E premte, 13 Dhjetor, 2024

QEVERIA “LAVDËROHET” ME EKONOMINË, OPOZITA AKUZON PËR POLITIKA EKPERIMENTALE

Përfaqësues të qeverisë kanë theksuar se rritje ekonomike dhe ulja e papunësisë janë të dukshme. Ata, këtë sukses ia adresojnë ligjit për financimin e kompanive. Opozita, ndërkohë ka akuzuar qeverinë për politika eksperimentale dhe për “haraç” financiar brenda tre viteve. Kërkojnë përgjegjësi nga qeveria.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Rritja ekonomike në vend, në dy vitet e fundit ka arritur 3,6%, ndërsa papunësia ka rënë në shkallën më të ulët deri tash – 17,5%, pohojnë dy ministrat e qeverisë, përgjegjës për politikat ekonomike, zv.kryeministri Koço Angjushev dhe ministri Kreshnik Bekteshi. Në mes tjerash, këto janë përfitimet nga Ligji për mbështetje financiare të kompanive, me të cilin qeveria i ndihmon në mënyrë të barabartë edhe investimet vendase edhe ato të huaja, gjë që nuk ndodhte më parë. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski edhe më tej shpreh bindjen se qeveria udhëheq politikë të gabuar, ndërsa si fakt e përmend heqjen e taksës progresive, vetëm dhjetë muaj pasi hyri në fuqi.

Zv.kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev është i bindur se do t’i jepet fund keqpërdorimit të vajit ekstra të lehtë për amvisëri, i njohur si “nafta e kuqe”. Për herë të parë pas dy dekadave, ka theksuar ai, në vend ka laborator shtetëror mobil për kontrolle, i cili tashmë funksionon. Rreth 170 kompani vendase kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë për shfrytëzimin e përfitimeve nga Ligji për ndihmë financiare të investimeve, ndërsa efektet e 55 milionë eurove mjete të investuara nga buxheti, janë të dukshme në shifra, ka theksuar Angjushev.

“Rritje prej 3,6 përqind në gjysmën e parë të vitit, prej të cilave 4,1 në kuartalin e parë, 3,1 në kuartalin e dytë, edhe në kuartaline e tretë pres shifra të mira. Mesatarisht nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2019 ka rritje prej 5,6 përqind në prodhimtarinë industriale, vetëm gjatë muajve të fundit shihet rritje e përshpejtuar”, ka theksuar Angjushev.

Paralelisht me rritjen ekonomike, sipas qeverisë, ulet edhe papunësia në Maqedoni, e cila për momentin është në shkallën më të ulët deri tani,  17,5 përiqind.

“Vetëm në dy vitet e fundit kemi hapur mbi 54 mijë vende të reja të punës, kryesisht në sektorin privat, ndërsa në sektorin publik kjo shifër as nuk kalon 3000 vende pune. Me këtë sigurisht që u ul papunësia në vendin tonë”. ka theksuar ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Angjushev dhe Bekteshi insistojnë se ligji për mbështetje financiare të kompanive kontribuon për zhvillim të barabartë në tërë shtetin , sepse ndihmën e marrin të gjitha kompanitë që i plotësojnë kriteret, në mes tjerash të mos kenë ulje të të ardhurave gjatë vitit të fundit, as ulje të numrit të të punësuarve mbi 5 përqind. Sipas tyre, me këtë krijohet besim për investime të reja dhe hapen  vende të punës të paguara më mirë dhe kjo mundëson që të ndalet shpërngulja e gjeneratave të reja drejt Perëndimit.

Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev për Ligjin për ndihmë financiare para gazetarëve ka theksuar se si pronar biznesi ai nuk kishte asnjë interes dhe nuk ndikoi në ngrirjen e tatimit progresivë deri në vitin 2023, domethënë kthimin e tatimit të sheshtë.

 

“Nuk kam ndikuar në kthimin e tatimit të sheshtë. Është bërë analizë nëse efektet e taksës progresive ishin të justifikuara. E pashë atë në një seancë qeveritare në të cilën u prezantua dhe u vendos që të pranohet”, ka theksuar Angjushev.

VMRO-DMNE-ka opozitare ka akuzuar qeverinë se po bën politika eksperimentale në ekonomi. Sipas kësaj partie, është për t’i habitur fakti që qeveria del pas 3 vitesh dhe thotë se kemi bërë gabim.

“Më habit fakti që me çfarë guximi dalin para gazetarëve dhe thonë se politika jonë ekonomike ka qenë e gabuar këto 3 vite, kush do të ballafaqohet me pasojat. Kanë mundësi, unë e shfrytëzoj rastin t’i apeloj Zoran Zaevit dhe ministrisë së financave menjëherë t’i kthejnë mbrapsht paratë në ekonomi, që janë paguar si haraç. Të vetëdijesohen dhe këto disa muaj që u kanë mbetur të udhëheqin politikë racionale, të mos bëjnë politika eksperimentale”, ka theksuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski ka paralajmëruar qeverinë dhe ka kërkuar që t’i japë fund popullizmit afatshkurtër. Ai ka paralajmëruar edhe “përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve për udhëheqjen e politikave të gabuara”.

Të fundit