E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Kemi nevojë për gazetarinë, për ta çuar njerëzimin një nivel më lart

Nga Marc Benioff*

Eshtë një paradoks i kësaj kohe që jetojmë. Ne kemi një univers të gjerë informacioni në majë të gishtave, megjithatë vazhdojmë të përpiqemi, për të kuptuar forcat që i japin formë botës tonë.

Vetë teknologjitë dhe platformat e mediave sociale që duhej të na bashkonin, janë përdorur për të mbjellë ndarje dhe për të dëmtuar demokracinë tonë. Pushteti vjen nga “ne njerëzit”, megjithatë besimi i publikut tek institucionet vazhdon të bjerë. Shtypi i lirë që siguron transparencë dhe përgjegjësi është nën sulm, kudo, në mbarë botën. Ne jemi të rrethuar nga një prosperitet i paprecedentë, por edhe pabarazi tronditëse, që kanë çuar drejt thirrjeve për një formë të re, më të barabartë dhe të qëndrueshme të kapitalizmit. Inteligjenca artificiale mund të na bëjë më të zgjuar, më të pasur dhe më të shëndetshëm, por algoritmet gjithnjë e më shumë vendosin se cilët artikuj lexojmë.

Në momente të tillë transformimi, si ta përcaktojmë që jemi duke e ngritur më lart njerëzimin, dhe jo duke e dëmtuar atë?

Më shumë se kurrë, e vërteta ka rëndësi. Faktet kanë rëndësi. Vlerat kanë rëndësi. Çarëdo organizate, biznesi apo institucioni ku bëjmë pjesë, duhet të kuptojmë se nuk jemi të ndarë nga çështjet më të mëdha sociale që na rrethojnë. Ne kemi një përgjegjësi jo thjesht për të nxjerrë një fitim, por për ta bërë botën një vend më të mirë. Ne kemi një detyrim t’u shërbejmë të gjithë aktorëve, përfshirë punonjësit, komunitetet dhe planetin tonë. Kur ta bëjmë këtë, secili nga ne mund të jetë një platformë për ndryshime dhe një forcë që punon për të mirën.

Kjo është arsyeja pse bashkëshortja ime Lynne dhe unë vendosëm të bëhemi pronarë të revistës TIME një vit më parë. Për gati një shekull, TIME është besuar nga miliona njerëz në mbarë botën, për të rrëfyer histori që kanë më shumë rëndësi dhe për të na ndihmuar të shohim njëri-tjetrin. Ne e shohim këtë angazhim për të treguar historitë që kanë rëndësi dhe që formojnë jetën tonë, në mbulimin e revistës TIME, të udhëhequr nga kryeredaktori dhe CEO Eduard Felsenthal dhe një ekip global. Çdo javë, ajo kopertinë e rrethuar me shirit të kuq, është një thirrje për të vepruar, për t’u shkundur nga vetëkënaqësia jonë dhe për t’u përballur me çështjet më të ngutshme, me të cilat përballet bota jonë.

Sot, TIME është një botim udhëheqës në platformat dixhitale dhe sociale, me një audiencë globale prej mbi 100 milion lexues, duke mbërritur çdo ditë tek më shumë njerëz, se sa mund ta kishin imagjinuar themeluesit e saj. Me pesë kandidime Emmy në tre vitet e fundit, TIME ka marrë për dore lexuesit, thellë në pyjet e Amazonës dhe lart në hapësirën e jashtme, përmes rrëfimit dixhital. Vitin e ardhshëm, TIME do të përdorë krijimin e sofistikuar filmik të realitetit virtual për të rikrijuar marshimin historik të Martin Luther King Jr në Uashington. Ne po investojmë në redaksinë e TIME dhe biznesin e saj, për të siguruar që të dyja të vazhdojnë të lulëzojnë për shekullin e ardhshëm.

Lynne dhe unë, gjithashtu kemi një vlerësim të thellë për fuqinë e një shtypi të lirë dhe të gjallë në një nivel më lokal, në komunitetin tonë në San Francisko. Tetë vjet më parë, lexuam një artikull në San Francisco Chronicle në lidhje me një djalë të quajtur Rudy, një i pastrehë në klasë të katërt. Me prindërit dhe vëllain e madh, ai kalonte netët në strehëzat e posaçme për njerëz si ai, duke u endur mes stacioneveve të autobusëve dhe parqeve të qytetit. Në mëngjes, ngrihej dhe ndërronte dy autobusë për të shkuar në shkollën fillore, i lodhur dhe i uritur. Historia e Rudyt na tronditi dhe na dha fuqi. Që atëherë, e kemi bërë mbështetjen për familjet e pastreha, një fokus të filantropisë sonë personale.

Vitin e kaluar, unë mbështeta një proces votimi për të vjelë një taksë mbi kompanitë më të mëdha të San Franciscos, duke përfshirë edhe kompaninë time, për të adresuar krizën e të pastrehëve në qytet. Një shtyp i lirë luajti një rol jetësor gjatë debatit publik. Kur filluan të shfaqen dezinformime dhe lajme të rreme, shtypi kërkoi të vërtetën. Të armatosur me faktet, votuesit ishin në gjendje të merrnin vendime më të informuara, dhe ne ishim mirënjohës që masa e kërkuar, në fund u miratua me më shumë se 60% të votave.

Bota jonë ka pësuar transformime të panumërta që kur revista e parë TIME doli në stendat e gazetave e revistave, në mars 1923, me një çmim 15 cent. Në qytetin tonë të lindjes, San Francisko ose kudo që lexoni TIME, askush prej nesh nuk mund të dijë se çfarë ndryshimesh do të vijnë në dekadat e ardhshme.

Ajo që ne dimë është se ndryshimet që kërkojmë nuk do të ndodhin vetë. Ato do të ndodhin vetëm atëherë kur vërtet të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të pranojmë që të gjithë, përfshirë një djalë të vogël, të pastrehë në rrugët e San Franciskos – kanë rëndësi dhe meritojnë një shans të barabartë, për të pasur sukses dhe për të jetuar me dinjitet dhe shanse.

Këto janë historitë që duhet të rrëfehen në mediat tona. Këto janë historitë që duhet të dëgjojmë – dhe që duhet të frymëzojnë çdonjërin prej nesh, që të bëjmë atë që mundemi, për njerëzit tanë dhe për të përmirësuar gjendjen e botës sonë.

Marc dhe Lynne Benioff janë pronarë të revistës TIME. Marc është gjithashtu CEO i Salesforce dhe autor i librit “Fuqia e biznesit si platforma më e madhe për ndryshimin” / TIME – Bota.al

Të fundit