pra, të bëhet mes shteteve që kanë përfunduar konfliktet dhe kanë nënshkruar marrëveshje paqeje) dhe njëkohësisht duhet të premtojë benefite ardhmërie (zhvillim më të madh ekonomik, integrim të shpejtuar në BE).

Në kësi konteksti bisede politikash që do zhvilluar si përgjigje ndaj sfidave institucionale të një dimensioni më të ngritur, nuk do të ketë relevancë se a janë “ata” më fetarë, më të arsimuar a të hapur ndaj botës./Koha

Të fundit