E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë në Kushtetuese

Ankesat e paralajmëruara nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, mund të çojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në instanca tjera, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha votat tashmë janë numëruar dhe ka paralajmëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për të enjten, më 7 nëntor.

Por, ky rezultat i zgjedhjeve, që pritet të shpallet më 7 tetor, po paralajmërohet se do të kontestohet nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Ky koalicion ka mbetur për disa vota jashtë përfshirjes në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Pragu minimal për të siguruar ulëse në Kuvend është 5 për qind, të cilin ky koalicion pretendon se e ka kaluar, por dyshon se kishte parregullsi gjatë numërimit, kështu që synon të kthejë procesin në rinumërimin e të gjitha votave.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, tha për Radion Evropa e Lirë se do të bëjnë ankesë në instancat më të larta, duke iu referuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Është bërë ankesa dhe do të bëhet prapë. Lideri i koalicionit, Fatmir Limaj e ka bërë të qartë se ne do të shkojmë deri në instancën më të lartë. Janë dy ankesa tona, është rinumërimi i plotë i votave dhe ankesa tjetër ka të bëjë me votat të cilat kanë ardhur nga Serbia, të cilat janë jolegale. Jemi në një situatë të keqe, për pak vota jemi aty. Nëse hyjnë në sistem votat e ardhura nga Serbia ne mbesim jashtë Kuvendit, e nëse ato vota anulohen, ne e kalojmë pragun”, tha Makolli për Radion Evropa e Lirë.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Armend Muja, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se votat nga Serbia në të cilat thirret koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, paraqet një betejë për një narracion politik.

“I kemi dy të dhëna. Të dhënat e para ishin ato që ishin votat preliminare dhe votat që erdhën nga Serbia, pastaj votat me kusht dhe votat nga diaspora. Ajo çka dimë ne ishte se në votat preliminare koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ishte nën prag. Pastaj në bazë të rrjedhës kohore del se ky koalicioni duhet të ketë rënë në vazhdim si rezultat i votave nga Serbia dhe votave me kusht dhe votave nga diaspora”, thotë Muja.

“Në realitet, unë e konsideroj që ka një element politik të diskutimit të votimit nga Serbia dhe dyshimit se ato mund të jenë të manipuluara, mirëpo ajo është dashur të theksohet që në fillim, brenda afatit ligjor dhe e dyta është një betejë për një narracion politik se jemi nën prag për shkak të votave nga Serbia”, thotë Muja.

Të martën rreth mesnatës është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor.

“Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpallë rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë rezultatet përfundimtare gjatë ditës së enjte (7 nëntor)”, tha Elezi.

Procedurat e ankesave pas shpalljes së rezultatit përfundimtar

Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, Valmir Elezi thotë se subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 24 orë për të paraqitur ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili më pas ky institucion ka kohë 72 orë për të vendosur lidhur me ndonjë ankesë eventuale.

Nëse PZAP hedh poshtë ndonjë ankesë, atëherë pala mund të ankohet brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka kohë 72 orë për të vendosur për ankesat eventuale.

“KQZ duhet të presë vendimet e këtyre institucioneve, të shohë përmbajtjen dhe se çfarë e obligojnë KQZ të veprojë, në mënyrë që të mund të procedojë drejt certifikimit të rezultatit përfundimtar. Pas certifikimit, KQZ e njofton zyrtarisht presidentin e Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, thotë Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto parti janë duke zhvilluar takime për formim të qeverisë së re, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

Të fundit